Kurti i gjen ‘të meta’ fjalimit të Ramës: S’mund të flasësh për luftën në Kosovë, pa e adresuar krimin serb - NACIONALE

Kurti i gjen ‘të meta’ fjalimit të Ramës: S’mund të flasësh për luftën në Kosovë, pa e adresuar krimin serb

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Fillimisht tha se s’e ka dëgjuar, por më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dha disa deklarata shtesë në lidhje me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Këshillin e Evropës, i cili pati akuza për Asamblenë Parlamentare rreth raportit të Dick Martyt.

Fjalimi që u përshëndet nga opozita e opinioni publik, duket se nuk e ka kënaqur mjaftueshëm kryeministrin kosovar, i cili pati disa këshilla për kryeministrin Rama.

Kurti gjatë një konference për media, la të nënkuptohet se Rama, duke iu referuar “kushdo që flet në arenën ndërkombëtare”, do të duhej të kërkojë të trajtohet gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë dhe krimet e kryera nga Serbia.

“Mbi të gjitha, unë besoj që faktorët ndërkombëtar do të duhej të mobilizohen që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë të ndiqen dhe përgjegjësit e fajtorët të gjykohen e dënohen. Andaj kushdo që flet në arenën ndërkombëtare, do të duhej nga faktorët ndërkombëtar, ta trajtojë këtë çështje, pasi në Kosova ka ndodhur gjenocidi për ta ndalur të cilin ka intervenuar NATO-ja. Pra nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”, tha ai.

Çka tha tjetër Kurti?

Shefi i ekzekutivit të Kosovës në një konferencë për media me ambasadorin evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, foli edhe për Gjykatën Speciale, duke thënë se ende e ka qëndrimin e njëjtë si në vitin 2015, derisa tha se ky institucion nuk ka transparencë.

“Sa i përket Dhomave të Specializuara, brengën e shqetësimin tim, dhe kundërshtimin e kritikën e kam thënë qysh në pranverën e vitit 2015, kur u patën përgatitur amandamtimet kushtetuese. Nuk kam qëndrime të reja për këtë çështje, mund të them që Dhomat e Specializuara, nuk mund të lavdërohen për transparencë, së shpejti bëhen 2 vjet që kemi mbajtje në paraburgim pa një datë gjykimi”, tha ai.

Në lidhje me raportin e progresit të publikuar të mërkurën nga Komisioni Evropian, Kurti tha se ky është raporti i parë që përfshin periudhën një vjeçare të qeverisjes së tij.

“Sa i përket vitit që shkoi, vendi ynë ka shënuar progress në shumë fusha përkundër krizave globale me të cilat është përballë Kosova. Nga kriza e energjisë, deri te ajo e inflacioni. Raporti e përgëzon Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike”, ka thënë ai.

Krejt në fillim të deklarimit të tij, Kurti përmendi edhe Qeveritë e kaluara, duke thënë se ai bëri atë që u injorua nga ato.

“Stabiliteti është parakusht për reforma afatgjate prandaj edhe këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë rekomandime të BE-së, që u injoruan nga Qeveritë e kaluara, si shembull terminalet doganore private, nuk janë në haromoni me MSA-në, rekomandimi është bërë nga viti 2018. Vitin e kaluar e hapëm terminalin doganor në Mitrovicë, ndërkaq atë në Podujevë e kthyem në shtetëror. Do të kalojmë me hapjen e terminalit doganor në Vermicë”, ka thënë ai.

Kurti e ka përmendur edhe rritjen ekonomike, ku sërish tha se vitin e kaluar rritja ekonomike ishte prej 10.7 për qind.

“Vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10.7 për qind, kjo është më shumë se sa çdo vit tjetër në historinë e shtetit tonë, eksportet kanë qenë më të larta, sivjet janë mbi 20 për qind më të larta se vitin 2021”, tha ai.

Çështja e vizave nuk merr fund nesër

Shefi i Zyrës së BE-së, Tomas Szunyog foli në lidhje me liberalizimin e vizave, derisa grupet punuese të Këshillit të ministrave kanë mbajtur takim sot për këtë çështje, e do të vazhdojnë edhe nesër.

Ai para gazetarëve tha se Këshilli merr vendim nesër, por sido që të jetë, nuk është vendimi final.

“Kështu do të nënvizoja se kjo është një diskutim mes ekspertëve, i grupit punues. Nuk është takim, është grup i takimit. Sigurisht do të ketë diskutime dhe do të ketë progres diskutimi, në fund të ditës, është në Këshillin e Ministrave që do të marrë vendimin dhe ky është hapi i parë por nuk është vendim final, dhe nuk do të ndodhë nesër”, tha ai.

Sa i përket Raportit të Komisionit Evropian, ambasadori evropian kryesisht pati lëvdata për Kosovën por theksoi se Kosova duhet të bëjë proges në luftën kundër korrupsionit.

“Kosova ka bërë edhe në funksionim të ligjit. Në luftën kundër korrupsionit Kosova duhet të ketë rezultate konkrete”, tha ai.

Veç kësaj, ai tha se Kosova ka bërë progres ehde për të drejtat e njeriut, megjithatë, theksoi se furnizimi me energji mbetet brengë.

“Në agjendën e gjelbërt Kosova ka bërë progres të vogel, në sektorin energjetik. Furnizimi me energji është një brengë. Kemi parë shumë progres në disa fusha krahasuar me vitin e kaluar, për politikë sociale, edukimin, transportin e të tjerë”, theksoi Szunyog.

Lajme të ngjashme