Gërvalla për Vjosa Osmanin: Nuk iu përkulë intrigave të LDK-së
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur për presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, në mbledhjen e parë konstituive të Listës Guxo.
“Sot nuk do të ishim këtu për ta konstituuar partinë më të re në vend, pa presidenten e Republikës së Kosovës, doktor Vjosa Osmani-Sadriu. Vjosa Osmani guxoi, çfarë rrallë kush kishte guxuar para saj. Si deputete, si veprimtare politike, si kryetare Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani jo për herë të parë mbajti qëndrim të patundur, duke iu kundërvënë hapur dhe me vendosmëri, të gjitha vendimeve të dëmshme për Kosovën. Iu kundërvë asociacionit të komunave serbe për shkak se shkelte Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe interesat bazike të këtij vendi. Edhe planeve të frikshme për ndarjen e Kosovës, pazareve politike dhe koalicioneve të pandershme. Të gjithave iu kundërvu, duke u shndërruar në një personalitet të rrallë në Republikën tonë të re”, tha Gërvalla për Klan Kosova.
Gërvalla thumboi LDK-së, intrigave të së cilës tha se Osmani asnjëherë nuk iu përkul.
“E shtyrë nga parimet dhe bindjet e saj, nuk u përkul asnjëherë, as para intrigave të partisë në të cilën ndodhej, por luftoi me vite të tëra për demokraci brenda partisë në të cilën ishte, e shoqëruar nga shumë prej nesh të cilët jemi të pranishëm në këtë sallë”, tha ministrja e jashtme.