Takimi i 18 gushtit - PDK, LDK e AAK e këshillojnë Kurtin të mos diskutojë për çështje teknike në Bruksel
Data 18 gusht do të ulë në tavolinë, përballë njëri-tjetrit, në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Takimi do të mbahet në kohën kur Kuvendi, që kontrollon ekzekutivin, është në pushim. Partitë opozitare e kritikojnë qasjen e Kurtit karshi dialogut, duke i kërkuar atij të ndërpresë “dialogun teknik” me Serbinë.
Takim i javës së ardhshme vjen pas tensioneve në veri të Kosovës, që u shkatuan si pasojë e zbatimit të masës së reciprocitetit për dokumente personale dhe targa të automjeteve.
Një mal me kritika
Opozita ka shumë kritika për mënyrën se si Kurti po i qaset dialogut. Madje, partia më e madhe opozitare po kërkon nga Qeveria t’i nderpresë takimet në Bruksel për çështje teknike.
Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratikë të Kosovës, i tha gazetës “Nacionale” se kryeministri Kurti nuk është konsistent në qëndrimet e veta.
“E vetmja gjë konsitente te Kryeministri Kurti është mungesa e konsistencës dhe prania e kaosit. Dje foli për lufte, javën tjetër në Bruksel me Vuçiqin”, deklaroi ajo.
Tutje, Çitaku theksoi se Kurti duhet të bisedojë me Serbinë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen e Kosovës.

“Ne kërkojme që Kryeministri mos të diskutojë as për stikersa e as për çështje teknike. Nuk duhet të pajtohemi për asgjë pa u pajtuar për të gjitha. Kosova duhet të insistojë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohjen reciproke në qendër. Gjithçka tjetër është humbje kohe”, deklaroi nënkryetarja e PDK-së.
Edhe përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Berisha, është kritik ndaj qasjes së kryeministrit Kurti në dialogun e lehtësuar nga Brukseli.
Në një përgjigje për Nacionalen, ish-ambasadori theksoi se Kurti nuk e merr seriozisht çëshjen e Kosovës.
“Z. Kurti prej kushtëzuesi të takimeve me Vuçiqin është shndërruar në ekzaltues të takimeve. Nuk pres asgjë konkrete nga ky takim, ngase ai nuk e merr seriozisht çështjen e Kosovës. Ai dialogun është duke e përdorë si instrument të faktorizimit të vetes dhe për qëllime të ngushta politike, e jo si një proces serioz me implikime shumëpalëshe. Në fakt z. Kurti është joserioz në të gjitha temat serioze, përderisa aktron seriozitet në tema joserioze”, komentoi Berisha për Nacionale.
Berisha tha gjithashtu se kryeministri nuk ka komunikim me opozitën, duke shtuar se Kurti e ka dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Rrjedhimisht, ai nuk ka komunikim normal as me opozitën, as me institucionet, e as me temat. Ajo çfarë mbetet serioze është dëmtimi i pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, përderisa në rrafshin e brendshëm zhvillon politika polarizuese, rritje e intolerancës dhe si rezultat kemi përkeqësimin e përditshëm të gjendjes ekonomike e sociale”, u shpreh Berisha.
Po ashtu edhe nga Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës kërkojnë që në Bruskel të mos diskutohet për vendimet e Qeverisë që kanë të bëjnë më çështjet e brendshme të vendit.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, në një përgjigje për Nacionalen tha se Qeveria nuk i ka njoftuar dhe nuk ështe konsultuar paraprakisht me ta për takimin e 18 gushtit.
“Kryeministri Kurti në raport me vendimin për takimin më 18 gusht nuk e ka e konsultuar Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëkohësisht nuk ka kërkuar asnjë konsultë paraprake. Qeverisë ne i kemi thënë që kërkesa jonë është eksplicite. Ndalimi i takimeve në Bruksel për vendimet e Qeverisë për çështjet e brendshme”, tha ai.
Deputeti i AAK-së e ndan një qëndrim të ngjashëm me Çitakun e PDK-së rreth përmbajtjes së marrëveshjes finale.
“Ndalimi i dialogut teknik dhe përkushtimi i plotë në dialogun sipas diskutimeve me Sekretarin Blinken për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë”, janë elementet që duhet t’i përmbajë marrëveshja finale sipas Tahirit.
Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresë të Qeverisë së Kosovës për të pyetur rreth temave që do të diskutohen në takimin e 18 gushtit. Por, si zakonisht, përgjigjja ka munguar.
Kujtojmë që zbatimi i reciprocitetit për targa e dokumente është shtyrë deri më 1 shtator, pas kërkesës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier.
Ndryshe, gjatë kësaj jave në dy intervista në media ndërkombëtare, kryeministri Kurti ka potencuar rrezikun e luftës me Serbinë. Këto deklarata kanë ngjallur shumë reagime të opozitës e analistëve të ndryshëm, teksa deklaratat e Kurtit kanë bërë jehonë të madhe në mediet ndërkombëtare.



