Kurti e nis deklarimin për raportin evropian duke sulmuar qeveritë e kaluara
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar në lidhje me Raportin e Progresit të publikuar sot nga viti Komisioni Evropian.
Kurti ka përmendur disa prej veprimeve të ndërmarra gjatë këtij viti, ku mes tjerash, tha se ky është raporti i parë që përfshin periudhën një vjeçare të qeverisjes së tij.
“Sa i përket vitit që shkoi, vendi ynë ka shënuar progress në shumë fusha përkundër krizave globale me të cilat është përballë Kosova. Nga kriza e energjisë, deri te ajo e inflacioni. Raporti e përgëzon Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike”, ka thënë ai.
Kurti diku në fillim të deklarimit të tij, përmend edhe Qeveritë e kaluara, duke thënë se ai bëri atë që u injorua nga ato.
“Stabiliteti është parakusht për reforma afatgjate prandaj edhe këtë vit janë ndërmarrë reforma që kanë qenë rekomandime të BE-së, që u injoruan nga Qeveritë e kaluara, si shembull terminalet doganore private, nuk janë në haromoni me MSA-në, rekomandimi është bërë nga viti 2018. Vitin e kaluar e hapëm terminalin doganor në Mitrovicë, ndërkaq atë në Podujevë e kthyem në shtetëror. Do të kalojmë me hapjen e terminalit doganor në Vermicë”, ka thënë ai.
Kurti tutje ka numëruar disa prej projektligjeve e ligjeve që janë miratuar gjatë këtij viti.
“Rregullorja e Kuvendit u miratua pas 12 viteve, ligji për financimin e partive kishte nisur në 2014, kishte hezitime, ne e miratuam sivjet. Ligji për ushqimin që rregullon cilësinë për kontrollin e ushqimit, u rekomandua në vitin 2012…Racionalizimi i agjencive është rekomanduar nga viti 2016”, tha ai.
Kurti tutje tha se është luftuar korrupsioni, derisa përmendi disa prej aksioneve dhe arrestimit të mbi dy mijë personave.
“Kemi rritur luftër kundër korrupsionit që deri tani ka rezultuar në më shumë se 780 aksione, mbi 2000 persona të arrestuar, afër 300 zyrtarë shtetësorë. 60 grupe kriminale janë shkatërruar, janë konfiskuar 1.7 ton drogë, janë mbyllur rrugët ilegale në veri të vendit. Qeverisja e mirë pa skandale e ka ngritur Kosovën në raporte ndërkombëtare”, tha ai.
Kurti e ka përmendur edhe rritjen ekonomike, ku sërish tha se vitin e kaluar rritja ekonomike ishte prej 10.7 për qind.
“Vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10.7 për qind, kjo është më shumë se sa çdo vit tjetër në historinë e shtetit tonë, eksportet kanë qenë më të larta, sivjet janë mbi 20 për qind më të larta se vitin 2021”, tha ai.
Nacionale do t’ju mbajë të informuar në lidhje me deklaratat e Kurtit dhe ambasadorit evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

