Dorëheqja që mjaftoi: Kush është Rifat Latifi - ministri më i përgatitur dhe më i kritikuar i Kurtit?
Rifat Latifi raportohet se ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë, dhe lajmi tashmë është konfirmuar nga burimet e gazetës Nacionale. Por, kush është Rifat Latifi?
Latifi kishte qenë ndër ministrat më të kritikuar të Qeverisë Kurti II nga opozita dhe shoqëria civile, përkundër që mandati i tij kishte qenë më i shkurti. Madje, së fundi kryeministri atij i ndërhyu në kompetenca duke hapur një Komision Ekzekutiv për Shëndetësi.
Ai ishte emëruar ministër më 16 nëntor të vitit të kaluar, pas dorëheqjes së Arben Vitisë – i cili paraprakisht kishte dhënë dorëheqje më 1 tetor të po atij viti.

Ardhja e Latifit në detyrë ishte bërë me shumë bujë dhe ishte prezantuar nga vetë kryeministri Kurti. Por, ishte po ky i fundit që i ka kërkuar dorëheqjen para disa ditësh sipas burimeve të Nacionales.
Rifat Latifi është një kirurg kosovaro-amerikan 67 vjeçar. Ai kishte lindur në fshatin Kllodernicë të Skënderajt. Shkollimin e kishte kryer pikërisht në Skënderaj dhe Prishtinë, por më 1982 kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Si hulumtues kishte punuar në Houston të Teksasit, dhe më pas e kishte kryer edhe specializimin në kirurgji në Universitetin e Clevelandit dhe në Universitetin e Yale. Ai kishte përfunduar specializim edhe në traumatologji, po në ShBA.
Rifat Latifi është laureat i Çmimit për Arritjen e Shekullit 21 për Shëndetësi nga Programi Computerworld Honors dhe ka fituar edhe Çmimin Ndërkombëtar për Promovimin e Shëndetit nga Komisioni për Akreditim të Rishikimit të Përdorim (URAC) në vitin 2011.
Latifi ka botuar nëntë libra për mjekësinë dhe është autor i mbi njëqind artikujve shkencorë. Ministri më herët kishte qenë edhe këshilltar për shëndetësi i ish kryeministrit Hashim Thaçi.
Ai kishte kryer detyrën e ministrit për gati 11 muaj.

