Partia me dy kryetarë, por me pak anëtarë: A po shkon 'Guxo' rrugës së Nismës? - NACIONALE

Partia me dy kryetarë, por me pak anëtarë: A po shkon 'Guxo' rrugës së Nismës?

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Nuk ka shumë anëtarë, madje s’i ka as shumë vite në skenën politike në Kosovë. Por nga sot, lista ‘Guxo’ do t’i ketë dy kryetarë, Faton Pecin dhe Donika Gërvallën. Partia e themeluar nga presidentja Vjosa Osmani synon edhe një mandat tjetër në Qeverinë e Kosovës. Analistët, kanë mendime të ndara për këtë çështje, ndërsa një rrugë si ajo e Nismës Socialdemokrate, nuk përjashtohet.

Rreth 400 delegatë morën pjesë në Kuvendin e parë Zgjedhor të listës ‘Guxo’. Këta zgjodhën si prijës të tyre Faton Pecin e Donika Gërvallën, të dy ministra në Qeverinë Kurti II.

Partneri i Lëvizjes Vetëvendosje, e bëri të qartë se synon edhe një mandat tjetër udhëheqës.

Sidoqoftë, dy ministrat janë shpesh kryetituj nëpër media, sidomos kryediplomatja Gërvalla, e cila përveç huqjeve të shpeshta në rrjete sociale, është kritikuar edhe për punën në diplomaci e paraqitjet televizive.

‘Guxo’ në rrugën e Nismës?

Themeluesja e kësaj partie, njëherit presidentja Vjosa Osmani, i dha shumicën e votave subjektit të ri politik, i cili kishte edhe emra të rinj brenda listës, për të cilët qytetarët nuk kishin dëgjuar më herët.

Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi për Nacionalen tha se dyshon se kjo parti mund të ketë sukses në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, madje shtoi se “do të luftojë për mbijetesë”.

“Lista Guxo me Kuvendin Zgjedhor po dëshiron që të etablohet në një parti më serioeze, por dyshoj që mund të korr ndonjë sukses në zgjedhjet nacionale, është pari e re. Figura kyqe, Osmani është bërë presidente, dhe momentalisht, figurat që mund ta udhëheqin nuk janë figura shumë nacionale, që mund të marrin vota. Mendoj që do të luftojë për mbijetesë, dyshoj që mund të marrin vota sa për të hyrë në parlamentin e Kosovës, vetëm nëse ndërkohë marrin figura të tjera, më të pranueshme. Por, për momentin, si qëndron situata, dyshoj që mund të hyjnë në parlamentin e Kosovës”, ka thënë ai.

Arifi e ka komentuar edhe largimin e deputetes Doarsa Kica – Xhelili, e cila sipas raportimeve pritet të kalojë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Profesori i Shkencave Politike tha se ajo ka një imazh pozitiv dhe se në mungesë të kuadrove të kualifikuara, ‘Guxo’ mund ta ketë fatin e njëjtë si të Nismës Socialdemokrate.

“Sa i përket pyetjes së dytë, raportimet po na tregojnë që një deputete që ka pasur imazh pozitiv në kontekstin dhe këndvështrimin e votuesve të asaj kohe, ka qenë e afërt me presidenten, kur figura të tilla largohen nga partia, besoj që fati i tyre vec po vuloset ngadal, siç e thash edhe në pyetjen e parë. Në mungesë të kuadrove të kualifikuara, dyshoj që lista Guxo do të ketë një fat më të mirë se Nisma në zgjedhjet e fundit. Partitë e vogla e kanë të vështirë të mbijetojnë në një ambient të polarizuar, u janë partitë më të mëdha”, tha ai.

Mendim më ndryshe prej profesorit Arifi, ka analisti Gazmir Raci. Ky i fundit, lavdëroi listën ‘Guxo’, duke thënë se ministrat dhe deputetët e kësaj partie kanë treguar profesionalizëm.

Megjithatë, ai theksoi se mungesa e Vjosa Osmani në zgjedhjet e ardhshme, mund të krijojë pengesë.

“Lista Guxo ka hyrë fuqishëm në politikë përmes presidentes Vjosa Osmani, do të jetë një hendikep i madh në zgjedhjet e ardhme nëse Osmani vazhdon të jetë presidente dhe mundësia që ajo të mos kyçet në zgjedhje. Ministrat e Listës Guxo dhe deputetët kanë treguar profesionalizëm, kanë qenë aktiv, pro aktiv dhe kanë kryer detytën e vet në çfarëdo lloj institucioni, nuk kanë qenë të përfolur për ndonjë aferë korruptive”, ka thënë Raci për Nacionale.

Largimin e deputetës Kica – Xhelili nga partia, ai e pa si një lëvizje për interesa personale, e madje tha se personat e tillë, nuk e kanë të gjatë karrierën politike.

“Në të kaluarën kemi pasë deputetë që e ka shit votën për ta bërë djalin diplomat, në diplomacinë kosovare. Ose deputetë, që pas vots, janë bërë ambasador. Për atë arsye, i quaj lëvizje për politika të ngushta personale dhe persona të tillë nuk e kanë jetëgjatësinë e garantuar në politikën kosovare”, ka thënë ai.

Dy kryetarë – Lëvizje e jashtëligjshme?

Zgjedhja e dy kryetarëve, sipas Faton Pecit është lëvizje e partisë që erdhi pas një debati të gjatë mes strukturave. Sipas tij, kjo praktikë ka funksionuar në vende të Bashkimit Evropian, ku përmendi rastin e Gjermanisë.

“Erdhi pas një debati bukur të gjatë të strukturave që kanë ndikuar në konstituim. Për shkak të një vlerësimi, që në Kosovë kryesisht partitë e kanë një qasje lideriste, deri në nivelet e një autokracie të brendshme në subjekt, me mendim që vendimmarrja të shihet sa më objektive, dhe duke parë praktikat e jashtme. Janë disa modele, ne pretendojmë që përveç kësaj ideje që është krejt e re në skenën politike kosovare, idetë t’i sjellim përmes GUXO-s, dhe në këtë kontekst praktikat që tashmë dihen si të suksesshme në disa vende në BE, si në Gjermani, ku janë kryediplomatja dhe zëvendëskancelari, kanë qenë dy kryesisuet e SPD-së”, tha ministri i Bujqësisë.

Megjithatë, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Eugen Cakolli ka thënë se zgjedhja e kryetarëve në një subjekt politik, është shkelje e legjislacionit.

"GUXO" e paska filluar zyrtarisht aktivitetin partiak/politik me shkelje të legjislacionit gjatë zgjedhjes së strukturave udhëheqëse të saj. Sado që mund të duket zgjidhje kreative, legjislacioni zgjedhor në Kosovë nuk e njeh mundësinë e "bashkë-kryesimit" të partive. Ligji për Zgjedhjet dhe Rregulla Zgjedhore 01/2013 përcaktojnë qartazi që partitë politike kanë 'kryetar', e jo 'kryetarË', ka shkruar Cakolli në profilin e tij në Facebook.

Cakolli përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka theksuar se partitë politike duhet t’i përcaktojnë procedurat për zgjedhjen e vetëm një kryetari.

Ndryshe, nuk do të mund të zbatohen obligimet për funksionim të rregullt që ka partia politike, respektivisht kryetari/ja e saj - si instancë kryesore për, minimalisht, nënshkrimin e dokumenteve zyrtare dhe përgjegjësisë ligjore. Prandaj, Zyra do të duhej t'i propozonte KQZ-së mosnjohjen e këtij Kuvendi dhe vendimmarrjes së partisë "Guxo" lidhur me këtë çështje, si dhe t'a obligojë atë që t'a harmonizojë statutin e partisë me kornizën ligjore’, thotë Cakolli.

Lajme të ngjashme