Shkëlqimi dhe ofendimi i Borrellit: nga i “preferuari” i Kurtit në “vorr” e “mashtrues” - NACIONALE

Shkëlqimi dhe ofendimi i Borrellit: nga i “preferuari” i Kurtit në “vorr” e “mashtrues”

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Joseph Borrelli ishte i parapëlqyeri i Albin Kurtit kundrejt ShBA-së për ta udhëhequr dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Arsyetim i udhëheqësit të VV-së ishte një interpretim gjeografik: Kosova është në Evropë, jo në Meksikë. Por ai tashmë është ish i parapëlqyeri. Që nga dje, Borrelli është shndërruar në shënjestër të sulmeve me batare të VV-së. Mëkati i vetëm i Borrellit: kritika ndaj Kurtit. Natyrisht, një mëkat i pafalshëm dhe i patolerueshëm, që e bëri të parapëlqyerin meritor për "korrigjim" të domosdoshëm.

marsin e vitit 2020, kryeministri Kurti ishte deklaruar për përfshirjen shumë aktive të ShBA-së në dialog. Në një përplasje të vazhdueshme me Richard Grenellin, i besuari i ish-presidentit Donald Trump, Kurti kishte zgjedhur të deklarohej në favor të Borrellit si ndërmjetësues në dialog. Natyrisht, përveç Grenellit të ShBA-së, Kurti, me shumë gjasë, këtë qëndrim e mbante edhe për shkak të Hashim Thaçit, atëbotë president i Kosovës, që ishte përzgjedhur me besim si “njeriu i amerikanëve” nga Administrata Trump.

Kosova është shtet në kontinentin e Evropës, e nuk është atje në kufi me Meksikën. Thaçi më keq po flet për Borrellin, Lajçakun e Brukselin sesa për Daçiqin, Vuçiqin e Beogradin. Borrelli e Lajçaku nuk kanë kryer gjenocid në Kosovë” – ishte fakti gjeografik të cilën Kurti e kishte përdorur si argument përfundimtar.

Ndërsa sot, z. Kurti e kritikon z. Borrellin, korrigjimi i të cilit, sipas shefit të ekzekutivit, është "i domosdoshëm".

Ne jemi optimistë dhe besoj që korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm. Është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve, e liderët, unë si kryeministër i Kosovës dhe Vuçiqi si president i Serbsië, të flasin e dakordohen për targa, për të cilat, dorën në zemër, as unë në Kosovë e as ai në Beograd nuk jemi personat përgjegjës”- ka thënë Kurti këtë të martë gjatë një vizite në Prizren.

Pra tash, Borrelli s’është më evropiani i preferuar, rrjedhimisht s’është më i dëshiruari ndërmjetës. Lëvizja Vetëvendosje, përfshirë deputetë, aktivistë e përkrahës të saj, e kanë shndërruar në cak sulmesh z. Borrellin, duke e quajtur madje edhe “Vorrel”.

Lamtumirë Borrell, mirësevjen “Vorrel”!

Mefail Bajqinovci, deputet i VV-së, që në mëngjes shkroi një status super të shkurtër, por thellësisht skandaloz. Mbi një fotografi bardhezi të Borrellit, Bajqinovci shkroi “Vorrel”, duke ia deformuar emrin shefit të diplomacisë evropiane.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së VV-së, Elvis Hoxha, që është aktivist shumë i respektuar nga Kurti, e quajti Borrellin mashtrues që “nuk ka lidhje me drejtësinë”.

E keqja nuk është se ndërmjetësi është mashtrues, as se hajni përvetësoi ato që ka grabitur. Por se përfundimi i këtij negocimi të shkurtër legjitimoi dy fakte: 1. Hajni ka vjedhur; 2. Ndërmjetësi nuk ka lidhje me drejtësinë” - tha z. Hoxha në profilin e tij në Facebook.

Sidoqoftë, z. Hoxha nuk u mjaftua me kaq, duke shkruar edhe një status tjetër, ku parafrzoi një thënie të Kurtit.

Edhe zonja Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme, shkroi në mënyrë disi të turbullt, duke thënë se “asnjëherë” nuk mund të arrihet normalizimi me qetësimin e kriminelëve. Ministrja Gërvalla, që ishte pjesë e delegacionit të Kurtit në Bruksel, nuk tregoi se kush është duke tentuar t'i “qetësojë kriminelët”, por nënkuptimi është i qartë: Borrelli.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo mund të arrihet në mënyrë të qëndrueshme vetëm me zgjidhje të drejta, me njohjen reciproke në qendër. Asnjëherë me qetësimin e ngatërrestarëve dhe kriminelëve, vetëm me sundimin e ligjit” – shkroi Gërvalla.

Gjuhë jashtëzakonisht të ashpër pati edhe komandantja supreme e FSK-së, Vjosa Osmani. Presidentja e Kosovës shkroi një status të gjatë në të cilin z. Borrell u quajt ndërmjetës i anshëm, akomodues i agresionit e prezantues i një realiteti tërësisht të shtrembëruar.

Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën” – shkroi ndër të tjera zonja Osmani.

Kujtojmë që z. Borrell, në fjalimin pas takimit të dështuar mes Kurtit dhe Vuçiqit, theksoi se do t’i informojë shtetet anëtare për sjelljen e Kosovës.

Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve dhe për mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën)” – u shpreh z. Borrell, transmeton Nacionale.

Madje ish-ndërmjetësi i parapëlqyer i Kurtit deklaroi se sundimi i ligjit nuk mund të shërbejë për tensione.

Sundimi i ligjit nuk duhet të shërbejë si pretekst për tensione dhe eskalim, ndërsa nuk respektohen obligimet e rëndësishme për të cilat është arritur marrëveshje shumë vjet më parë në dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe paraardhësit e mi, përfaqësuesit e lartë”- vlerësoi ai.

Kujtojmë që pas kërkesës së ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, kryeministri Kurti e ka shtyrë për 48 orë fillimin e zbatimit të fazës së gjobitjes ndaj drejtuesve të automjeteve me targa ilegale serbe.

Lajme të ngjashme