Arifi: Qeveria e Kosovës po përçan spektrin politik të Luginës së Preshevës - NACIONALE

Arifi: Qeveria e Kosovës po përçan spektrin politik të Luginës së Preshevës

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për përçarje të spektrit politik të Luginës së Preshevës. Ai ka thënë për gazetën Nacionale se qeveria po e bën këtë duke përdorur paratë e taksapaguesve të Kosovës.

Një aktivitet lobues për çështjen e Luginës së Preshevës në SHBA, i mbështetur nga Qeveria e Kosovës, është bërë sebep për përplasjen e liderëve politikë të shqiptarëve të Luginës.

Në këtë aktivitet, i cili është organizuar nga Washington International Affairs Institute dhe Liga Civile Shqiptaro-Amerikane në fund të muajit korrik, nuk kanë marrë pjesë të gjithë përfaqësuesit politikë të Luginës.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë për gazetën Nacionale se ai dhe disa përfaqësues të tjerë politikë qëllimshëm nuk janë ftuar në këtë aktivitet, ndërsa Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, ka treguar se agjenda për këtë aktivitet ishte bërë para se Arifi të marrë postin e të parit të Preshevës.

I pari i Preshevës, Shqiprim Arifi, është shprehur i bindur se në ftesat për pjesëmarrje në këtë aktivitet ka pasur gisht Qeveria e Kosovës.

Në këtë mënyrë, ai ka akuzuar ekzekutivin kosovar se me mjete të taksapaguesve kosovarë po përçan spektrin politik të Luginës.

Në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës është duke e përçarë spektrin politik në Luginë të Preshevës. Kjo po ndodh për herë të parë, sepse më herët kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Pra, për herë të parë qeveria publikisht dhe tash edhe materialisht vepron për të përçarë spektrin politik në Luginë dhe jo me i bashku”, ka thënë Arifi.

Sipas tij, këto aktivitete në SHBA janë shfrytëzuar vetëm për interesa personale të disa individëve.

Paraja publike e taksapaguesve të Kosovës ka shkuar në kanalet e fushatave personale të disa liderëve politikë, që në mënyrë selektive e kanë bërë këtë udhëtim, duke shkuar në një forum të parëndësishëm në Amerikë”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se mosftesa për zyrtarët e kësaj komune dhe disa figura të tjera, është bërë me direktiva të Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Nuk guxon me para të taksapaguesve të Kosovës me financu diçka për Luginë të Preshevës, e cila është selektive. Pra, këtu po punohet selektivisht dhe kjo po bëhet në direksione të Liburn Aliut. Ai zakonisht vetëm njerëzit e vet të Luginës i përkrah. Ky organizim që është bërë në SHBA është një farse, sepse kanë shkuar në një takim, i cili mbahet çdo vjet me ish-kongresistë. Pra, është forumi i ish-kongresistëve, ku është edhe DioGuardi, ajo kompani ndërlidhet edhe me Faton Bislimin, i cili nuk ka ndonjë ndikim politik. Këta e kanë përdorur këtë më shumë për fushatë personale, sesa që e kanë përdorur për sensibilizimin e ndonjë çështjeje për Luginën”, ka thënë Arifi.

Ai ka hedhur dyshime nëse për ato ditë të qëndrimit në SHBA janë harxhuar 50 mijë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës.

“Kjo nuk është dashur të ndodhë, sepse janë në pyetje 50 mijë euro dhe nuk besoj se kushton 50 mijë me shku katër ditë në Amerikë. Së dyti, kanë shkuar vetëm njerëz të cilët kanë marrëdhënie të mira me Liburnin, të cilat ai i ka përkrahur sa kanë qenë në pushtetin e kaluar dhe i ka përkrahur në momente për mos me ra nga pushteti i kaluar”, është ai.

Mustafi mohon pretendimet e Arifit

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, ka mohuar pretendimet e kryetarit të Preshevës.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale se në këtë aktivitet kanë marrë pjesë përfaqësuesit e institucioneve.

“Projekti i lobimit për Luginë të Preshevës ka qenë para se z. Arifi me qenë kryetar i Komunës së Preshevës. Ai aktivitet është bërë në bashkëpunim me Washington International Affairs Institute, e cila ka shkuar përmes Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane e mbështetur nga Qeveria e Kosovës. Agjenda është bërë shumë më herët se kur janë realizuar takimet. Në atë kohë Ardita Sinani ka qenë kryetare e komunës, Ragim Mustafa ka qenë zëvendëskryetar i komunës, Shaip Kamberi ka qenë deputet popullor, kurse Nagip Arifi ka qenë kryetar i Komunës së Bujanocit. Pra, kur është bërë ky projekt, që është pjesë e një projekti më të madh, është bërë për udhëheqësit e institucioneve për të bërë fushatë për senzibilizimin e çështjes së Luginës së Preshevës. Realizimi i këtij projekti ka ndodhur para turbulencave politike në Preshevë, ku ka ndryshuar pushteti dhe ka ardhur në pushtet Shqiprim Arifi”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se pas ndryshimit të pushtetit në Preshevë nuk ka mundur të ndryshohen pjesëmarrësit në këto aktivitete.

Me qenë në Ballkan e ndryshon agjendën. Sepse kjo nuk ka qenë diçka ad-hoc. Por, ka qenë e mirëmenduar dhe mirë e planifikuar. Problemi i vetëm ka qenë turbulenca politike që ka ndodhur në Preshevë dhe ashtu ka mbetur agjenda”, është shprehur ai.

Mustafi ka thënë se Arifi nuk mund ta dijë se a janë harxhuar të gjitha paratë.

Nuk i di ai detajet. Këto çështje shkojnë me projekte serioze të cilat janë të menduara mirë. Sepse kjo ka të bëjë me ndërkombëtarizimin e çështjes se Luginës se Preshevës. Ne me Qeverinë e Kosovës dhe Ligën Civile Shqiptare-Amerikane të DioGuardit e kemi përcaktuar se Uashingtoni është i rëndësishëm në këtë moment për të kërkuar ndihmë për zgjidhjen e çështjes së Luginës së Preshevës”, ka thënë ai.

Bislimi thotë se paratë janë shpenzuar për akomodim

Gazeta ka kontaktuar edhe ish-deputetin e LDK-së, Faton Bislimi, i cili ka marrë pjesë në këto takime.

Ai ka thënë për Nacionalen se për lobim nuk është harxhuar asnjë cent i parave që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës.

Sipas tij, paratë e ndara nga qeveria janë përdorur vetëm për akomodim.

“Së pari, keni parasysh se udhëtimi i delegacionit të Luginës në SHBA është financuar nga Qeveria e Kosovës. Domethënë aviobiletat, akomodimi dhe pansioni, transporti brenda SHBA-ve, domethënë çështjet logjistike. Nuk ka pasë asnjë pagesë për lobim, ngase aranzhimi i aktiviteteve dhe takimeve të nivelit jashtëzakonisht të lartë e të rëndësishëm për delegacionin e Luginës është bërë nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen e Joe DioGuardit e Shirley Cloyes DioGuardit”, ka thënë Bislimi.

Ai ka thënë se gjatë vizitës vetëm ka shoqëruar delegacionin e shqiptarëve të Luginës.

“Në emër të Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, unë kam shoqëruar delegacionin gjatë kësaj vizite në secilin takim. Realisht, kjo vizitë e tyre në SHBA është veçse vazhdimësi e punës sime direkte me liderët shqiptarë në Luginë dhe për kauzën e Luginës tash e dy dekada gati, përmes Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane”, ka thënë ai, duke shtuar:

Ne do ta vazhdojmë këtë punë, ngase besojmë se është jetike për kauzën tonë kombëtare. Sa më parë që edhe Tirana edhe Prishtina zyrtare e kuptojnë sa jetike është çështja e Luginës dhe sa esencial është roli i lobit tonë në SHBA, Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në këtë drejtim, aq më shumë sukses do të mund te arrihet për zgjidhjen e kësaj çështjeje me barrë historike për kombin shqiptar.”

Me qëllim të përkrahjes së kauzës politike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, më 1 qershor, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 50.000 euro në mbështetje të aktiviteteve lobuese të përfaqësuesve shqiptarë atje.

Lajme të ngjashme