“Faza 1” e Qeverisë Kurti drejt fundit: si mund të ndikojë “gjobitja” për targat ilegale në veri?
Me 21 nëntor do të skadojë faza e qortimit, për t’ia lëshuar rendin fazës së gjobitjës për të gjithë ngasësit e veturave me tabela ilegale serbe. Teksa po afrohet përfundimi i fazës së parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të mbahet një takim me synim për zgjidhjen e ngërçit me targat.
Madje, në një konferencë për media, Joseph Borrell, shefi i diplomacisë së BE-së ka theksuar nevojën për një zgjidhje para 21 nëntorit.
“Jam i gatshëm të bisedojë me liderët, nëse negociatorët arrijnë te një zgjidhje praktike te çështja e targave para 21 nëntorit, që është afati i fundit. Nuk mund të arrijmë këtë datë, pasi do të jemi në situatë të rrezikshme. Mund të them se po përballemi me krizën më serioze dhe më të rrezikshme që nga viti 2013. Të dyja palët duhet të gjejnë rrugë për t’i ndalur këto tensione”- deklaroi Borrell, transmeton Nacionale.
Analistët e sigurisë vlerësojnë se situata në veri është komplekse, duke theksuar se Qeveria e Kosovës duhet “urgjentisht” të rikuperojë marrëdhëniet e tensionuara me SHBA-në. Madje, ata parashohin edhe luftë speciale nga shërbimet inteligjente serbe.
Veriu...
Fadil Kajtazi, njohës i çështjeve të sigurisë, ka theksuar se vendimet e Qeverisë Kurti përkitazi me veriun janë komplekse, pasi ato ndikojnë në marrëdhëniet e mes Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar.
“Nga kjo, qeveria e Kosovës është dashur që ta analizoi shumë vendimin për targat, në mënyrë që ai të merrej vetëm kur të shterrën të gjitha rrugët për zbatim demokratik të këtij vendimi. Ndoshta kjo duket absurde, por të bërit politikë tjetër në raport me serbët e Kosovës dhe me Serbinë kërkon kapacitete tjera që ne fatkeqësisht nuk i kemi. Jam i bindur se versioni amerikan do të ishte njëra nga platformat mbi të cilat diplomacia e lodhur kosovare do të kishte mundur të arrij në pikën e zbatimit demokratik të këtij vendimi.”, tha ai për Nacionale.
Tutje, z.Kajtazi nuk përjashton mundësinë që Serbia të zbatojë një luftë speciale kundrejt Kosovës gjatë javëve në vazhdim. Madje, eksperti i sigurisë i tha Nacionales se shërbimet inteligjente serbe do të angazhohen në veprime të caktuara për të paraqitur Kosovën si të dhunshme karshi komunitetit serb.
“Sidoqoftë, jemi ku jemi, kemi hyrë në një fazë të mosdëgjueshmërisë qytetare e cila do të prodhoi përshkallëzime që do të jenë ta kontrolluara nga Serbia sipas mënyrës “duke shkaktuar dhe menaxhuar kriza”, e cila njihet si formë e luftës speciale. Kjo përfshinë një kombinim të aksioneve politike me ato subversive, të cilat do të jenë të intensitetit të ulët, ku do të tentohet që të manifestohet veprime kundër shtetësisë së Kosovës. Në mënyrë për të shmangur konfliktin në shkallë të gjerë, analistët e shërbimeve inteligjente serbe, do të konstruktojnë veprime të cilat do të jenë në mes të asaj që është joligjore dhe ligjore. E gjithë kjo është që para faktorit ndërkombëtar, për t’u fituar një imazh se: ndaj serbëve të Kosovës shteti po ushtron dhunë, dhe për t’i ju dhënë legjitimitet demokratik veprimeve subversive, që si qëllim kanë shkëputjen e pjesës Veriore të Kosovës.”, theksoi z.Kajtazi, i cili shton se Qeveria e Kosovës duhet të rikuperojë marrëdhëniet e tensionuara me SHBA-në.
Ndërsa, z.Drizan Shala, njohës i aspekteve të sigurisë, vlerësoi se vendimi për targat, ndonëse ka bazë të fortë ligjore, ka shkaktuar reagime të faktorit ndërkombëtar.
“Por në aspektin e jashtëm ky vendim ka shkaktuar reagime nga gjitha nivelet e kancelarive në Europe deri në SHBA duke bere thirrje dhe sygjerime për një terhjeke taktike dhe për ti dhënë mundësi për një arritje të marrëveshjes gjithëpërfshirese në mese Kosovës dhe Serbisë.”, tha Shala për Nacionale.
Tutje, Shala vlerëson se situata pas 21 nëntorit, data kur kalohet në fazën e gjobitjes, mund të përshkallëzohet.
“Qeveria e Kosovës duhet ta ketë parasyshë që nga data 21 nëntor do të prodhojë situatë e cila ka mundësi ti përngjajë situatës së sigurisë të ditëve para shpalljes se pavarësisë 2008 në veri.”, përundoi z.Shala.
Kujtojmë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat ka ngjallur reagime të shumta nga ana e faktorit ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të zëshme në kërkesën e tyre për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit për targa, e që ishte edhe kërkesë personale e sekretarit amerikan, Anthony Blinken.

