Vendos Vjosa Osmani, me 18 dhjetor zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në komunat veriore - NACIONALE

Vendos Vjosa Osmani, me 18 dhjetor zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në komunat veriore

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

18 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore.

Kështu ka bërë të ditur para pak çastesh Presidenca përmes një komunikate.

“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e Osmanit.

Vjosa Osmani gjithashtu ka konfirmuar se institucionet e sigurisë do t’i ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që qytetarët pa dallim etnie, të ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese.

Si erdhi?

Gjithçka filloi nga lirimi i institucioneve nga pala serbe.

Policët serbë, gjyqtarët dhe anëtarët e administratës hoqën dorë nga të qenurit pjesë e institucioneve kosovare.

Kështu bënë edhe kryetarët e komunave veriore.

Kësisoj, presidentja, konform ligjeve në fuqi dhe në koordinim me Komisionin Qendror Zgjedhor, ka vendosur për 18 dhjetorin, si datë zgjedhore.

Pas takimit me përfaqësues të partive politike, Presidentja Osmani ka potencuar se do t’i drejtojë një kërkesë partnerëve ndërkombëtarë për monitorim të zgjedhjeve dhe pjesëmarrje sa më të madhe ndërkombëtare në këtë proces zgjedhor.

Ligji

Sipas Ligjeve të Kosovës, në rast dorëheqje, të kryetarit të komunës, duhet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme, shkruan Nacionale.

Në ligjin që mbanë emrin, Ligji Për Vetëqeverisje Lokale, parashihet përfundimi i mandatit të kryetarit.

Aty thuhet se mandati i tij përfundon nëse jep dorëheqje.

Tutje në Ligjin Për Zgjedhjet Lokale thuhet se, përfundimi i mandatit të Kryetarit të komunës, shkakton mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në atë komunë.

Gjithashtu aty thuhet se kryetari i ri i zgjedhur, e përfundon mandatin, atëherë kur do ta përfundonte mandatin kryetari paraprak.

Situata në Veri të vendit tashmë ka marrë përmasa serioze sa i përket punës institucionale atje, meqenëse dorëheqje ka pasur nga secili institucion.

Kësaj i parapriu Lista Serbe, e cila në një mbledhje të shtunën e 5 nëntorit diskutoi për gjendjen në veri.

Aty morën pjesë të gjithë liderët e Listës Serbe, por u panë edhe zyrtarë policorë të Kosovës nga veriu i vendit.

E një vendim i rëndësishëm, por i pritur, pat ardhur nga ky takim: Lista Serbe vendosi të largohej nga të gjitha institucionet e Kosovës.

"Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri", theksonte kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.

Ky takim i thirrur nga Lista Serbe erdhi pas vendimit të institucioneve të Kosovës për të suspenduar Nenad Gjuriqin, drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, pasi i njëjti refuzoi të zbatojë vendimin e Qeverisë Kurti për targat.

Rakiq, kryetar i Listës Serbe, tregoi se ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Veprimi i Qeverisë së Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për targat në disa faza, i ka zhgënjyer Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Ata kanë thënë se Kosova ka të drejtë për zbatimin e ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës, por se kjo duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e qarkullimit të automjeteve me targa ilegale në Kosovë, i shkallëzuar në katër pjesë, i cili ka filluar të zbatohet më 1 nëntor, ka sjellë telashe në terren, policët serbë që kanë refuzuar zbatimin e saj.

Lajme të ngjashme