Kryetari i ‘Guxo’ i uron rrugë të mbarë deputetes Kica – ia përmend votat që i mori nga Osmani e Kurti - NACIONALE

Kryetari i ‘Guxo’ i uron rrugë të mbarë deputetes Kica – ia përmend votat që i mori nga Osmani e Kurti

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Bashkëudhëheqësi i Donika Gërvallës në listën ‘Guxo’, Faton Peci, nuk po dëshiron të konfirmojë largimin e deputetes Doarsa Kica – Xhelili nga partia. Këtë çështje, ai vendosi t’ia lë kësaj të fundit, e cila sipas raportimeve, do të kalojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Megjithatë, ndryshe prej postimit që e bëri mëngjesin e sotëm, ku reagoi me zemërim ndaj largimit të deputetes Xhelili, këtë herë, Faton Peci vendosi t’i urojë asaj rrugë të mbarë.

Politikani që mban postin e ministrit të Bujqësisë në Qeverinë Kurti, s’e la pa ia përmendur deputetes në fjalë votat që i mori me listën e përbashkët ‘Guxo’ e Vetëvendosje.

“Unë mendoj që i takon asaj. Nëse e ka marrë rrugën, është çështje e saj. Po përderisa ajo nuk del.. në apsektin njerëzor, secilit njeri i uroj rrugë të mbarë. Të gjitha ato profile që kanë marrë votën në bazën e ndryshimit të proklamuar nga Osmani e Kurti, është shumë e rëndësishme arsyeshmëria pse dikush vendos të kthejë shpinën besimit qytetar dhe vullnetit mbi të cilin kanë ardhë. E pash ekskluzive në të gjitha anët. Nuk di me i numëru mediat, por të gjitha kishin një ekskluzive”, ka thënë ai në Politiko.

Partia me dy kryetarë

Një praktikë që nuk është parë më herët në skenën politike në Kosovë, e vendosi sot lista ‘Guxo’. Delegatët e këtij subjekti zgjodhën jo një, po dy kryetarë të rinj.

Faton Peci e Donika Gërvalla – Schwarz do ta udhëheqin partinë e themeluar nga presidentja Vjosa Osmani.

Peci ka shpjeguar se si erdhën deri te ky vendim, derisa dha detaje për modelet që janë marrë nga partitë e shteteve të Bashkimit Evropian.

“Erdhi pas një debati bukur të gjatë të strukturave që kanë ndikuar në konstituim. Për shkak të një vlerësimi, që në Kosovë kryesisht partitë e kanë një qasje lideriste, deri në nivelet e një autokracie të brendshme në subjekt, me mendim që vendimmarrja të shihet sa më objektive, dhe duke parë praktikat e jashtme. Janë disa modele, ne pretendojmë që përveç kësaj ideje që është krejt e re në skenën politike kosovare, idetë t’i sjellim përmes GUXO-s, dhe në këtë kontekst praktikat që tashmë dihen si të suksesshme në disa vende në BE, si në Gjermani, ku janë kryediplomatja dhe zëvendëskancelari, kanë qenë dy kryesisuet e SPD-së”, tha ministri i Bujqësisë.

Në fund, Peci ka bërë të ditur se zgjedhja e dy kryetarëve është për të gjithë mandatin, por që partia synon që brenda një viti të organizojë edhe një Kuvend tjetër zgjedhor, ku do të shikohet ecuria dhe menaxhimi i partisë.

I ftuari “special” në Kuvendin Zgjedhor

Në Kuvendin Zgjedhor të listës “Guxo” u paraqit edhe kryeministri Albin Kurti, njëherit partner në Qeveri i kësaj partie.

Kurti i dha “zemër” subjektit të Gërvallës, pas largimit të deputetes Kica – Xhelili.

“Me guxim jeni ngritur, me guxim po vazhdoni, me guxim do të fitoni”, përfundoi i pari i Qeverisë.

Kurti tha se bashkimi i dy partive, solli fitoren e 14 shkurtit, derisa si prioritet kryesor për më tutje, përmendi Vettingun.

“Të qenurit bashkë na e solli fitoren e 14 shkurtit. Të prirur për ta zhvilluar vendin përmes punësimit dhe kthimin e dinjitetit të qytetarëve përmes drejtësisë. Prioritet kryesor në drejtësi mbetet Vettingu dhe këtë do ta bëjmë përmes Kuvendit”, tha Kurti.

Lajme të ngjashme