Pensionohet Enver Gërguri, komandanti i parë i Njësisë së Aviacionit në FSK
Është pensionuar komandanti i parë i Njësisë së Aviacionit në FSK, Enver Gërguri.
Ai është përshëndetur nga FSK-ja me një ceremoni brenda ambienteve të Ushtrisë së Kosovës.
Por, kush është Enver Gërguri?
Kolonel Enver Gërguri, aktivitetin e vet si kontribues i çështjes kombëtare e filloi qysh në vitet e 90-ta me ditar në dorë, si mësimdhënës i lëndës së Fizikës.
Parqitjet e para publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bënë që Enveri të ndërpresë punën në arsim dhe të angazhohet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Kuadër të Njësitit të Bardhit të Madh.
Menjëhere pas lufte Enveri sistemohet në Akademinë e Mbrojtjes në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës fillimisht si oficer i mesëm, më pastaj si Oficer Operativ i shkollave dhe Ligjërues në Shkollën e Karrierës dhe Shkollën e Oficerëve të lartë. Aty qëndroi deri në përfundim të misionit të Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, ku më pastaj kalon në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në vitin 2011, mbaron studimet e masterit në Shkencat e Sigurisë në Akademinë Ushtarake në Tiranë dhe gradohet me gradë Nënkoloneli si dhe emërohet në Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjes në Ferizaj.
Në Gusht të vitit 2016, Nënkolonel Gërguri emërohet në detyrën e Komandantit të Njësisë së Aviacionit të Republikës së Kosovës, Njësi kjo e cila u zhvillua krahas zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Enver Gërguri në vitin 2019, përfundoi studimet e shkallës së tretë-Doktoratë në Universitetin Ndërkombëtarë të Strugës dhe mori titullin Doktor i Shkencave.
Më pastaj në vitin 2024 mori gradën e Kolonelit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Detyrën Komandant i Njësisë së Aviacionit.
Kolonel Enver Gërguri është Komandanti i parë i Njësisë së Aviacionit dhe tani më 5 Maj mbush 55 vite duke u pensionuar kështu nga FSK-ja.




