Zgjedhjet më 18 dhjetor në veri: Çka thanë dy partitë serbe pas takimit me presidenten Osmani - NACIONALE

Zgjedhjet më 18 dhjetor në veri: Çka thanë dy partitë serbe pas takimit me presidenten Osmani

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur datën 18 dhjetorin si ditë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës. Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviqi dhe Zveçani, do të zgjedhin kryetarët e rinj pas dorëheqjeve që ndodhën javë më parë.

Sipas Zyrës së Presidentes, vendimi për shpalljen e zgjedhjeve erdhi pas takimit të presidentës, Vjosa Osmani, me përfaqësuesit e partive politike në vend.

Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi”, u tha në njoftimin e Presidencës të hënën.

Më tej, Osmani ka theksuar se do të kërkojë nga partnerët ndërkombëtar pjesëmarrje sa më të madhë në monitorimin e procesit zgjedhor.

Kush mori pjesë në takim

Përveç partive politike kosovare, në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e partive serbe në Kosovë.

Aleksandar Jabllanoviq nga Partia Serbe Kosovës, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive, ishin dy përfaqësuesit që morën pjesë në këtë takim. Ky takim u injorua nga Lista Serbe si partia më e madhë serbe në Kosovë.

Jabllanoviq nuk ka bërë të ditur nëse partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit dhe ka thënë se situata nuk është e thjeshtë por “është situatë e komplikuar”.

Ne duhet që të kemi koordinim të qartë dhe të afërt me Qeverinë e Republikës së Serbisë, këto janë zgjedhjet në një moment specifik, i cili mund të jetë shumë i paparashikueshëm”, ka thënë ai pas takimit.

Ndërsa, Nenad Rashiq, ka thënë se zgjedhjet mund të sjellin përshkallëzim të situatë në veri të vendit dhe se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.

Unë isha pak më i theksuar se kolegu im, duke thënë se kushte për zgjedhje nuk ka. Pra zgjedhjet si të tilla mund që të përdoren për ngritjen eventuale të tensioneve, konflikteve, incidente dhe për përshkallëzim të disa veprimeve të padëshiruara dhe dhunës”, ka thënë ai duke shtuar se ka kërkuar që të shyhet afati për targat.

Dorëheqjet e serbëve

Suspendimi i Drejtorit të Policisë për Veriun dhe vendimit për targat, sipas serbëve të Kosovës, janë dy arsyet që çuan ata të dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Dorëheqjet filluan nga anëtarët e Listës Serbe të cilët u larguan nga të gjitha pozitat në institucionet. Dorëheqjet u pasuan nga kryetarët e komunave, pjesëtarët e policisë, gjykatat, prokuroria e në institucionet të tjera.

E rikthimin e tyre, Lista Serbe e ka kushtëzuar me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe largimin e vendimit për targat.

Në anën tjetër, Qeveria Kurti ka bërë thirrje që serbët të mos largohen nga institucionet teksa ka thënë se dorëheqjet po bëhen me orkestrim të Serbisë për të maskuar refuzimin e planit franko-gjerman.

Ligji

Sipas Ligjeve të Kosovës, në rast dorëheqje, të kryetarit të komunës, duhet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në ligjin që mbanë emrin, Ligji Për Vetëqeverisje Lokale, parashihet përfundimi i mandatit të kryetarit.

Aty thuhet se mandati i tij përfundon nëse jep dorëheqje.

Mbetet të shihet se cilat parti serbe do të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 dhjetorit.

Ndërkohë, rikujtojmë që SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për vazhdim të dialogut për të dalë nga situata e krijuar.

Lajme të ngjashme