Deputet Meta kërkoi postin e ministrit të Shëndetësisë për Guxo, të tjerët 's'guxojnë'
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje nga lista ‘Guxo’, Burim Meta nuk vonoi shumë në reagimin e tij pas dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi. Por, ky kërkoi që kjo pozitë, tani t’i takojë partisë së tij, e cila ka dy kryetarë, Donika Gërvallën e Faton Pecin.
Për here të tretë, Albin Kurti për një kohë të shkurtër po detyrohet që të gjejë një ministër të ri të Shëndetësisë, pasi Rifat Latifi sot dha dorëheqje.
Deputet Meta kërkues, të tjerët "s’guxojnë"
Burim Meta përveç që zgjodhi rrjetin social Facebook, të ngris pikëypyetje rreth asaj se “edhe sa ministra të Shëndetësisë duhet të ndërrohen, që ky pozicion t’i takojë GUXO-s?”, foli edhe në një emision.
Meta në Info10 i bëri thirrje publikisht kryeministrit Kurti që të diskutojë me Gërvallën e Pecin, para se të vendosë për ministrin e ri të këtij institucioni.
“Besoj shumë që partia Guxo në shëndetësi me kapacitet e saj, do të ndihmojë shumë në këtë sektor. Ne të gjithë mund ta përkrahim edhe doktor Avdylin që të menaxhoj me ministrin e Shëndetësisë. Pavarësisht emri, pse duhet të diskutohet edhe me ne, është se aktualisht është pozicionin më i rëndësishëm i Qeverisë Kurti2”, tha ai.
Por të tjerë eksponentë të listës ‘Guxo’, po qëndrojnë të rezervuar rreth kësaj çështje, duke mos pranuar që të flasin.
Nacionale e ka kontaktuar deputetin Haxhi Avdyli, i cili me profesion është neurokirurg, për ta pyetur rreth kësaj çështje dhe për mundësinë që ai të propozohet për këtë pozitë.
Sidoqoftë, ky nuk ka pranuar të flasë edhe pse i ka lexuar fjalët sapo ka parë pyetjet.
Kryetari Faton Peci, i cili mban postin e Ministrit të Bujqësisë, nuk ka qenë i qasshëm pavarësisht se e kemi kontaktuar disa herë.
Ndërkaq, deputetja tjetër e kësaj partie, Jeta Statovci e cila së fundi u zgjodh kryetare e degës në Prishtinë, me t’i treguar se po e telefonojmë nga një medium, na tha se nuk mund të flasë aktualisht.
“Jom pak nxanë për momentin, që ka mundësi me më kontaktu më vonë”, i tha Statovci gazetës Nacionale.
As një vit ministër
Rifat Latifi e mori pozitën e ministrit të Shëndetësisë në nëntor të vitit 2021, e që rrjedhimisht, nuk e ka mbajtur postin as për një vit të plotë.
Puna e tij u përcoll me kritika të shumta pasi që nuk ka realizuar thuajse asnjë prej zotimeve të tij.
Vizitat e shumta jashtë vendit irrituan opinionin publik, gjë për të cilën edhe ishte talluar, duke u konsideruar si “Ministër i Jashtëm”.
Latifi në gjashtë muajt e parë të punës së tij si minstër, udhëtoi plot gjashtë herë jashtë vendit.
SHBA-ja ishte një prej destinacioneve që ai e vizitoi më së shumti, atje ku ka jetuar për një kohë të gjatë, megjithatë, shkoi edhe në Shqipëri, Turqi e Norvegji.
Veç kësaj, Latifi jorrallëherë ka dhënë deklarata të çuditshme në opinion, si ajo që nënkuptoi se mjekësia mund të rregullohet për 5-10 vitet e ardhshme.
“Ata që më kritikojnë e kanë të drejtën e vet, për atë jemi në demokraci, mund të flasin çka të duan, por unë ju kisha lutur që të keni pak ma durim se mjekësia nuk bëhet brenda natës dhe s’do të bëhet as brenda këtij viti e as brenda vitit të ardhshëm. Unë po flas brenda 5-10 viteve të ardhshme që t’i keni strukturat tona, me qenë pjesë e botës, deri atëherë na duhet të shkojmë jashtë, ose t’i marrim ata jashtë të na ndihmojnë neve”, kishte thënë Latifi në një konferencë për media.
Kritikat për Latifin ishin kulmuese kur u krijua Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, e kryetar u zgjodh Albin Kurti, pra kryeministri i vendit që s’e ka as profesion mjeksinë.
Siç komentohej në opinionin publik, një përgjegjësi që do të duhej ta merrte Latifi, e mori Kurti. Opozita madje, vlerësonte se ky veprim përbën ndërhyrje të Kurtit në kompetencat e ministrit të tij.





