"Duam punë në shtet": A ka mendësi anti-biznes në Kosovë dhe çka po i frikëson investimet e jashtme?
Kosova është mes shteteve me popullsinë më të re në botë e megjithatë sillet sikur të ketë popullsinë më të vjetër në botë. Mungesa e perspektivës dhe sigurisë ekonomike kanë dështuar vazhdimisht të bëhen tema popullore, ashtu siç ka dështuar të popullarizohet strehimi i përballueshëm, kualifikimi i fuqisë punëtore dhe skema e prodhimit.
Në këtë mes, investimet e huaja direkte duken si një temë e rëndësishme që do të zgjonte potencialisht interesin edhe për temat e lartpërmendura. Por, këto investime të huaja duken përnjëmend të huaja për Kosovën. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse Berat Rukiqi – kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës [OEK] - më propozoi që ta ndërronim mbiemrin e tyre: nga investime të huaja direkte në investime të jashtme direkte.
E R A shtet
Gjatë vitit 2021, vlera e tyre ishte veç 485 milionë euro, prej të cilave shumica vinin nga blerja e banesave prej diasporës tonë. Për dallim prej nesh, në Serbinë me popullsi shumë më të vjetër (krahasuar me Kosovën) vlera e investimeve direkte nga jashtë ishte gati 4 miliardë.
Rëndësia e investimeve të jashtme direkte është e pamohueshme, ani pse ndoshta momentalisht e pakuptueshme edhe për rininë tonë.
“Investimet e huaja direkte, paraqesin faktor material me rëndësi të veçantë në zhvillimin ekonomik, sepse nëpërmjet avancimeve kapitale të tyre mundësohet ngritja e objektivave ekonomike, rritja e punësimit, rritja e prodhimit, ndryshimi i strukturës ekonomike etj. Madje, keto investime ekonominë e Kosovës e kyçin në proceset globale integruese ekonomike botërore, sjellin pajisje moderne, përvoja në organizim e menaxhim në punë etj.” – më tha profesori i Ekonomisë, Musa Limani.
Pra, a nuk është rritja e punësimit, rritja e prodhimit dhe ndryshimi i strukturës ekonomike disa prej kërkesave të menjëhershme të shoqërisë kosovare?
Mungesa e investimeve megjithatë ngre një numër të madh pyetjesh që nisin me “pse”.
“Pse nuk po vijnë investitorët në Kosovë?” – është e para, dhe më kryesorja. Mos pa dashje kemi krijuar një atmosferë të përgjithshme anti-biznes në Kosovë, si pasojë e mendësisë komuniste të krijuar përgjatë dekadave të kaluara në Jugosllavi?
Pse kaq shumë të rinj duan “një punë shteti”? Pse kaq shumë zhurmë për “subvencione nga shteti”? Pse kaq shumë hezitim për të hapur një biznes të ri? Pse kaq shumë kore denoncuese ndaj bizneseve dhe investitorëve të vjetër?
Kreu i OEK-ut, derisa elaboronte shkaqet e mungesës së investimeve të jashtme direkte dha një përgjigje ‘të brendshme’ direkte për këtë çështje:
“Nuk mund të anashkalohet edhe pjesa e mendësisë “postkomuniste” në vendin tonë. Kjo mendësi ka ndikuar që edhe politikat tona të jenë më shumë populliste dhe sociale dhe shumë më pak të targetuara në nxitjen e investimeve dhe fuqizimit të sektorit privat. Ekziston një mendësi e rrezikshme në shoqërinë tonë, e nxitur edhe nga politika, që sektori privat janë “hajna”, që po “grabisin resurset tona”, etj etj. Kjo mendësi ka ndikuar jashtëzakonisht për të keq edhe në politikat e arsimimit të të rinjve por edhe në orientimin e tyre në karrierë. Për dy dekada, çdo gjë sillet e pështillet rreth sektorit publik. Të rinjtë i injorojnë mundësitë e punësimit në sektorin privat. Ende kërkohet vende pune “me vendim” (siç ishte para viteve ’90), vullneti dhe motivi për t’u aftësuar dhe për të fituar shkathtësi të reja është minimal. Një fuqi punëtore e paaftë dhe pa shkathtësi është dekurajuese për çdo investitor.” – më tha z. Rukiqi.
E R A pashtet(ë)
Sidoqoftë, faktorët kryesorë të mungesës së investimeve të huaja direkte ndoshte duhen kërkuar tjetërkund dhe jo në armiqësinë e pakuptueshme shoqërore ndaj biznesit dhe investimeve.
Të ripërsërim më me ngulmim pyetjen: Pse nuk po vijnë investitorët?
“Argumenti i madhësisë së tregut, është përmendur shumë herë si arsye, por nëse e shohim trendin e investimeve të huaja në vitet e fundit, në nivel global, vërejmë që faktor shtytës për investime të huaja nuk është tregu (lokacioni) ku ndodhin investimet, por një varg faktorësh tjerë, që prodhimin e një produkti apo ofrimin e shërbimeve nga ai treg (lokacion) e mundësojnë të jetë më konkurrues, përkatësisht me kosto më të ulëta. Në anën tjetër, në disa raste është përmendur korrupsioni si pengues kryesor i investimeve të huaja. Nëse e shohim shkallën e investimeve në vendet fqinje, me pozicionim shumë më negativ në të gjitha raportet kredibile për korrupsionin, edhe ky argument pse nuk ka investime të huaja në Kosovë nuk është valid.” – tha z. Berat Rukiqi.
Udhëheqësi i Odës Ekonomike ndau me ne edhe përvojën e tij nga komunikimi i rregult që ka pasur me investitorë të jashtëm që ndodhen në Kosovë dhe ata që potencialisht mund të vijnë duke përmendur dy faktorë që e kanë bërë shtetin më të ri në Evropë si shtetin më jo-tërheqës, pra joseksi, për thithjen e investimeve:
“1. Imazhi i Kosovës në vende të ndryshme të botës perëndimore. Për Kosovën ekziston një perceptim shumë më negativ, se sa realiteti që e kemi. Shumë kompani apo vizitorë nga vende të ndryshme kanë ndryshuar perceptim, në momentin që e kanë pasur mundësinë të vizitojnë Kosovën. Kosova në guidat e ndryshme në vende të ndryshme, përfshirë edhe faqet zyrtare të shumë vendeve të BE-së, raportohet të jetë vend i krizave, vend me konflikt të ngrirë, vend fisnor, etj. Për më shumë, në mediume kredibile ndërkombëtare, në shumë raste portreti i Kosovës është tmerrësisht negativ, e për çudi në këto portretizime, në disa raste kontribut kanë dhënë edhe akterë nga Kosova.
2.Kosova perceptohet si një vend me risk të lartë politik dhe pasiguri juridike. Para së gjithash, ky lloj i riskut është i lidhur direkt për çështjet e hapura politike me Sebinë dhe mospërmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përkatësisht progresit minimal në rrugën e anëtarësimit në organizata të rëndësishme ndërkombëtare: OKB, BE, NATO etj. Nëse një kompani e huaj, dëshiron që investimin e vet në Kosovë ta financojë nga instrumente të ndryshme të tregjeve financiare, çmimi i financimit do të jetë i papërballueshëm për shkak të shkallës së rrezikut politik.“
E R A biznes
Çka duhet të bëjmë që të thithim më shumë investime të jashtme direkte?
Telashet politike – veçanërisht mosnjohja nga Serbia – nuk duket të jenë e nuk mund të jenë në duart e politikëbërësve të fushës së ekonomisë. Megjithatë, telashe të tjera është e mundur të zgjidhen, siç shpjegon profesori Musa Limani:
“Për tërheqjen e këtyre investmeve [të jashtme direkte], Kosova duhet të ofrojë: infrastrukurë ekonomike, rrymë stabile, rrugë troje, zona industriale etj; lehtësira në regjistrim, në politikën fiskale, garancion në kapital etj.; ta luftojë ekonominë informale, kontrabandën ekonomike, miton, korrupcionin, nepotizmin etj; mbi të gjitha duhet të ketë stabilitet politik dhe ekonomik, sepse investitorët e huaj nuk e avancojnë kapitalin e tyre, aty ku nuk ka stabilitet politik dhe ekonomik.”
Nëse investimet e jashtme direkte do të rriten dhe atmosfera anti-biznes në Kosovë do të ndalet me Qeverinë e re, mbetet të shihet. Sidoqoftë, shenjat e para që i marrin nga viti i parë qeverisës nuk duken aq shpresëdhënëse.