Marrëveshja ekonomike Kosovë - Serbi, Grenell: Trump s'donte luftë politike - NACIONALE

Marrëveshja ekonomike Kosovë - Serbi, Grenell: Trump s'donte luftë politike

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një nga njerëzit më të fuqishëm të administratës Trump. Richard Grenell ishte goxha i angazhuar në dialogun Kosovë - Serbi, për kohën sa administrata respektive ishte në pushtet.

Ish-emisari i posaçëm ka folur sërish rreth synimeve që kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për negociatat mes dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Siç e ka potencuar vet Grenell, para marrëveshjes së 4 nëntorit 2020, Trump deklaronte se nuk dëshironte luftë politike mes dy vendeve.

Kjo është arsyeja që ShBA kërkonte ekonominë si kryefjalë të bisedimeve.

“Kur unë u mora me negociatat mes Kosovës dhe Serbisë ne patëm katër marrëveshje ekonomike. E fundit ishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ishte prej presidentit Donald Trump që thoshte të përqendrohemi tek ekonomia dhe të mos luftojmë politikisht gjatë gjithë kohës. Ai beson se mund të rrisni ekonominë, që të ju jepni të rinjve punë, që të përmirësoni jetën tuaj”, ka thënë Grenell në Televizionin Syri.

Problemi

Grenell njihet si një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të politikave të kryeministrit Kurti, pasi e konsideron këtë të fundit si një jopolitikan.

Kujtojmë, herën e fundit kur u shfaqën problemet në veri e që kishin të bënin me reciprocitetin mbi letërnjoftimet, Grenell kërkonte lirimin e ish-presidentit Thaçi, duke thënë se kryeministri aktual përbënte problemin kryesor.

“Një tjetër katastrofë e Blinken. Edhe shqiptarët e dinë se Kurti është problemi. Lirojeni Thaçin”, pat thënë ai.

Përpara, jo prapa

Richard Grenell, përkundër të gjithave pat deklaruar se Kosova do të jetë gjithmonë një aleate me ShBA-në.

Duke hedhur kritika ndaj politikanëve që bllokojnë procese, javë më parë thoshte se vendi ynë meriton një ekonomi të gjallë dhe paga më të mira për të rinjtë e të rejat.

"Kosova meriton një ekonomi të gjallë dhe paga të mira për të rinjtë e të rejat. Gjithashtu, Kosova duhet të jetë gjithmonë një aleat i SHBA-së. Dhe po, njerëzit e Kosovës meritojnë liderë që zgjidhin probleme politike duke ecur përpara e jo prapa", shkroi Grenell.

Ku është tash dialogu?

Askund. Përgjigje me plot gojë. Kryeneçësia e Kurtit dhe refuzimi ndaj amerikanëve për shtyrje të vendimit për targa dhe mosinicim të implementimit të Asociacionit kanë kthyer gjithçka prapa.

Serbët në veri kanë liruar institucionet kosovare, ndërsa sot presidentja e vendit shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna veriore.

Këtë e konfirmoi edhe Presidenca përmes një komunikate dërguar mediave.

“Udhëzohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetar të Komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, në përputhje me ketë vendim dhe ligjin në fuqi”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e Osmanit.

Vjosa Osmani gjithashtu ka konfirmuar se institucionet e sigurisë do t’i ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që qytetarët pa dallim etnie, të ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese.

Shumë njerëz janë skeptikë se të njëjtat mund të mbahen, por tashmë 18 dhjetori është vënë si datë zyrtare.

Lajme të ngjashme