Përdorimi i fjalës “habibi” nëpër këngë duhet të ndalohet me dekret shtetëror – Kida, lexoje me kujdes - NACIONALE

Përdorimi i fjalës “habibi” nëpër këngë duhet të ndalohet me dekret shtetëror – Kida, lexoje me kujdes

4 muaj më parë

nga Burim Pacolli

Mediokriteti s’ka brirë. E, megjithatë, duhet të dalë dikush e t’ia nxjerrë brirët në mënyrë që ta dallojmë prej larg. Në një univers paralel, në të cilin vendimet politike do të ishin në duar të një recensenti muzikor me tendenca autoritare, përdorimi i fjalës “habibi” nëpër këngë gjatë periudhës së nxehtë do të ndalohej me dekret shtetëror.

Arsyetimi mund të ishte se shkakton aq shumë siklet, sa ky siklet i tepërt pastaj e rrezikon krejt sistemin nervor. Rrezikon që ta zhbalancojë dopaminën që futet në trurin e mesëm, e të na fusë edhe në depresion.

Një tjetër ajkë mediokriteti nga Kida që vjen në formën e “Ya Habibi”-t.

Nivel suprem patetizmi.

Për të qenë i sinqertë, më shumë se politikisht korrekt, kënga e re e artistes, “Ya Habibi” (sikur përdorimi i saj të mos mjaftonte vetëm në këngë, u cilësua ide e mirë që të përfshihej edhe në titull), e vazhdon trendin famëkeq të mungesës së logjikës së asaj që thuhet në raport me atë që shihet. Jo se ajo çka thuhet detyrimisht ka kuptim, e ndarë nga ajo çka shihet.

Normalisht, është ajo periudhë e vitit.

“Ya Habibi” i ngërthen në vete të gjitha elementet që i përçmoj në një këngë. Filluar nga instrumentali i pafrymëzuar e nonshalant në tinguj, te teksti përtac, duke mos e lënë anash disponimin e plogështisë dhe zbrazëtisë që të shërbehet si me detyrim, pasi t’i kesh kaluar tre minutat që e miklojnë me kujdes e durim irritimin. Të bën që të mendosh për ndjesitë e 2,2 milionë shikuesve/dëgjuesve që kanë klikuar.

Thjesht një “jo - jo” e madhe, e shkruar me germa neoni, me përmasa Thanosi, mbi të.

“Ani bre ani,

Se nashta shihemi tani.

E rrej veten, s’po ma ninë.

Për ty mu hiç nuk ma ninë.”

Katër rreshta potentë, të ndarë nga teksti, por që pështyjnë mbi intelektin e asaj që interpreton dhe katër personave që i janë atribuuar kredencialet e thurjes së tekstit.

Fillim e fund rrëmujë e vërtetë, e cila të lë të përhumbur në shtegtime imagjinate për atë se çka realisht ka mundur të jetë, nëse gjithë të përfshirët në këtë projekt do të pushtoheshin nga elementi i kompetencës.

Lajme të ngjashme