Abdixhiku thërret Kuvendin Zgjedhor më 30 korrik rreth iniciativës për shkarkimin e tij
Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se kanë thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm, pas kërkesës që u parashtrua me nënshkrime nga delegatët e Kuvendit.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së, do të mbahet me 30 korrik, ditë e enjte, një javë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Seancë kjo e thirrur nga U.D.Presidentja, Albulena Haxhiu.
LDK, ende nuk e ka saktësuar vendin se ku do të mbahet Kuvendi, por ka thënë se kjo do të bëhet e ditur së shpejti.
Komunikata e LDK-së:
KRYETARI I LDK-SË THËRRET KUVENDIN E JASHTËZAKONSHËM TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS
Lidhja Demokratike e Kosovës njofton opinionin publik dhe anëtarësinë e saj, se Kryetari i LDK-së, në ushtrim të kompetencave dhe detyrimeve të përcaktuara me Statutin e partisë, ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas përfundimit të procedurave statutare të verifikimit të kërkesës së paraqitur nga delegatët e Kuvendit.
Në funksion të garantimit të rregullsisë, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit, Sekretariati i Përgjithshëm i LDK-së ka kryer verifikimin e të gjitha nënshkrimeve të dorëzuara, në përputhje me dispozitat e Statutit.
Nga ky proces është konstatuar se është përmbushur kriteri statutar prej së paku një të tretës (1/3) të delegatëve të Kuvendit, të nevojshëm për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm.
Në zbatim të detyrimeve statutare dhe pa asnjë vonesë pas përfundimit të procesit të verifikimit, Kryetari i LDK-së ka vendosur që Kuvendi i Jashtëzakonshëm të mbahet të enjten, më 30 korrik 2026, me fillim nga ora 18:00.
Vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet e tjera organizative do t’u komunikohen delegatëve në përputhje me procedurat e përcaktuara nga Statuti.
Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar që i gjithë ky proces të zhvillohet në përputhje të plotë me Statutin e partisë, me parimet demokratike, transparencën institucionale dhe respektimin e vullnetit të delegatëve të Kuvendit.
ZYRA PËR INFORMIM
LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS
Konjufca: Takimi i Kurtit me Abdixhikun dhe Osmanin na ka bërë optimist, kishin vullnet më të madh
Glauk Konjufca, i dyti i Vetëvendosjes, tha se nga takimi i Albin Kurtit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe bashkëpunëtoren e tij politike, Vjosa Osmanin, e ka bërë partinë Vetëvendosje “optimiste” se mund të ketë zgjidhje për marrëveshje politike për zgjedhje të presidentit.
Ai tha se takimi i Kurtit me Abdixhikun dhe Osmanin ishte “i një natyre tjetër,” krahasuar me takimet pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar,
“Sa i përket LDK-së përshtypja jonë është që për dallim të herave të kaluara, kësaj here ka vullnet më të madh për ta tejkalkuar, gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga LDK. Opsionet që dalin në tavolinë janë në përpjestim me vullnetin dhe gatishmërinë. Edhe më shumë atëherë rritet opsionet. Për pozicione të ndryshe, përgjegjësi të ndryshms e si do të ndahen ato.
Prandaj tash çka mbetet është zhvillimet e brendshme në LDK. Natyrisht ata e kanë krejt autonominë e vet me vendos për gjërat e tyre të brendshme, ne s’jemi as t’i këshillojmë. Sepse ata ekzistojnë moti dhe dinë me i rregullu pujët e veta. E mua më duket që sa i përket bashkëpunimit, mu ka dukë që kësaj radhe ka pas një tjetër natyrë disjutimi prej herave të kaluara, na ka bërë më optimist që mund të gjejmë zgjidhje së shpejti,” tha Konjufca në konferencë për shtyp.
Nërkohë, zyrtarë të Vetëvendosjes kanë përjashtuar mundësinë e kandidimit të Vjosa Osmanit për Presidente. Arbërije Nagavci e Vigan Qorolli javën e kaluar janë shprehur se LVV, nuk e sheh Osmanin si kandidate të duhur për Presidente.