Edi Rama hap grup në WhatsApp me 60 biznesmenë nga Kosova - Kurti 'incognito' në Greqi - NACIONALE

Edi Rama hap grup në WhatsApp me 60 biznesmenë nga Kosova - Kurti 'incognito' në Greqi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Para një muaji, Edi Rama do të mblidhte gazetarët kritikë kosovarë ndaj Albin Kurtit në një ndejë private në Gërmi. Para një nate, po i njëjti do të mblidhte biznesmenët kosovarë - të shpërfillur nga Kurti - duke e hapur edhe një grup të përbashkët në WhatsApp – derisa ky i fundit në mënyrë qesharake i mban ‘sekrete’ takimet që mbajti në Greqi. Çka duhet të dini?

Në Kosovë është thënë edhe nga ekspertë të ekonomisë se mbizotëron një klimë e fortë anti-biznes, që pamundëson zhvillimin e hovshëm të shumë veprimtarive biznesore por pamundëson edhe ardhjen e investimeve të huaja direkte.

Kjo si duket ka bërë që biznesmenët më të mëdhenj kosovarë të shqyrtojnë mundësitë që veprimtaritë biznesore t’i shtrijnë edhe në një shtet tjetër, që s’është edhe bash bash tjetër. Është fjala për Shqipërinë, ku kanë gjetur një lider politik miqësor ndaj biznesit si Edi Rama.

Ky i fundit, gjatë mbrëmjes së kaluar mblodhi në rezidencën shtetërore në Vlorë rreth 60 biznesmenë kosovarë.

Burime të gazetës Nacionale njoftojnë se ky takim ka pasur për qëllim ofrimin e një hapësire të madhe investimesh për biznesmenët në fjalë.

Njëri nga biznesmenët pjesëmarrës, thonë burimet, ka kërkuar që të hapej një Zyrë në Shqipëri për bizneset e Kosovës por kryeministri shqiptar ka pasur një ide tjetër.

Në mënyrë që bashkëpunimi të ishte sa më i afërt, dhe kërkesat e afaristëve kosovarë të plotësoheshin sa më shpejt, Edi Rama ka propozuar që të hapej një grup në rrjetin social WhatsApp e ku do të futeshin të gjithë që ishin prezentë aty, përfshirë edhe vetë kryeministrin.

Mes tjerash, kryeministri shqiptar iu ka ofruar atyre qasje edhe në investime në energji diellore, e për të cilën interesi është shumë i lartë në kohën kur po përballemi me një krizë të paprecedentë me energji.

Në anën tjetër, kjo qasje prioritetizuese me bizneset tingëllon relativisht e panjohur dhe e çuditshme në Kosovë, ku kryeministri Kurti ka pasur shpesh fjalor e edhe qasje armiqësore, por pas ardhjes në pushtet thjesht ka vendosur që të shpërfill kërkesat e tyre. Në takimin me Ramën, prezentë ishin edhe biznesmenët që i kishte shënjestruar nga Kurti më herët: Shkëlqim Devolli, Ekrem Lluka, Kujtim Bucaliu, Enis Idrizi, Arian Zeka (nga Oda Ekonomike Amerikane) e të tjerë.

Pikërisht gjatë ditës së djeshme, edhe kryeministri ynë do të njoftonte për një takim që kishte pasur, por me 30 biznesmenë nga Greqia.

Kurti kishte qëndruar në Greqi nga data 5 korrik e deri më 14 korrik, për të marrë pjesë në dy forume të ndryshme, edhe pse nuk dihet se ku ka qenë mes datave 7 dhe 10 korrik.

Ja deklarata absurde e bërë nga kryeministri i Kosovës në konferencën për medie të bërë dje:

“Kam qëndruar në Greqi në dy konferenca, në të njëjtin vend. Kam takuar afër 30 biznesmenë të ndryshëm, përveç diplomatëve, për çështjen e investimeve në Kosovë. Nuk kanë qenë të gjithë grekë. Përpjekjet më të mëdha që i bëj edhe jopublike janë në fushën e investimeve të huaja... Nëse i tregoj takimet, ndërhyjnë armiqtë,”

Në fakt, emrat e biznesmenëve dhe diplomatëve që morën pjesë në këto dy forume nuk ishin sekretë. Këta emra ishin publikuar nga vetë forumet në fjalë. Si duket, Kurti nuk është kujdesur që të shihte edhe në Internet vendin ku po merrte pjesë, prandaj patëm edhe joseriozitetin e radhës.

Më poshtë keni disa prej emrave që ishin pjesëmarrës, e për t'i parë të gjithë ju ftojmë të klikoni në vegëzën e paragrafit të mësipërm.

Por, çështja është jashtëzakonisht serioze sa i përket takimeve të Ramës me biznesmenët kosovarë. Tashmë, secili prej tyre – prej të cilëve, varen mijëra familje kosovare - do të ketë qasje të drejtpërdrejtë te vetë kryeministri i Shqipërisë, edhe më tej vend fqinj, derisa kryeministri i Kosovës vazhdon injorimin ndaj tyre.

Hapat e ndërmarrë nga Qeveria Kurti II në zbutjen e krizës ekonomike janë kritikuar dhe po kritikohen vazhdimisht nga opozita dhe shoqëria civile.

Kujtojmë që gjatë ditës së sotme, Ministria e Ekonomisë në Bashkëpunim me USAID-in, po organizojnë Forumin e Solareve.

Lajme të ngjashme