Formimi i institucioneve të reja: Kurti fton në takim Hamzën, Abdixhikun dhe Gjinin
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë lëvizjen e parë për formimin e institucioneve të reja.
Ai sot ka nisur ftesat zyrtare në drejtim të liderëve të subjekteve politike.
Zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, ka bërë me dije se Kurti sot ka ftuar në takim Bedri Hamzën, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin.
“Po, sot në mëngjes kryeministri Kurti u ka dërguar letër për takim tre kryetarëve të PDK, LDK dhe AAK”, ka deklaruar Manxhuka për Kanal 10.
Televizioni në fjalë ka bërë me dije se nuk duhet përmbajtja e letrës.
Ndërsa, partitë politike opozitare ende nuk e kanë konfirmua marrjen e ftesës së Kurti.
Këtë veprim Kurti e ka bërë në ditën që ka nisur afati 30-ditor për fillimin dhe përmbylljen e suksesshme të seancës konstituive të Kuvendit.
Ndonëse afati kushtetues është i qartë se afati i fundit për përfundimin e kësaj seance është 7 gushti, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka treguar se cila do të jetë data e thirrjes së kësaj seance.
Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit nga KQZ-ja, dje ka reaguar Haxhiu.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se seanca konstituive e Kuvendit do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës.
Megjithatë, ajo nuk ka përmendur asnjë datë së kur mund të thirret kjo seancë.
“Sot, me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmbyllet një proces i rëndësishëm demokratik për Republikën tonë. Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale. Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi”, ka shkruar ajo, duke dhënë detaje tjera.
“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve. Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, ka shkruar Haxhiu.