Osmani propozohet gabim për kryetare të degës së Guxos, Gërvalla u "besatohet" burrave të partisë - NACIONALE

Osmani propozohet gabim për kryetare të degës së Guxos, Gërvalla u "besatohet" burrave të partisë

3 muaj më parë

nga Leonitë Demaku

Delegatët e Listës “Guxo” u mblodhën sot në Konventën ku u zgjodh kryetarja e degës së këtij subjekti në Prishtinë. Këtë pozitë, tash e mbas do ta mbajë deputetja Jeta Statovci. Të pranishëm ishin edhe ministrat, Donika Gërvalla e Faton Peci. Afër tyre, në rendin e parë ishin të ulur edhe deputetët e tjerë, Haxhi Avdyli, Burim Meta, por mungonte Daorsa Kica – Xhelili, e cila kohëve të fundit është raportuar se ka përçarje me partinë e saj.

Rreth 270 delegatë të listës “Guxo” ishin të pranishëm në Koventën e këtij subjekti politik në Prishtinë.

Me shumicë votash këta e zgjodhën deputeten Jeta Statovci si kryetare të degës në kryeqytet, e cila njëherit ishte kandidatja e vetme për ta marrë këtë pozitë brenda partisë.

Vjosa Osmani – kryefjalë e Konventës

Secili që doli të flasë para bashkëpartiakëve, së pari e përmendte Vjosa Osmanin. Kjo e fundit, që tani është presidente e vendit, e ka themeluar këtë parti për t’ia pasuar më pas detyrën ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Gërvalla foli shumë për presidenten, e madje pretendoi se ajo po “adhurohet” nga ndërkombëtarët, derisa s’e la pa e lavdëruar edhe Qeverinë në të cilën partia e saj udhëheq në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Beteja kundër korrupsionit, shtimi i të ardhurave nga tatimet, rritja ekonomike, marrëdhëniet me miqtë tanë, kontaktet me ato shtete që s’e kanë njohur ende Kosovën, të gjitha këto janë zhvillime nga 14 shkurti i vitit të kaluar. Kudo që shkoj jashtë, në një fjali has, admirim i pamasë për institucionet e reja dhe admirim për Presidenten Osmani në çdo forum ku merr pjesë. Osmani ka mbajtur qëndrim të patundur, kundër çdo çështjeje të dëmshme”, tha kryediplomatja.

Pas Gërvallës, radhën për t’iu adresuar të pranishmëve, e pati ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Ministri i Qeverisë Kurti tha se lista “Guxo”, ia ka dhënë vendit një “presidente dinjitoze”.

“Në mesin e atyre që na përfaqësojnë, e kemi edhe Donikën, e cila përveç që po na përfaqëson denjësisht, sot ne jem dëshmitarë që nivelin e diplomacisë nuk e caktojnë individët që bëjnë pazare, por rendi e ligji… Në forume të tilla, ia vlen të theksohet se “Guxo” i dha Kosovën një presidente dinjitoze, i kemi deputetët për çdo lëvdatë”, tha ministri Faton Peci.

Për Vjosa Osmanin, u fol edhe më shumë. Madje, pati të tillë që “e propozuan” për kryetare të Degës. Anëtari i “Guxo”, Rexhep Gjergji, derisa po propozonte kandidatin për kryetar, aksidentalisht, e tha emrin e presidentes Osmani.

Ai e arsyetoi këtë, duke thënë se “Jeta Statovci shihej gjithmonë pas saj”.

“Propozoj Vjosa Osmanin për kryetare...jo më falni, Jetën. Se jemi mësu kjo gjithë mbas Vjosës”, tha Gjergji.

Premtimi i Gërvallës për burrat e partisë

Pasi Jeta Statovci mori detyrën e saj të re, fjalën edhe një herë e pati Gërvalla.

Kjo e fundit, e cila para disa javësh u zgjodh kryetare e degës së partisë në Pejë, dha një premtim për burrat e djemtë në listën “Guxo”.

Duke parë numrin e madh të grave në Koventë, Gërvalla e lëshoi një ‘fore’, që shkaktoi të qeshura në sallë.

“Ju premtoj që do ta ngre shumë lart zërin për ju burra dhe djem qe po angazhoheni në Guxo”, tha Gërvalla para anëtarëve të partisë së saj.

Lista “Guxo”, më 7 shtator do të mbajë Konventën për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, duke marrë parasysh se Gërvalla deri tani ka qenë ushtruese e detyrës.

Deri tani, nuk dihet se kush janë kandidatët për të marrë kryesimin e partisë, e cila sipas fjalëve që u thanë sot, po pretendon të qëndrojë në qeveri edhe pas përfundimit të këtij mandati.

Lajme të ngjashme