S’ka agjendë të publikuar, çka mund të diskutohet në Bruksel më 18 gusht? - NACIONALE

S’ka agjendë të publikuar, çka mund të diskutohet në Bruksel më 18 gusht?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Është e ditur. Me datën 18 të këtij muaji do të mbahet një takim i nivelit të lartë të dialogut Kosovë – Serbi.

Kjo veçse është konfirmuar javën e kaluar nga Zyra e BE-së për Nacionalen.

“Mund të konfirmoj se pasi Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell ftoi të dyja palët në Bruksel, presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti e pranuan ftesën e tij dhe ata do të priten në Bruksel më 18 gusht nga Përfaqësuesi i Lartë dhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajčák për të diskutuar rrugën përpara në Dialogu i Beogradit Prishtinë. Do të ndajmë më shumë detaje rreth logjistikës dhe agjendës më afër ditës së takimit”, thuhej në përgjigjen gjegjëse.

Opozitë pesimiste

Megjithatë, nga opozita nuk presin asgjë prej këtij takimi. Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Berisha ka thënë se nuk pret asgjë konkrete nga ky takim, ngase sipas tij nuk e merr seriozisht çështjen e Kosovës.

“Z. Kurti prej kushtëzuesi të takimeve me Vuçiqin është shndërruar në ekzaltues të takimeve. Nuk pres asgjë konkrete nga ky takim, ngase ai nuk e merr seriozisht çështjen e Kosovës. Ai dialogun është duke e përdorë si instrument të faktorizimit të vetes dhe për qëllime të ngushta politike, e jo si një proces serioz me implikime shumëpalëshe. Në fakt z. Kurti është joserioz në të gjitha temat serioze, përderisa aktron seriozitet në tema joserioze”, tha ndër tjerash Berisha për gazetaren e Nacionales, Arta Avdiu.

Në fakt kanë qenë të shumtë ata nga opinioni publik kosovar që nuk presin rezultate konkrete nga ky takim, ani pse për ndërkombëtarët është shumë i rëndësishëm, kur kemi parasysh faktin se me 1 shtator fillon zbatimi i vendimit për reciprocitetin.

S’ka agjendë

Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë agjendë të publikuar. Madje, zyrtarët evropianë e kanë pranuar që një e tillë deri më tani nuk është publikuar, porse e njëjta do të mësohet gjatë ditëve në vijim, ani pse nuk kanë mbetur edhe shumë ditë.

“Ne do t’i bëjmë publike detajet dhe agjendën e takimit”, ka thënë Stano për RTV Dukagjinin.

Kujtojmë faktin se ky takim erdhi pas zhvillimeve në veri me datën 31 të muajit që lamë pas.

Përmendim barrikadat e vëna nga strukturat paralele, si protestë ndaj vendimeve të qeverisë për çështjen e reciprocitetit dhe letërnjoftimeve të përkohshme.

Gjithçka pasoi me ftesën e Josep Borrell, që deklaronte se vetëm Brukseli është rruga e duhur për t’i qetësuar gjakrat.

Çka mund të diskutohet?

I pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se në kryeqendrën evropiane, përballë Vuçiqit nuk do të diskutojë për reciprocitetin, pasi gjithnjë sipas tij, kjo për të është çështje e mbyllur.

Por, sa do të jetë e saktë kjo teori? Askush s'e di. Kurti ka mandat kushtetues për të përfaqësuar vendin tonë në tavolinën e bisedimeve, ndërsa mbetet të shihet me datën 18 të këtij muaji se si do të rrjedhin gjërat.

Si rëndom, Nacionale do t'ju raportojë në kohë reale për çdo lidhur me këtë takim dhe jo vetëm.

Lajme të ngjashme