Nëse zgjedhjet mbahen sot, Lista Guxo do të tmerrohej nga rezultatet - NACIONALE

Nëse zgjedhjet mbahen sot, Lista Guxo do të tmerrohej nga rezultatet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ironike kur të kujtojmë se partia që u formua nga Vjosa Osmani, për t’u përdorur më pas si levë drejt zyrës së Presidentes, sot gëzon besimin e rreth 1% të qytetarëve të Kosovës, ani pse ajo ishte kandidatja më e votuar në historinë e Kuvendit të Kosovës.

Lista Guxo duhet të jetë organizata politike me jetëgjatësinë më të shkurtër të themeluesit të saj. Liderja që e formoi Guxo-në, doli se qëllim e pati karrigen e presidentes, e jo udhëheqjen e partisë.

Prej kur Lista Guxo u bë pjesë e listës së VV-së në zgjedhjet e fundit, rezultati i jashtëzakonshëm duket se i ka bërë konformistë.

Me Vjosa Osmanin presidente të vendit që s’merr pjesë në organizimin e Listës Guxo dhe Donika Gërvallën në krye të saj – e ‘përkushtuar’ të prodhojë skandale si ministre e Jashtme – kjo organizatë politike e krijuar shpejt e shpejt, momentalisht i ka punët keq me vota [për të mos thënë tmerr].

Sondazhet e publikuara pas zgjedhjeve në Kosovë, Listën Guxo e nxjerrin te shifra 1%, apo s’e nxjerrin fare.

Sondazhi i publikuar nga T7 dje, i titulluar “nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, cilën parti do ta votonit?”, Lista Guxo përveç që nuk futet në Kuvend, i bie të jetë larg 5%-shit të nevojshëm.

E shtata në tabelë, Lista Guxo shtyhet me Nismën se cila po merr pak më shumë se 1% të votave.

Bile bile, qytetarët e Kosovës janë të gatshëm të votojnë tjera parti që nuk përfshihen në tabelë, para Listës Guxo.

Me vetëm 1.1%, Lista Guxo së shpejti do të mbajë zgjedhje të brendshme, ku figura si Donika Gërvalla dhe Doarsa Kica Xhelili konsiderohen kandidatet më serioze për të marrë në dorë timonin e kësaj organizate politike.

“Pashmangshëm që ne tash do të futemi në një proces të zgjedhjeve të brendshme, duke filluar nga niveli më i ulët, nëndegëve”, ka thënë Faton Peci – ministër i Bujqësisë - para një muaji.

Edhe pse sot rreth 1% të votave, Faton Peci që me Listën Guxo e kapi një ministri të Kurtit, thotë se lista e Vjosës ka pasur peshë të konsiderueshme në rezultatin e zgjedhjeve të fundit.

“Është e pashmangshme që Guxo ka pasur peshë të konsiderueshme në rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit”, mendon Faton Peci, ministër i Bujqësisë.

Kjo nuk është hera e vetme që Lista Guxo terrorizon anëtarët e saj në sondazhe. Vetëm para 1 muaji, PIPOS publikoi sondazhin ku e mati disponimin e miletit të Kosovës.

Sipas PIPOS, Lista Guxo as nuk i afrohet 1 përqindëshit të djeshëm. Konkurrentja e Listës Guxo, Nisma mori 0.4% të votave.

Ndërsa Lista Guxo futet në mesin e partive tjera që marrin rreth 0.5% të votave.

Rënie në përqindje të votave ka edhe tek partneri i koalicionit të Guxo, ku VV-ja sillet diku prej 35 deri në 40%.

Mund të konsiderojmë se përkundër që Lista Guxo po del keq në sondazhe, deri tash ka pasur sukses të jashtëzakonshëm.

Si pjesë e koalicionit fitues, Lista Guxo mori Ministrinë e Bujqësisë që drejtohet nga Faton Peci, Ministrinë e Jashtme që skandalizohet nga Donika Gërvalla, postin e zëvendëskryeministrit që gjithashtu zotërohet nga Gërvalla dhe suksesi më i madh i partisë mbetet Presidenca që drejtohet nga Vjosa Osmani.

Lajme të ngjashme