Dita e flamurit me shqiponjen e gabuar: Prej shesheve të Prishtinës deri në Kuvendin e Shqipërisë - NACIONALE

Dita e flamurit me shqiponjen e gabuar: Prej shesheve të Prishtinës deri në Kuvendin e Shqipërisë

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Sigurisht ju kujtohet filmi ose vepra e famshme e shkrimtarit Ernest Koliqi, e titulluar “Tregtar flamujsh”, një përmbledhje me 16 tregime. Nëse nuk u kujtohet, vepra flet për dy karaktere, Hilushi që udhëheqet nga idealet kurse Gasperi nga vlerat materiale, pra paraja.

Pikërisht paraja, është elementi kryesor për shumë “tregtar flamujsh” në Kosovë e Shqipëri për çdo 28 nëntor. Qindra-mijëra flamuj shiten e blihen për t’u vendosur në të gjitha hapësirat. Dikush e vendosë në kulmin e shtëpisë, bizneset në dritaret e dyqaneve të tyre, shteti nëpër sheshe e brenda institucioneve.

Në pamje të parë, duket se krejt flamujt janë të njëjtë. Ngjyra e kuqe dhe e zeza e shqiponjës ta japin një përshtypje se flamujt duken të gjithë njëjtë. Çdo 28 nëntor dalin lajme sesi flamujt kanë gabime, sidomos në mënyrën sesi është dizajnuar shqiponja dykrenare.

Kjo kishte ndodhur pikërisht për shkak të “tregtarëve të flamujve” të cilët dërgojnë për të shtypur dizajne të ndryshme. Kështu që mëngjesin e së hënës, dola nëpër qytet për të parë nëse kjo po ndodhë edhe sivjet:

Prishtinë, 28 nëntor 2022

Gjendja e qetë në trafik, në kontrast me të hënat e zakonshme kur veturat vetëm sa nuk fillojnë të vlojnë nga dendësia në komunikacion, është një veçori tjetër çka po e bën këtë të hënë 28 nëntori më relaksusese se të tjerat.

Përveç aspektve pozitive, dita e 28 nëntorit bie në sy edhe për degradimet e dhimbshme që i bëhen flamurit.

Fotografi i Nacionales, Visar Kadrolli ka bërë disa shkrepje nga lokacione të ndryshme të Prishtinës ku ka vënë re probleme me flamujt e paraqitur.

Shikoni këtë më poshtë përshembull.

A është gjuhë ajo apo nofull apo flakë nga goja pa nofull... duhet të ketë qenë e paqartë edhe për krijuesin, sigurisht.

Shpat Komoni, dizajner grafik, thotë se gabimet e tilla janë të dhimbshme të shikohen.

Në një bashkëbisedim ai po më tregonte si këto gabime mund të vijnë si rezultat i prodhimit të flamujve nëpër shtete tjera, derisa shton se "dikush mund ta bëjë këtë devijim të shqiponjës për qëllime tjera" dhe se "institucionet dhe individët mund të jenë laikë në këtë fushe dhe ndodh që nuk e vërejnë".

Ndërkohë, qe një qytetar i thjesht dhe i përgjegjshëm që ka vendosur flaumrin pa gabime në ballkon.

Përveç te gjuha, Komoni potencon se gabimet mund të vërehen edhe në konstruktin trupor të shqiponjës, derisa shqiponja origjinale në flamur duhet të ketë kthesë katrore e jo rrethore siç është në plot prodhime flamujsh.

Një rast i tillë vërehet edhe në mbledhjen e dy kuvendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës së fundmi, për nder të 110 vjetorit të Pavarësisë.

Komoni thotë se flamuri në të djathtë të fotos më lart është gabim, ndërsa në të majtë është ashtu si duhet të jetë. Edhe pse këtu, natyrisht, nuk ka gabime te gjuha e shqiponjës, kemi diskrepancë mes dy flamujve sa i përket konstruktit trupor të shqiponjës.

Te fotoja në majtë, shqiponja është korrekte – gjithnjë sipas Komonit – ndërsa në të djathtë është gabimisht e paraqitur, për shkak të konstruktit të paraqitur me kthesë rrethore.

Edhe vargjet “rreth flamurit të përbashkuar/ Me një dëshirë e një qëllim”, në shoqërinë e një flamuri të tillë i japin një shije të hidhur himnit gati të shenjtë për popullin shqiptar.

Lajme të ngjashme