Nisma e Rifat Latifit për subspecializimin e mjekëve kosovarë: Çka thonë mantelbardhët - NACIONALE

Nisma e Rifat Latifit për subspecializimin e mjekëve kosovarë: Çka thonë mantelbardhët

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Në mungesë të specialistëve të duhur që do të mund ta operonin për problemin që i ishte shfaqur në sy, pjesëtari i policisë së Kosovës, Brahim Sedolli u detyra që të udhëtojë për në Tiranë për t’iu nënshtruar kështu një operacioni që i kushtoi hiç më pak se 30 mijë euro. E njëjtë si Sedolli, edhe qindra kosovarë të tjerë kanë vepruar. E gjithë kjo në mungesë së kushteve por edhe të përgatitjes së mjekëve tanë për operime specifike.

Por që kjo punë pak të lehtësohet, ministri i shëndetësisë kosovare, Rifat Latifi, ka nisur një nismë. Atë për dërgimin e mjekëve kosovarë për subspecializim në disa vende të botës.

E nëse kjo gjë ndodhë, atëherë kërkesat për trajtim jashtë vendit të kosovarëve do të reduktoheshin.

Të paktën kështu janë pritshmëritë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Janë disa kandidatë nga QKUK që janë të gatshëm të shkojnë në subspecializim. Nacionale ka pyetur në klinika e spitale rajonale për gatishmërinë e mjekëve për t’iu bashkuar një nisme të tillë.

Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së, dy specialistë që tashmë kanë shprehur një gatishmëri të tillë.

Kështu ia konfirmoi Nacionales, drejtori i kësaj klinikë, Hajriz Rudari.

Por ai saktësoi se mjekët e tjerë po hezitojnë që t’i bashkohen kësaj nisme për shkak të obligimeve familjare.

“Në klinikën tonë kemi dy kandidatë që kanë shpreh gatishmëri për me shku në subspecializim. Emrat e tyre i kam përciellë tëk ministri. Mirëpo, mund të ju them që në përgjithësi kanë hezitu për shkak të obligimeve familjare”, thotë drejtori Rudari.

E edhe në klinikën e Neurokirurgjisë janë dy kërkesa për subspecializim.

“Besnik Elshani Neurorirugji: Po, ne në klinikën tone i kemi dy kërkesa për subspecializime”, i tha Nacionales, drejtori i kësaj klinike, Besnik Elshani.

Spitalet rajonale: Ne kemi nevojë për mjekë në spitale, për subspecializime s’po mendojmë

Spitali i Gjilanit ka mungesë të mjekëve. Si rrjedhojë në këtë spital nevojiten edhe disa mjekë e specialistë për t’u zhvilluar puna normalisht.

Nga ky spital, i thanë gazetës se për nismën e ministrit, nuk kanë marrë asgjë zyrtare nga MSH.

Neve s’kemi email zyrtarë për këtë punë. Por mendoj që më së pari ne kemi nevojë për specializant që kanë njohuri në fushat e tyre. Kemi shumë mungesa të mëdha në staf. Është nevojë imediate që të kemi staf të ri sepse mosha e atyre që i kemi për momentin në spitalin tonë është e shtyrë. Kemi nevoja shumë sidomos për Kirurgji, URL, anesteziologji . Edhe për këtë çështje kemi bërë kërkesa në SHSKUK”, i tha gazetës drejtori i spitalit Arsim Emini.

E kërkesë zyrtare për subspecializim s’kanë marrë as nga spitali i Ferizajit.

Ne kemi pasur disa takime në Ministri të Shëndetësisë. Mirëpo për këtë çështje nuk na ka ardhë ende asgjë zyrtare, asgjë konkrete nga ana e MSH-së. Pa pas ndonjë shkresë nuk mundem me e shiku se kush prej stafit mundet me shku”, thuhet në përgjigjen që drejtori Isha Berisha i dha Nacionales.

MSH: Presim bashkëpunim nga profesionistët shëndetësor

Nga Ministria e Shëndetësisë theksojnë se për nismën e ministrit për dërgimin e profesionistëve shëndetësor në subspecializim, presin bashkëpunimin e të gjithë mantelbardhëve. Ani se procesi, sipas MSH-së është krejt në fillim.

MSh, gjithashtu është duke punuar me disa shtete që kandidateve t'u mundësohet që këtë profilim të mëtejmë ta bëjnë në shtete të ndryshme dhe Ministri Latifi këtë çështje e ka prioritet dhe është duke punuar me homologët e ndryshëm dhe duke përdorur autoritetin dhe njohjet e tij me qendra të ndryshme për të siguruar sa më shumë mundësi për subspecializime për specialistët nga Kosova”, kanë deklaruar nga MSH për Nacionalen.

Se qysh do të bëhet ky projekt, as nga Ministria e Shëndetësisë, ende nuk e dinë.

Më shumë detaje mund të sigurohen, kur procesi të ketë kaluar në një stad tjetër, kur të jetë definuar numri i tyre, vendi ku do ta bëjnë, aspektet e mbështetjes financiare sepse ky është një proces që duhet mbështetur edhe me financim të qëndrueshëm, etj”, sqarohet tutje MSH-ja.

E sipas planit të ministrit për trasnformimin e shëndetesise, subspecializimet është e paraparë të jenë për 22 fusha klinike për Qendrat Kombëtere të Ekselencës./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme