Shqiptarët e Luginës gati për zgjedhjet në Serbi, të ndarë synojnë tri mandate - NACIONALE

Shqiptarët e Luginës gati për zgjedhjet në Serbi, të ndarë synojnë tri mandate

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy listat zgjedhore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë bërë gati për zgjedhjet në Serbi, të cilat do të mbahen nesër.

Udhëheqësit e partive politike iu kanë bërë thirrje votuesve të tyre që të dalin në numër sa më të madh në këto zgjedhje.

Gjatë fushatës zgjedhore, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës dhe Alternativa për Ndryshim kanë prezantuar kandidatët për deputetë dhe ofertën e tyre për shqiptarët e Luginës.

Subjektet politike kanë fajësuar njëra-tjetrën për mos unifikim në një listë zgjedhore, siç kishin vepruar në zgjedhjet e kaluara.

Në adresimet e tyre të fundit, liderët e listave zgjedhore kanë bërë me dije se synimet i kanë për tri mandate në Kuvendin e Serbisë.

Kryetari i “Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës”, Shaip Kamberi, në takimin përmbyllës të fushatës zgjedhore, ka thënë se këto zgjedhje janë në të mirën e përgjithshme të shqiptarëve. “Presheva, Bujanoci dhe Medvegja janë Luginë. Ato shkojnë bashkë e na bashkojnë edhe ne. Për Luginën jemi bashkuar. Për shqiptarët bashkë jemi rreshtuar. Jo për deputet si numër po për përfaqësim si orientim politik. Jo për një por për 3 e më shumë deputet. Për dinjitet si shqiptarë. Për të mirën e përgjithshme. Për secilin prej nesh e për secilin prej jush. Jemi këtu sonte për ta përmbyllur aktivitetin tonë parazgjedhorë e për të folur se sa i rëndësishëm do të jetë përfaqësimi jonë nesër. Jemi këtu para çdo vendbanimi të Luginës së Preshevës që secili në vete, në mënyra të ndryshme e në kohë të caktuar ka qenë ose po vazhdon të jetë i diskriminuar”, ka thënë ai.

Ai ka bërë me dije se vendbanimet e Medvegjës po pasivizohen masovikisht, kurse ato të Bujanocit e Preshevës po diskriminohen skajshmërisht. “Jemi këtu për të kërkuar përkrahjen e gjithësecilit sot për ta përfaqësuar secilin prej jush nesër. Edhe qytetarin e pasivizuar. Edhe studentin e diplomuar, diploma e të cilit nuk njihet. Edhe shqiptarët e kualifikuar për vende pune por që punë nuk na ofron Beogradi dot. Jemi këtu për ta kërkuar besimin tuaj që të vazhdojmë betejën tonë të përbashkët për liri e barazi”, ka thënë ai, duke tregua se çka iu duhet shqiptarëve të Luginës. “Neve nuk na duhen disa pozita të parëndësishme në Beograd, neve na duhet përfaqësim i barabartë në Bujanoc, Preshevë e Medvegjë. Ne na duhet perspektivë për të rinjtë e zhvillim ekonomik për vendin. Mënyra se si disa e shikojnë problemin është vet problemi. Ata po presin raste të jashtëzakonshme për të bërë veprat të mira e ne po mendojmë që veprat e mira duhet të jenë pjesë e veprimeve të zakonshme. Sepse të mirat ia kemi borxh qytetarit tonë. Atyre që na kanë përkrahur dhe po vazhdojnë të na përkrahin”, ka thënë ai.

Edhe lideri i Alternativës për Ndryshim, Shqiperim Arifi, ka thënë se shqiptarët e Luginës duhet t’’i besojnë subjektit të tij politik. “Dita e 3-të e muajit Prill, shënon mbajtjen e Zgjedhjeve Parlamentare në Serbi. Me këtë rast ju ftoj të gjithëve pa dallim, kudo ku luginasit janë të shpërndarë, ta shfrytëzojnë mundësinë e votës. Me anë të votës shprehim fuqinë e vetme që na bën të pandalshëm në përballimin e pengesave dhe problematikave si komunitet. Populli qëndron përpara çdo politike dhe ne besojmë në vullnetin e lirë të tij”, ka thënë ai.

Arifi ka thënë se subjekti i tij politik në zgjedhjet e 3 prillit konkurron me ide të qarta. “Falënderim dhe mirënjohje të gjithë juve për mbështetjen që na keni dhënë këto ditë, në çdo takim që kemi zhvilluar bashkë. Faleminderit nga zemra, për të gjithë ata që do të rreshtohen pas numrit 15, për mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe për realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, ka thënë Arifi.

Zgjedhjet e vitit 2020 në Serbi kanë qenë të parat dhe ndoshta do të jenë të vetmet që subjektet politike shqiptare të Lagunës së Preshevës kanë qenë të unifikuar në një listë zgjedhore.

Kurse kësaj here përfaqësuesit e këtyre partive kanë harruar problemet me Serbinë, duke u fokusuar në interesat e tyre të ngushta.

Në këtë mënyrë këto subjekte, kanë shkelur marrëveshjen e Tiranës, ku në vitin 2020 kishin nënshkruar një dokument për një listë të përbashkët shqiptare.

Përfaqësuesit e dy kampeve politike kanë fajësuar njëri-tjetrin për mos respektimin e kësaj marrëveshje.

“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” përbehet nga Partia për Veprim Demokratik, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes për Progres Demokratik. Kurse, Alternativa për Ndryshim është bërë bashkë me Lëvizjen për Reforma. Këto subjekte në këto zgjedhje do të konkurrojnë me gjithsej 20 kandidatë.

Kosova ka refuzuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e saj

Në muajin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka refuzuar propozimin e vendeve të QUINT-it për lejimin e mbajtjes se zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte deklaruar se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. “Ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”, ishte thënë në komunikatën e Qeverisë pas refuzimit të propozimit të vendeve të QUINT-it.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës nuk ishte pritur mirë nga aleatët perëndimor të Kosovës.

Përmes një deklarate të përbashkët, Qeveritë e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe SHBA-së kanë shprehur zhgënjimin e tyre me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovës. “Ne e pranojmë se është e drejtë e Qeverisë së Kosovës që të vendosë nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. Ndonëse e vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga QUINT-i. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare. Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do t’i cenojë aspiratat e tyre evropiane”, është thënë në deklaratën e vendeve të QUINT-it.

Kjo deklaratë po vlerësohet si më qortueset që këto vende kanë lëshuar për institucionet e Kosovës. Refuzimi i Qeverisë së Kosovës për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë, ka nxitur reagime të shumta te serbët e Kosovës dhe zyrtarët më të lartë të Serbisë.

Në shenjë të pakënaqësisë, ata javën e kaluar kanë organizuar protesta në Mitrovicë të Veriut, Graçanicë dhe Shtërpcë.

Lajme të ngjashme