Faton Peci e Donika Gërvalla, kryetarët e rinj të 'Guxo' - NACIONALE

Faton Peci e Donika Gërvalla, kryetarët e rinj të 'Guxo'

1 vit më parë

nga NACIONALE

E PËRDITËSUAR

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, janë kryetarët e rinj të listës ‘Guxo’.

Kanal 10 raporton se me 373 vota për, këta të dy kanë marrë pozitat e reja në parti.

Ndërkaq, kanë qenë 23 vota kundër, tri abstenime dhe katër të pavlefshme.

Po ashtu, raportohet se Peci dhe Gërvalla kanë qenë kandidatët e vetëm në këtë garë.

Në mes të raportimeve për largim të një prej deputeteve më të zëshme të Listës Guxo, Doarsa Kica – Xhelili, ky subjekt politik mblodhi delegatët për të zgjedhur kryetarin/kryetaren e re.

Parti me dy kryetarë

Ajo që dihet, është se partia do t’i ketë dy kryetarë, një burrë dhe një grua. Këtë, e konfirmoi deputeti i këtj subjekti politik, Haxhi Avdyli.

Avdyli, bëri të ditur se ky model është marrë nga disa parti gjermane.

“Partia ‘Guxo’ gjithmonë ka ditur të befasojë me opinionet e saj, veprimet politike edhe sot në këtë kuvend partia ‘Guxo’ do të befasojë me mënyrën e udhëheqjes se partive – ne do të japim një model të ri të udhëheqjes së partive politike dhe një model të paparë deri më sot në skenën politike të Kosovës. Nga ky kuvend do të dalim me një kryesi vendimmarrëse dhe nuk do të kemi një kryetar por do të kemi dy kryetarë, një të gjinisë femërore dhe tjetri i gjinisë mashkullore”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i thuri lavde presidentes Vjosa Osmani, njëherit themelese e këtij subjekti politik.

“Sot nuk do të ishim këtu për ta konstituuar partinë më të re në vend, pa presidenten e Republikës së Kosovës, doktor Vjosa Osmani-Sadriu. Vjosa Osmani guxoi, çfarë rrallë kush kishte guxuar para saj. Si deputete, si veprimtare politike, si kryetare Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani jo për herë të parë mbajti qëndrim të patundur, duke iu kundërvënë hapur dhe me vendosmëri, të gjitha vendimeve të dëmshme për Kosovën. Iu kundërvë asociacionit të komunave serbe për shkak se shkelte Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe interesat bazike të këtij vendi. Edhe planeve të frikshme për ndarjen e Kosovës, pazareve politike dhe koalicioneve të pandershme. Të gjithave iu kundërvu, duke u shndërruar në një personalitet të rrallë në Republikën tonë të re”, tha Gërvalla.

Duke folur për Osmanin, kryediplomatja thumboi edhe LDK-së, parti që po raportohet se ia mori deputeten Kica-Xhelili.

“E shtyrë nga parimet dhe bindjet e saj, nuk u përkul asnjëherë, as para intrigave të partisë në të cilën ndodhej, por luftoi me vite të tëra për demokraci brenda partisë në të cilën ishte, e shoqëruar nga shumë prej nesh të cilët jemi të pranishëm në këtë sallë”, tha ministrja e jashtme.

Ndërkaq, ministri i Bujqësisë, njëherit anëtar i listës Guxo, Faton Peci ka thënë se kjo parti, është produkt i presidentes Vjosa Osmani.

Peci në Kuvendin Zgjedhor të kësaj partie, tha se “Guxo” i dhanë vendit një presidente guximtare dhe një kryeministër “të pakompromentueshëm”.

“Me një presidente guximtare dhe një kryeministër të pakompromentueshëm, suksesi i vendit tonë është i garantuar. Guximi lindi së pari si ide, si frymë dhe si shpresë. Listës fillestar iu bashkuan shumë emra duke i dhënë kuptim rikonceptimit të mendimit politik në skenën kosovare. Lista Guxo, sot partia Guxo u konsolidua gradualisht, u strukturua gradualisht dhe sot po përmbyllet sukseshëm në shndërrimin në një subjekt politik”, ka thënë ai.

I ftuari “special”

Nuk pritej, por në Kuvendin Zgjedhor të listës “Guxo” u paraqit edhe kryeministri Albin Kurti, njëherit partner në Qeveri i kësaj partie.

Kurti i dha “zemër” subjektit të Gërvallës, pas largimit të deputetes Kica – Xhelili.

“Me guxim jeni ngritur, me guxim po vazhdoni, me guxim do të fitoni”, përfundoi i pari i Qeverisë.

Ndërkohë, Nacionale do t’ju mbajë të informuar me zhvillimet nga Kuvendi Zgjedhor i Listës “Guxo”

Lajme të ngjashme