Në hall me pasivizimin e adresave, askush s`dëgjon ankesat e Luginës - NACIONALE

Në hall me pasivizimin e adresave, askush s`dëgjon ankesat e Luginës

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Pasivizimi i adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga autoritet e Serbisë ka marrë përmasat shqetësuese. Zgjedhjet e fundit nacionale në këtë shtet, të cilat u mbajtën me 3 prill, nxorën në pah dëmin që është bërë nga ky proces diskriminues.

Për shkak këtij spastrimi etnik të heshtur, rreth 6 mijë shqiptarë nuk arritën ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.

Ankesat për këtë hall janë drejtuar në shumë dyer, por ato po hasin në vesh të shurdhër.

Përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës kanë thënë për gazetën Nacionale se me shqetësimin e tyre nuk janë marrë as Kosova dhe as Shqipëria.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka treguar se për këtë problem kanë njoftuar të gjitha instancat ndërkombëtare, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“‘Përdorimi i mjeteve administrative për spastrim etnik’ siç e ka quajtur Komiteti i Helsinkit në Beograd apo spastrimi etnik i heshtur i shqiptarëve me mjete jo lufte, apo thjeshtë pasivizimi i vendbanimit apo vendqëndrimit, e kemi paraqitur qoftë në takime, qoftë përmes raporteve edhe qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë. Gjithashtu kemi njoftuar të gjitha institucionet ndërkombëtare si dhe të gjitha institucionet evropiane me raporte të veçanta. Por jemi ku jemi”, ka thënë Mustafi për Nacionalen.

Ai ka treguar se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm përmes procesit të dialogut Kosovë-Serbi, i cili po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

“Një duhet kuptuar Lugina e Preshevës është problem politikë dhe nuk është as ekonomik e social. Është konflikt latent, është konflikt që nuk ka marrë fund me marrëveshjen e Konçulit. Është pjesë e kontekstit Kosovë – Serbi dhe në këtë mënyrë duhet edhe gjetur zgjidhja”, ka thënë Mustafi.

Edhe kryetari i Alternativës për Ndryshim, Shqiprim Arifi, ka treguar se kjo kërkesë po injorohet nga të gjitha strukturat kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Për këtë çështje i kemi njoftuar në formë verbale dhe në formë të shkruar qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë. Gjithashtu e kemi njoftuar edhe BE-në. Kemi pas euro-deputet në vizitë në Preshevë, ku i kemi njoftuar dirkt për situatë. Janë të njoftuar edhe institucioni si OSBE-ja, që munitoron situatën në mënyrë të përditshme. Pra, të gjithë janë të informuar, por nuk kemi marrë përgjigje nga askush për këtë çështje”, ka thënë Arifi për Nacionalen.

Ai ka kritikuar institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë që nuk janë marrë me këtë çështje. “Është një letargji qeverisëse në Kosovë dhe Tiranë ndaj probleme të Luginës së Preshevës që neve po na kushton shumë. Kjo na kushton aq shumë sa dhe mbijetesën e kemi të rrezikuar. Unë me vite jam duke e lansuar këtë çështje që qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë të jenë me prezentë këtu me neve”, ka thënë Arifi.

Heshtja e vendbanimeve ndikoi në rezultatin e dobët në zgjedhje

Efektet e para nga procesi i heshtjes së vendbanimeve në Luginë janë vërejtur në zgjedhjet e fundit nacionale. Më 3 prill, mijëra shqiptarë nuk kanë mundur ta gjejnë emrin e tyre në listën e votuese për ta ushtruar të drejtën e tyre të votës.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, ka treguar se në listën unike zgjedhore në Luginën e Preshevës janë të regjistruar mbi 60 mijë votues shqiptar, ndërsa dalja në zgjedhje ka qenë vetëm 15 për qind. “Sigurisht ne mos daje ka ndikuar pasivizimi i adresave që ka ndryshuar përbërjen e strukturës etnike të popullsisë, por migracioni në perendim dhe shqiptarët që jetojnë në Kosovë është shumë fish më i madh i të cilëve nuk kanë shpreh interesim për këto zgjedhje. Gjithashtu edhe hapësira e dhënë në disa mediat e Kosovës disa ‘infatiave politikë’ që vazhdimisht kanë agjendë të pakuptueshme duke akuzuar fajësuar shqiptarët dhe partitë e tyre”, ka thënë Mustafi.

Pasivizimi i adresave dhe ndarja e subjekteve politike shqiptare në dy lista zgjedhore ka ndikuar që shqiptarët në këto zgjedhje të mos fitojnë asnjë deputet në Parlamentin e Serbisë. Në zgjedhjet e vitit 2020, kur subjektet politike shqiptare ishin bashkuar në një listë zgjedhore, kishin fituar tri mandate.

Kosova shprehet e shqetësuar

Çështja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Preshevë, Metvegjë dhe Bujanoc shpeshherë zihet në gojë edhe nga liderët institucionalë të Kosovës. Por, ata nuk janë marrë seriozisht ndonjëherë me këtë shqetësim.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ky është një spastrim etnik që po bën Serbia atje. “Shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc iu është bërë një padrejtësi e madhe meqenëse rreth 6 mijë vetave atje u janë pasivizuar adresat duke i diskriminuar mbi baza kombëtare. Po ndodhë një lloj spastrimi etnik, administrativ e burokratik i heshtur e i ftohtë e megjithatë me pasoja shumë të rënda, dhe unë besoj që rezultati jo i kënaqshëm i këtyre zgjedhjeve për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc vjen edhe për shkak të këtij spastrimi të heshtur që po iu bëhet atyre atje me metoda joluftarake kësaj radhe por administrative e burokratike”, ka deklaruar Kurti.

Pas zgjedhjeve në Serbi, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke shprehur shqetësimin e saj për mospjesëmarrjen e mijëra shqiptarëve të Luginës së Preshevës në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të Serbisë.

“Sipas raportimeve, 6,000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar, për shkak të fushatës së qëllimshme të spastrimit etnik përmes pasivizimit me mjete administrative”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në “Twitter”.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi vitin e kaluar ka nxjerr një raport, i cili pasivizimin e adresave e ka cilësuar “formë e spastrimit etnik përmes mjeteve administrative”.

“Kur adresa e përhershme e banimit ‘pasivizohet’ dhe hiqet nga libri amzë në Serbi, ai person praktikisht pushon së ekzistuari. Ata nuk mund të rinovojnë letërnjoftimin ose pasaportën e skaduar, të regjistrojnë makinën, të kenë qasje në kujdesin shëndetësor ose shërbime sociale, të blejnë ose shesin prona, ose të votojnë në zgjedhjet lokale ose të përgjithshme”, është thënë në këtë raport.

Në shenjë pakënaqësi ndaj autoriteteve serbe, shqiptarët e Luginës e kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë, i cili ishte organizuar në vitin 2011.

Për këtë arsyeje ende nuk dihet numri i saktë i shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Lajme të ngjashme