"Guxo" me dy kryetarë: A e shkelën Peci e Gërvalla ligjin?
“Guxo” tashmë është partia më e re në Kosovë, pasi dje mbajti Kuvendin Zgjedhor, e ku zgjodhi dy kryetarë, Faton Peci dhe Donika Gërvalla. Në fakt, para se ajo të jetë edhe zyrtarisht e ligjërisht parti politike, duhet të kalojë edhe një procedurë.
Regjistrimi në Komisionin Qëndron Zgjedhor (KQZ) është hapi i fundit procedural që “Guxo” edhe zyrtarisht të konkurojë Lëvizjen Vetëvendosje dhe partitë e tjera, në garën elektorale.
Hapin final, pra “vulën” që “Guxo” i Pecit e Gërvallës t’i futet kësaj gare në të ardhmen, duket se mund t’ia ndalë, pikërisht bashkëdrejtimi nga dy kryetarë.

Guxo është parti e vogël, e me jo shumë anëtarë, e me daljen e deputetes Doarsa Kica, as shumë deputet.
Të paktën jo aq sa për ta formuar një grup parlamentar, ani pse tash ka dy kryetarë.
Tash Peci e Gërvalla presin “aminin” e KQZ-së, për ta udhëhequr së bashku GUXO-n që dikur e udhëhiqte presidentja Vjosa Osmani.

A do ta certifikojë KQZ “bashkë-liderllëkun”?
KQZ i tha gazetës Nacionale se e kanë përcjellur Kuvendin e djeshëm të Guxo, dhe se do të përpilojë raport, në lidhje me këtë kuvend.
“Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka vëzhguar kuvendin qendror të partisë “Guxo”, i cili është mbajtur më 7 shtator. Sikurse herave të kaluara, nga vëzhgimi i kuvendeve zgjedhore të partive të tjera, kjo Zyrë do të paraqesë në mbledhjen e radhës të KQZ-së një raport lidhur me zhvillimin e kuvendit të partisë Guxo.”, deklaruan nga KQZ.
Çfarë thotë ligji për regjistrimin dhe veprimin e partive politike, kryetar apo kryetarë?
Neni 3 i Ligjit për regjistrimin dhe veprimin e partive politike i referohet liderit të partisë në njëjës, pra veç si kryetar.
“Partia politike mund të paraqitet për regjistrim duke ia dorëzuar zyrës (KQZ-së); a) emrin, mbiemrin, adresën dhe numrin e telefonit të kryetarit të partisë, e) deklaratën e nënshkruar nga kryetari i partisë për të respektuar dhe përt t’iu përmbajtur Kodit të Mirësjelljes së Partive Politike.”, thuhet në ligj.
Neni 5 i këtij ligji, flet për arsyet për refuzimin e regjistrimit të partisë.
Aty ndër të tjera thuhet, nëse shkelet neni 18 pika 1 dhe 18 pika 2, partia nuk mund të regjistrohet.
“Kryetari dhe të gjithë zyrtarët tjerë të partisë së regjistruar politike duhet të jenë anëtarë të partisë”, thuhet në nenin 18 pika 1.
Pra, edhe këtu vërehet se ligji për partitë politike, tërë kohën i referohet vetëm një kryetari.
Edhe në nenen tjera, ku parashihet sidomos komunikimi me KQZ-në, ta zëmë për njoftimet për ndryshimin e statutit, njoftimi i mbajtjes së kuvendeve etj., gjithmonë kërkohet një vërtetim nga kryetari, ose një nënshkrim nga kryetari.
Statuti i partisë sipas ligjit
Tek neni ku rregullohet se çka duhet të përmbajë patjetër brenda statutit një parti, vërehet më së miri, referimi në njejës dhe në shumës, që e bën ligji, kur flet për zgjedhjen e kryetarit, anëtarëve të partisë e zyrtarëve të tjerë;
“Procedurat që duhet zbatuar për zgjedhjen e kryetarit, të anëtarëve të organit më të lartë ekzekutiv ose të zyrtarëve të tjerë të zgjedhur të partisë.”, thuhet në Ligj.
Edhe Hulumtuesi Ligjor, Eugen Cakolli paralajmëroi se partia Guxo, mund të mos e marrë “vulën” e KQZ-së, pikërisht për shkak të kryetarëve.
"GUXO" e paska filluar zyrtarisht aktivitetin partiak/politik me shkelje të legjislacionit gjatë zgjedhjes së strukturave udhëheqëse të saj. Sado që mund të duket zgjidhje kreative, legjislacioni zgjedhor në Kosovë nuk e njeh mundësinë e "bashkë-kryesimit" të partive. Ligji për Zgjedhjet dhe Rregulla Zgjedhore 01/2013 përcaktojnë qartazi që partitë politike kanë 'kryetar', e jo 'kryetarË'.”, shkroi Cakolli, duke shtuar se KQZ mund ta obligojë GUXO-n të harmonizojë statuin e partisë me kornizën aktuale ligjore.
Kujtojmë që dje në Kuvendin Zgjedhor të GUXO-së mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u dëshiroi suksese e thuri elozhe për bashkëpunimin e deritanishëm në koalicionn qeveritar.


