Ministri Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje - NACIONALE

Ministri Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qeveria Kurti II mund të jetë në proces të menduarit për ministrin e tretë të Shëndetësisë në pak vjet. Kjo për shkak të zhvillimit të fundit në këtë dikaster, që thotë se ministri Rifat Latifi ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij.

Gazetari Ermal Panduri ka bërë një status në profilin e tij në Facebook minuta më parë duke u shprehur se “Ministri i Shëndetësisë ka dhënë dorëheqje!”

Në këto pak fjalë, z. Panduri nuk kishte vënë asnjë figurë (emoji) në të cilin do të nënkuptohej se ky informacion ishte sarkastik apo i ndonjë natyre tjetër.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me kabinetin e ministrit Rifat Latifi, por të cilët deri në këto momente nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Në anën tjetër, Nacionalja ka kontaktuar edhe gazetarin Ermal Panduri, i cili tha se informacionin e kishte nga “brenda kabinetit të ministrit Latifi”.

Nëse një gjë të tillë konfirmohet, kjo do të nënkuptonte se ministër Latifi kishte qenë në detyrë për më pak se një vit (ai ishte emëruar më 16 nëntor 2021).

“Reforma në shëndetësi fillon nga kreu i saj,”komentoi lajmin analisti Gazmir Raci që njihet për qëndrimet më pak kritike ndaj Qeverisë Kurti II.

Latifi ka qenë mes ministrave më të kritikuar të Qeverisë Kurti II për shkak të shumë udhëtimeve dhe (sic.) pak punëve të kryera përgjatë kësaj periudhe sa ishte në pushtet.

Ai këtyre kritikave iu është përgjigjur duke thënë se vyen kohë për zgjidhjen e problemeve të trashëguara.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi kishte formuar edhe një Komision Ekzekutiv për Shëndetësi në mënyrë që të adresonte në formë më të menjëhershme problemet në sektorin e shëndetësisë. Opozita këtë veprim e kishte konsideruar si ndërhyrje në kompetencat e vetë ministrit të tij.

“Prej këtij momenti, ministër i Shëndetësisë është Albin Kurti,” – kishte thënë Bekim Haxhiu, deputet i PDK-së në një seancë të Kuvendit ku po diskutohej për këtë çështje.

Latifi ka marrë shumë kritika edhe nga shoqëria civile për shkak të udhëtimeve të shpeshta jashtë Kosovës.

Sidoqoftë, deri tash nuk ka pasur ndonjë sinjal tjetër nga Qeveria e Kosovës se kryeministri ka pasur pakënaqësi për punën e ministrit Latifi por burime të Nacionales mësojnë se ky i fundit i kishte kërkuar dorëheqjen tash e disa ditë.

Ministri Latifi kishte ardhur me shumë bujë në Qeverinë Kurti II si një kirurg kosovaro-amerikan me famë dhe përvojë ndërkombëtare.

PËRDITËSIM: Lajmi tashmë është konfirmuar edhe me anë të një letre të publikuar në medie.

Lajme të ngjashme