Ideologjia: A po bëhet Partia e Vjosa Osmanit, parti e Gjelbër? - NACIONALE

Ideologjia: A po bëhet Partia e Vjosa Osmanit, parti e Gjelbër?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka edhe një parti politike përkundër që Kushtetuta mund të mos pajtohet me një gjë të tillë. Kjo parti politike, fillimisht e quajtur “Lista Vjosa” për shkak të emrit të presidentes, tashmë do të quhet “Lista Guxo”. Por, duket se orientimi ideologjik i partisë do të jetë i njëngjyrshëm: i gjelbër.

Gjatë vitit 2020, ose të paktën deri në fund të atij viti, Vjosa Osmani do të kryente detyrën e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Ajo do të niste një tur të vizitave, të quajtur “Vizitat e Gjelbra” ku do të paraqiste edhe një rritje ndërgjegjësimi për politikat e gjelbra.

“Nuk është hera e parë që jam në Deçan, por këtë herë si asnjëherë më parë e kuptova nga për së afërmi vuajtjen mjedisore të këtij vendi dhe pasojat pothuajse të parikuperueshme në natyrë që janë shkaktuar nga mosmenaxhimi i duhur i përgjegjësve.” – shkruante presidentja e vendit.

Në kuadër të këtyre vizitave, presidentja trajtonte edhe pandeminë Covid-19 prej "prizmit" të politikave të gjelbra.

“Sot nuk mund të mos kishim në fokus pandeminë me të cilën po ballafaqohemi, por e trajtuam atë nga prizmi i mbrojtjes së mjedisit. Sepse, kjo pandemi përfundimisht na e ka bërë të qartë afrinë që e kemi ne njerëzit me natyrën dhe na ka treguar se si moskujdesi ndaj natyrës mund të ndikojë negativisht në shëndetin tonë.” – shprehej ajo në vizitën e gjelbër të bërë në Mitrovicë.

Edhe Haxhi Avdyli, i gjelbër

Kjo agjendë e gjelbër ishte harruar për një kohë relativisht të gjatë pasi Vjosa Osmani të garonte në zgjedhje në kuadër të listës së Vetëvendosjes, e më pas të zgjidhej presidente më 4 prill 2021.

Por, duket se renditja e keqe në sondazhe e ka rikthyer vëmendjen te mjedisi.

Një gjë të tillë mund ta evidentojmë edhe përmes njërës prej figurave kyçe të Listës Guxo, Haxhi Avdylit.

Deputeti nuk njihej si një avokues i politikave të gjelbra kur më 10 korrik të këtij viti do të botonte një postim në Facebook e në të cilin do ta bënte një gjë të tillë.

“Kurrë s’është vonë për të kuptuar që qytetet tona kanë nevojë për më shumë gjelbërim e parqe, e jo vetëm beton e asfalt,” ­ - shkruante z. Avdyli, ndërkohë që tregonte se si ishte gjelbëruar për 29 vite qyteti gjerman i Dyzeldorfit.

Peci i gjelbër

Edhe ministri i Bujqësisë që është anëtar i Listës Guxo, Faton Peci, ka promovuar politika të gjelbra në kuadër të detyrës zyrtare që kryen në këtë dikaster qeveritar.

Në veçanti, ai i ka kushtuar rëndësi pyllëzimit, ku së bashku me ambasadoren e Suedisë dhe atë amerikane mbollën 1 milionë fidane.

Peci është përfolur si një prej njerëzve që mund të marrin drejtimin e Listës Guxo.

Edhe Haki Abazi – që njihet si njeri i afërt me njerëzit e Listës Guxo – ka qenë një avokues i politikave të gjelbra dhe i burimeve të ripërtërishme të energjisë, duke denoncuar edhe politikën e mëhershme të qeverive në këtë sektor që shqyrtonte mundësinë e vazhdimit të përdorimit të qymyrit.

Ai së fundi ka publikuar një postim në të cilin kërkon prej qytetarëve të “mendojnë e veprojnë gjelbër” derisa shfaq fotografi të perimeve të mbjellura në bahçen e tij.

Lista Guxo duket se do t'i ketë politikat e gjelbra në agjendë të saj, por nuk dihet nëse do të jetë në majë të kësaj agjende.

Vlen të theksohet se kjo parti në sondazhet e fundit del ta ketë më shumë se 1 për qind të mbështetjes qytetare.

Por, në Evropë të gjelbrit kanë shënuar një rritje të madhe të mbështetjes, madje edhe duke e fituar pushtetin në disa shtete.

Lajme të ngjashme