Fqinja e Liburnit në Qeveri të Kosovës: Çka i duhet Albin Kurtit, Presheva në këtë kohë?
“Përçaj dhe sundo” – është një prej maksimave që përshkruan veprimet e liderëve politikë me tendenca autoritare. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po akuzohet se po përçan spektin politik në Luginë të Preshevës pas emërimit të Ardita Sinanit si këshilltare në kabinetin e tij. Çka ka për të përçarë dhe veçanërisht, çka ka për të sunduar në Luginë të Preshevës?
Si për çdo vend të vogël, rrëfimet e mëdha – sado të mëdha qofshin – mbështillen edhe me dromca banaliteti.
Ardita Sinani ka lidhje shoqërore të ngushtë me Liburn Aliun, ministrin e Infrastrukturës dhe një prej njerëzve më të afërt të Albin Kurtit. Për më tepër, Sinani dhe Aliu kanë edhe marrëdhënie fqinjësore. Mu në kohën e saj si kryetare e Preshevës, ajo e kishte emëruar djalin e axhës së Liburn Aliut si nënkryetar të Kuvendit Komunal.
Për krejt këto, shqetësime në një intervistë në Nacionale kishte shprehur kryetari aktual i Preshevës, Shqiprim Arifi.
“Komplet është interes familjar këtu... Ardita Sinanin e ka kojshike. Pra, ekziston një subjektivitet i madh me ministrin e Infrastrukturës, Aliun kundrejt Ardita Sinanit, dhe djalit të axhës se tij. Sepse ata të dytë tash më nuk janë në pushtet. Ai (Aliu) e ka përdor autoritetin e tij si ministër, e ka përdor Qeverinë e Kosovës dhe Albin Kurtin për të kërkuar nga ne që të mos e ndryshojmë pushtetin lokal në Preshevë,” - kishte thënë Arifi.
Përtej banaliteteve groteske, megjithatë qëndron fati i njëmendtë i banorëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.
Partizimi i Luginës
Ardita Sinani nuk është thjesht komshi e Liburn Aliut. Ajo është njashtu edhe kryetare e një partie politike, asaj për Veprim Demokratik, dhe si e tillë përzgjedhja për t’u futur në kabinetin e Kurtit po shihet si partizim i Luginës.
“Pse nuk fole me partitë andej kufirit, e zgjedhë një njeri që është i pranueshëm për të gjitha partitë. Ti je njeri i konfliktit....” – i shkruante një komentues, kryeministrit.

Një tjetër, i linte fajin për keqinformim ministrit Aliu, megjithëse nuk besohet që Kurti duke qenë kryeministër të mos ketë informacionet e nevojshme.
“Gabim i kryeministrit, apo është keqinformuar nga ministri i tij Liburn Aliu. Nuk është e duhur që të emërohet këshilltare një kryetare partie, pasi që e përçan politikisht Preshevën,” – u shpreh ai.
Çka i duhet Presheva, Kurtit?
Kryeministri aktual i Kosovës ishte alarmuar në lidhje me një ide për demarkimin/shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Qytetarët dhe përfaqësuesit politikë të tyre nga Presheva, Medvegja e Bujanovci e kishin mbështetur vazhdimisht një ide të tillë – duke qenë se përflitej se në rast të zbatimit të kësaj ideje, territoret e tyre do t’i kalonin Kosovës.
Në atë kohë, edhe Ardita Sinani mbështeste idenë në fjalë.
“Unë kam pritur nga Kurti për shkak të ideologjisë që kanë qejf për Bashkim Kombëtar, kam pritur që do ta përkrahë idenë e bashkimit të Luginës me Kosovën. Nuk do të ketë Bashkim Kombëtar pa Luginën. Kam pritur nga VV-ja të jenë më të zëshëm, të kërkojnë fuqishëm bashkimin e Luginës, jam zhgënjyer.” – ishte shprehur ajo në një emision.
Nuk dihet nëse qëndrimi i saj për çështjen ka ndryshuar, por emërimi si këshilltare e Kurtit jep indikacione të forta për një gjë të tillë. Në anën tjetër, Shqiprim Arifi - kryetari aktual i Preshevës - vazhdon të jetë mbështetës i kësaj ideje, megjithëse zëri i tij është margjinalizuar krejtësisht nga Qeveria Kurti II.
Aktualisht në Kosovë po diskutohet lidhur me Kornizën e Përgjithshme për Normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Qytetarët nga Presheva, Medvegja e Bujanovci kanë kërkuar vazhdimisht që të bëhen subjekt i bisedimeve në Bruksel, dhe i një marrëveshjeje potenciale përfundimtare.
Vetë kryeministri Kurti e ka pranuar se gjatë muajve gusht dhe shtator janë intensifikuar përpjekjet për marrëveshje përfundimtare, gjë që mund ta kuptimësojë edhe më shumë lëvizjen e tij të re për emërimin e znj. Sinani në pozitën e këshilltares.
Por, a do të jetë përfaqësim i drejtë Sinani i interesave dhe nevojave të Luginës apo thjesht një mjet ‘sundimi’ për banorët nga Kurti?

