Rreth flamurit të përbashkuar: Episodet më të pabesueshme përçarëse të politikës shqiptare - NACIONALE

Rreth flamurit të përbashkuar: Episodet më të pabesueshme përçarëse të politikës shqiptare

1 vit më parë

nga NACIONALE

Edhe këtë vit, 28 nëntori do të shënohet me fjalë të mëdha e me vargje prej rilindësve tanë. Por, nëse lëmë anash fjalët, me vepra kishim disa episode që ishin pabesueshëm ndarëse e përçarëse veçanërisht mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Cilat ishin më interesantet?

Për çdo 28 nëntor, lutemi që 28 nëntori i radhës të gjejë shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë më të bashkuar. Ky është 28 nëntori i radhës bazuar në perspektivën e 28 nëntorit të kaluar. Dhe, fatkeqësisht thënë, Kosova nuk duket më e bashkuar me Shqipërinë derisa ngjarje përçarëse të panevojshme kanë ndodhur.

Kryeministri i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Albin Kurti, gjetën plot arsye për të shprehur mospajtime me njëri-tjetrin. Në mes u fut Hashim Thaçi, përkundër që ndodhet në Hagë. Por, edhe Dua Lipa. E madje, edhe bullizmi dhe shpotitë e panevojshme.

20 qershori

20 qershorin e këtij viti, Albin Kurti do ta mbajë mend mirë. Edi Rama do të vinte në Prishtinë për të marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së tij me Qeverinë e Kurtit. Por, ai do të nisej më herët dhe do të mbërrinte më herët.

E gjithë dita e tij kaloi në takime me ata që kushtimisht po i quajmë “kundërshtarë” të Kurtit. Kishte qenë në familjen e ish presidentit dhe rivalit të madh të Kurtit, Hashim Thaçit. Kishte vizituar gjerë e gjatë biznesmenët Devolli. Dhe në fund, kishte bërë një ndejë në Gërmi me kritikët më të mëdhenj të Albin Kurtit në botën mediale.

Për çudi, edhe në mbledhjen e mbajtur, kryeminsitri Kurti ishte bërë subjekt i talljeve nga Edi Rama.

I pyetur për qëndrimin kundërshtues të Kurtit ndaj Ballkanit të Hapur dhe mundësisë që Kosova të merrte pjesë si vëzhguese - mundësi që po ashtu e refuzonte - Edi Rama kishte bërë talljen vijuese:

“Po të jetë për vëzhgues, ky vëzhgon nga Prishtina Kinën, e jo më Ohrin.”

Në atë mbledhje, Rama do të tallte edhe ministrat e Kurtit por ky i fundit do të mbeste vazhdimisht pa asnjë përgjigje. Madje, edhe opinionisti Fatos Lubonja – kritik i madh i Edi Ramës - do ta kritikonte Kurtin për qëndrimin e tij.

“Unë pashë një Ramë që e dominonte komplet kryeministrin tuaj, i cili nuk e di se për çfarë arsye ishte krejtësisht i mefshtë aty dhe nuk guxoi të thotë asnjë gjë,” - ishte shprehur z. Lubonja.

Përçarje në Preshevë

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, nuk ka pasur tallje e poshtërime për Kurtin por akuza direkte.

Ai i kishte thënë gazetës Nacionale se Qeveria Kurti po “përçante spektrin politik të Luginës së Preshevës”.

“Në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës është duke e përçarë spektrin politik në Luginë të Preshevës. Kjo po ndodh për herë të parë, sepse më herët kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Pra, për herë të parë qeveria publikisht dhe tash edhe materialisht vepron për të përçarë spektrin politik në Luginë dhe jo me i bashku,” – kishte thënë z. Arifi.

Kryetari i Preshevës kishte qenë veçanërisht kritik ndaj ministrit Liburn Aliu. E fqinja e këtij të fundit (po ashtu me lidhje shoqërore të gjata), Ardita Sinani ishte emëruar këshilltare në Qeverinë Kurti çka në mënyrë direkte tregonte për përçarjen e spektrit politik në Preshevë.

Edi Rama dhe Thaçi

Në muajin tetor, Edi Rama do të mbante një fjalim në Këshillin e Evropës. Ai aty do të denonconte Raportin e Dick Martyt dhe do të bënte krenarë shumë shqiptarë në Kosovë. Rama kërkoi që rezoluta kundër raportit të Dick Martyt të miratohej nga Asmbleja e Përgjithshme e KiE-së.

“Imagjinoni që presidenti juaj merret nga zyra e tij dhe dërgohet në burg pa asnjë aktakuzë. Joe Biden e quante Thaçin George Washingtoni i Kosovës. Thaçi dha dorëheqje, u largua me dinjitet nga zyra, dhe vendosi veten në dispozicion të drejtësisë në mënyrë të përsëritur deklaroi se i besonte drejtësisë. Sepse për drejtësine e kishte rrezikuar jetën. Është ende atje në Hagë, Joseph K. i gjallë, ende në burg. Krijuar nga një lajm i rrejshëm.”kishte thënë z. Rama.

Por, megjithëse do t’i pëlqente shumë kosovarëve, ky fjalim s’do t’i pëlqente kryeministrit të kosovarëve, Albin Kurtit.

“...nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë,” – kishte thënë kryeminsitri ynë për atë fjalim.

Këto përçarje për Thaçin u panë edhe në mbledhjen e djeshme të përbashkët mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, ku emri i ish presidentit u përmend vetëm nga Edi Rama dhe ministrja e tij Mersila Doda por jo edhe nga Kurti apo vartësit e tij.

S'Dua Lipa

Dua Lipa gjatë ditës së djeshme mori edhe nënshtetësinë shqiptare duke u betuar para kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt. Por, pesë muaj më herët rreth saj ishte zhvilluar një ‘betejë’ e fortë mes Qeverisë Kurti dhe asaj Rama.

Festivali Sunny Hill, tashmë tradicional në Prishtinë, rrezikoi seriozisht të braktiste kryeqytetin tonë për të lëvizur drejt Tiranës. Kjo, pasi kryeministri Kurti me të tijët nuk po pajtohej në lidhje me një tokë në Bërnicë. Babai i Dua Lipës do të shprehej ashpër e me dëshpërim.

Në anën tjetër, ishte marrë vesh se në prapaskenë kishte punuar edhe Edi Rama dhe festivali pritej të mbahej vetëm në Tiranë. Sidoqoftë, pas reagimeve të shumta publike në Kosovë, festivali u vendos të mbahej edhe në Prishtinë por edhe në Tiranë.

Duhet kujtuar se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë bërë një varg marrëveshjesh me njëra tjetrën, por kryeministri Albin Kurti e ka emëruar Hysamedin Ferajn si këshilltar politik për mbikëqyrjen e këtyre marrëveshjeve.

Lajme të ngjashme