“Treshi përsheshi” i VV-së: deklaratat më të “çuditshme” të Dimal Bashës, Mefail Bajqinovcit dhe Jahja Kokës - NACIONALE

“Treshi përsheshi” i VV-së: deklaratat më të “çuditshme” të Dimal Bashës, Mefail Bajqinovcit dhe Jahja Kokës

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Sigurisht, më të vjetrin e mbajnë mend më mirë Lecin, Cimën dhe Qumilin, që është ndoshta treshja më e famshme e humorit të Kosovës. Me humorin e tyre, që jo rrallëherë është kritikuar, ata kanë mbetur në memorien kolektive të qytetarëve. Me shumë gjasë, Dimal Basha, Mefail Bajqinovci e Jahja Koka, të tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, do të gëzojnë të njëjtin status në kujtesën kolektive kosovare.

Dhe pikërisht për të njëjtën arsyeje: humorit. Ose thënë më konkretisht, për shkak të deklaratave “qesharake”, që u ngjajnë shumë skeçeve të “treshit përsheshit”. Mbi të gjitha ato janë argëtuese dhe ngjallin shumë disponim tek publiku, siç ngjau sot me redaksin e Nacionales pas deklaratës së z. Bashës për “livadhin për nanat”.

Lista e deklaratave, që kanë ngjallur reagime të shumta (madje janë shndërruar në meme), është e gjatë, por më poshtë mund t’i gjeni disa prej më epikeve.

Dimal Basha

Basha është njësh. Deputeti nga Ferizaj është absolutisht më i famshmi nga të tre subjektet e këtij teksti për deklarata të çuditshme. Ai është edhë më i komentuari. Së paku një herë, çdutishmëria e z. Bashës u shpërfaq edhe nëpërmjet pamjes së jashtme, duke u veshur në ngjyra të flamurit italian për ditën kombëtare të Italisë.

Historia e deklaratave të tilla të Bashës si deputetët është e gjatë. Por një e mbrëmshme ishte skandaloze e me tone seksiste, duke kërkuar një “livadh për t’i lëshuar nënat me lujtë”.

Ferizaji e ka një problem jashtëzakonisht të madh që është betonuar komplet. Një krim urbanistik ka ndodh me ato ndërtesat, ku s’ka hapësirë të gjelbër kurrkund. Edhe ne jemi ngulfatë prej betonit. Hapësira e vetme e gjelbër që ka mbetë është pas Pallatit të Sportit…Ne jemi 150 mijë qytetarë që na vyen një park i gjelbër me dalë me ecë, me shëtit dikund. Po flas për nanat, po flas për fëmijët, po flas për pleqtë. Atyre iu vyen një hapësirë e gjelbërt, ku mundem me shku në këmbë, me shëtit, ku kanë një park të madh, ku duhet me pas një platformë edhe ku me ba koncerte verës kur vijnë diaspora. Një livadh ku mundemi me i lëshu nanat me lujtë se te na dalin bajnë peticion nja 10-15 veta…. Unë jam që 150 mijë qytetarë me pas një park të mirë.” - ka deklaruar Basha në RTV Dukagjini.

Basha e kishte edhe një deklaratë rreth “përhajrit” që i bëri ministres Artane Rizvanolli me rastin e lëshimit në funksion të Bllokut B.

Ju po bëni hajgare për Bllokun B, por unë kam shku për përhair te ministrja për Bllokun B. Havëll kena përgatitë.” – kishte theksuar Basha, e cila deklaratë kishte shkaktuar të qeshura të mëdha në Pressing të T7.

Natyrisht, në “reportuarin” e Bashës nuk mungojnë as fjalët e mëdha për liderin e tij, Albin Kurti, që mund të lexohen si servilosje.

"Është lider, njeri, shtetar i jashtëzakonshëm. Me thanë të drejtën nuk kam ndonjë vërejtje te ai, përveç se i kisha thënë me marrë pushim pak më shumë se punon më shumë se që duhet." - tha ndër të tjerash Basha në Duelin Botëror në Dukagjin.

Mefail Bajqinovci

Shtatlarti i Lëvizjes Vetëvendosje, që vazhdimisht ka probleme me mangët e shkurtra të xhaketës, është në garë të fortë me Bashën për vendin e parë të paraqitjeve qesharake. Por njëra nga deklaratat më të bukura për nga gjerësia e humorit, ishte ajo për jashtëzakonshmërinë e Kurtit kundrejt opozitës.

Deputeti nga “Kodra e Trimave”, u trimërua në emisionin “Java me Rronin”, duke theksuar se Kurti e “palavitë” krejt opozitën.

Shiko, kjo fjala tuc, tuc, tuc, tuc… unë e di si debaton z. Kurti. Këta jo që i çmonton, por i palavitë që thotë populli. Ka pasur takim me z. Lajçak. Përndryshe, këta nuk i bën hesap. Ju e dini, Kurti është i jashtëzakonshëm në debate. Dhe nuk i dihet shumë përgatitje për opozitën”, deklaronte Bajqinovci në KTV.

Z. Bajqinovci çuditi edhe me një deklaratë të tjerë.

Kryeministri Kurti nuk po na e tregon planin për veriun as neve deputetëve të Grupit Parlamentar te LV-së, e po ia tregon deputetit të LDK . Kur të më të tregon mua Lumir, mos ta nin se pastaj ta tregoj unë ty planin për veriun.” – shkruante Bajqinovci në profilin e tij në Facebook.

Bajqinovci befasoi edhe me deklaratën për çmimin e bukës.

Buka nuk është më shtrenjtë. Sa është buka? Buka ku unë e blej është 35 dhe 40 cent, jo 50 centë. Unë po flas në lagjen ku blej unë”, shprehej Bajqinovci.

Jahja Kokaj

Deputeti më i moshuar i Kuvendit, Jahja Kokaj, ka një histori relativisht të bujshme me momente qesharake. Mesiguri, më e njohura nga të gjitha është ajo për lansimin e raketës për në gjithësi gjatë qeverisjes së Kurtit.

Kjo mund të ndodhë nëse e realizoj një projekt, një raketë jo të madhe do e nis” – shprehej fillimisht z. Kokaj në T7.

Kokaj tentoi ta shpjegonte deklaratën e tij nëpërmjet një postimi në formë reagimi të Facebook.

Në një emision televiziv, në pyetjen e gazetarit nëse ka mundësi që sateliti të lëshohet nga trolli i Kosovës, unë gjithsesi iu përgjigja po. Sigurisht, në mungesë të informacionit paraprak, ose njohurive fillestare të kësaj fushe, dikush habitet ose me “hata” duke i dhënë asaj konotacione qesharake (nga injoranca ose dashakeqesia). Duke injoruar qëllimit të komenteve të të painformuarve (të shprehur ne menyre te bute butë), e ndiej të nevojshme këtu, që publikut ti shpjegojë”, shkruante z. Kokaj.

Në listën e Kokajt, ekziston edhe një deklaratë tjetër që publiku, së paku ai në Facebook, nuk e harron dot. Dhe ajo deklaratë nuk është në gjuhën shqipe, por në latinishte.

Në qoftë se don me arritë p.sh tek kjo foltore për të cilën sot arrita, është shumë vështirë të arrish unë i shoh do kolegë të mijë me çdo respekt arrijnë në mënyrë frekurente, ndërsa ai ka thënë në atë gjuhën e tektekëve tha duhet “actum-taktum-llaktum” që i bie shqip duhet me një aktivitet, strategji por edhe me brryla…, por sidoqoftë është sot jam duke i thirrur grevistet edhe si grevistë i dikurshëm, kur tri ditë ishte një sinkronizim i madh, si njeri që kam punuar në mbijetesën e universiteti si koleg i tyre nga kjo pozitë ti lus udhëheqësit grevistë që të kthehen e pastaj, në mënyrë si vullkane të gjinden modalitetet, gjinden modalitetet.” – deklaronte kohë më parë z. Kokaj në Kuvend.

Lajme të ngjashme