“Janë prishur njerëzit, kanë ardhë kohë tjera”: A është zbehur festa e 28 nëntorit në Kosovë? - NACIONALE

“Janë prishur njerëzit, kanë ardhë kohë tjera”: A është zbehur festa e 28 nëntorit në Kosovë?

1 vit më parë

nga Blendrita Avdiu

110 vjet më parë Shqipëria ka shpallur Pavarësinë e saj. Por, a ka mjaftushëm festë sot në Kosovë? Nacionale doli në shesh për t’i pyetur vetë qytetarët që takonte, me njërën që nga Greqia u shpreh e zhgënjyer.

Shumica prej qytetarëve ishin të veshur me ngjyrat kuq dhe zi, si dhe përmbanin simbole që tregonin për festën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Madje, në shesh dëgjoheshin edhe tinguj të tupanëve dhe qytetarë të rrethuar që po i shijonin këto pamje e këto melodi.

Megjithatë, disa nga qytetarët në Prishtinë nuk mendonin se 28 nëntori festohet ngjashëm sikur vite më herët. Sipas tyre, kjo festë është zbehur dukshëm dhe ka rënë interesimi i qytetarëve për festimin e saj me emocione dhe ndjenja po njëlloj sikur më parë.

A është zbehur festa?

Opinionisti Nexhmedin Spahiu tha për Nacionalen se festa e 28 nëntorit festohet ngjashëm sikur vitet e kaluara. Sipas tij, nuk vërehet ndonjë ndryshim lidhur me këtë qështje.

“Nuk po shoh ndonjë ndryshim, pra po festohet njëjtë sikur në vitet e kaluara. Edhe pse në Kosovë do të duhej që të festoheshin më shumë festa të cilat kanë të bëjnë më tepër me historinë e Kosovës dhe me ngjarjet që janë të rëndësishme për Kosovën,” - ka thënë Spahiu.

Ai tutje tha se diskursi ynë publik dhe edukata jonë shkollore janë po të njëjtat që kanë qenë më herët, prandaj nuk ka ndonjë ndryshim.

Diskursi ynë publik dhe edukata jonë shkollorë është e njëjta që ka qenë para 40 viteve, prandaj edhe nuk ka ndonjë ndryshim në këtë aspekt,” - ka thënë ai.

Sipas tij, në Shqipëri entuziazmi për këtë festë është duke u rritur më shumë sesa në vitet e para të demkracisë.

Në Shqipëri entuziazmi po rritet më shumë në krahasim me vitet e para të demokracisë, për shkak se është rritur më tepër dinjiteti, mirëqënia dhe të tjera,” - ka thënë ndër të tjera Spahiu.

Një nga qytetarët e Shqipërisë, i cili kishte ardhur në Kosovë për të festuar e për të parë se si bëhet kjo festë tha se i duket paksa e zbehur në krahasim me vitet e kaluara.

Unë jam shqipëtar i Tiranës. Festojmë njejtë por ideja është se janë larguar shumë dhe kaq sa kanë ngecë, normalisht njerëzit e bëjnë atmosferën, nuk ka rob tjetër përveç njerëzve ata e bjënë atmosferën, ata bëjnë gjithçka”, ka thënë ai.

Ai tutje u shpreh se në sheshin e Prishtinës, ndihet atmosfera e festës.

Edhe tek kafeja që piva kafenë, ishte robi që ishte pro atmosferës, ata pak njerëz që janë mundohen ta bëjnë,” - tha tutje ai.

Në tjetrën anë, një tjetër qytetar kosovar tha se festa e 28 Nëntorit nuk festohet aspak sikur vitet e kaluara. Ai tha se më herët ka qenë kënaqësi, sidomos kur ishte e ndaluar.

“Aspak nuk festohet si më herët. Përpara ka qenë më kënaqësi, sidomos kur ka qenë e ndaluar festimi i festës, e normalisht kur ishte e ndaluar diçka, ishte më kënaqësi. Shumë e zbehtë me disa flamura mirëpo jo edhe aq atmosferë,” - ka thënë ai.

Ai tha se ne si qytetarë duhet të mësojmë nga vendet e tjera, sidomos nga Amerika për festimin e këtyre festave.

Ne duhet të marrim mësim nga Amerika. Qe sa vite shtet dhe me e pa se si ata e festojnë 4 korrikun, dihet shumë mirë, edhe në familje edhe çdokund. Këtu s’e di, duket se jemi ftohur të gjithë”, ka thënë ai.

Por Sejdi Halimi tjetër qytetar, i tha Nacionalës se kjo festë po festohet shumë mirë. Siç tha ai, Kosova e ka festuar gjithmonë, ndonëse tha se duhet të krijohet një unitet më i madh në mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kjo festë po festohet shumë mirë. Kosova sidomos gjithmonë e ka festuar dhe vazhdon që ta festojë. E ka atë karakterin që gjithmonë është e gatshme. Unë mendoj se duhet të krijohet një unitet më i madh në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe në libra shkollorë ka dhënë kontributin që me mësu gjithçka për Shqipërinë”.

Ai tha se pamja e sheshit i duket mjaft festive, pasi që sipas tij Kosova ka qenë gjithmonë e gatshme që të festojë në këtë mënyrë.

Pamja e sheshit sot duket mjaft atraktive dhe mjaft festive. Kosova gjithmonë ka qënë e gatshme me festu në këtë mënyrë,” - ka thënë Halimi.

Në anën tjetër, njëri nga shitësit e pikturave dhe veshjeve tradicionale në Prishtinë, tha për Nacionalen se për 70 për qind sivjet festohet më pak sesa para dy ose tre vitesh. Sipas tij, ky mosinteresim për festim të kësaj feste është për faktin se njerëzit aktualisht kanë probleme më shumë, kushtet janë jo të mira, papunësia e madhe.

Aspak nuk festohet sikur vitet e kaluara. Në krahasim me dy ose tri vitet më herët, për diku 70 për qind ka rënë interesimi i qytetarëvë për ta festuar pasiqë kushtet aktualisht janë jo të mira, njerëzit kanë probleme më shumë, papunësia është rritur shumë,” - ka thënë tutje ai.

Një qytetare nga Shqipëria ndërkohë i tha Nacionales se ka ardhur nga Greqia për të festuar festën në Kosovë. Sipas saj, aktualisht kjo festë i duket paksa e zbehtë, pasiqë tani më kanë ardhur kohë të tjera dhe njerëzit nuk janë më të njejtë si mëherët.

Kjo festë është zbehur, janë prishur njerëzit, kanë ardhur kohë të tjera. Unë kam ardhur nga Greqia për të festuar këtë festë këtu pasiqë jemi vëllezër, gjyshin e kam pasur nga këtu dhe më duket sikur kemi pasur mallë gjithmonë për këtë vend,” ka thënë tutje ajo.

Lajme të ngjashme