Paralajmërimet e Kurtit për luftë, mediet e huaja shkruajnë për "frikën" e kryeministrit - NACIONALE

Paralajmërimet e Kurtit për luftë, mediet e huaja shkruajnë për "frikën" e kryeministrit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një deklaratë e kryeministrit Albin Kurti, ku paralajmërohej për luftë mes Kosovës e Serbisë, është kritikuar shumë nga opozita kosovare. E jehona e deklaratave të dhëna në "La Repubblica", tashmë ka marrë dhenë në mediet ndërkombëtare.

Gazetat e njohura ndërkombëtare po vazhdojnë të raportojnë për luftën e mundshme në mes Kosovës e Serbisë.

Çfarë shkruajnë mediet e huaja?

Nacionale ka raportuar vazhdimisht rreth ehos së deklaratave të Kurtit rreth mundësisë së luftës mes Kosovës e Serbisë.

Ndër mediet e njohura që shkroi për veriun është “The Spectator”, gazetë e njohur britanike.

Kryeministri i Kosovës ka folur për një luftë të mundshme në vend me Rusinë si nxitëse”, shkruan në hyrje të shkrimit të saj, gazetarja Melanie McDonagh.

Ajo pyet nëse duhet të brengosen njerëzit për një luftë të re në Evropë, pas paralajmërive të Kurtit për potencialitetin e luftës.

Unë do të thosha që të qetësohemi. Jo që unë jam e pagabueshme. Unë isha ajo që thosha se Rusia kurrë nuk do ta pushtonte Ukrainën. Por ndonëse ka tensione mes Kosovës dhe Serbisë, ato kanë shumë pak gjasa që të çojnë në luftë”, shkruan "The Spectator".

Tutje, gazeta e njohur britanike shkruan për marrëdhënien mes Serbisë e Rusisë, duke shtuar për incidentet e fundit në veri të Kosovës.

Qartazi, Rusia ka qasje pronësore ndaj Serbisë. Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë, shpesh flet për Kosovën si një objekt mësimi për atë se si të mos kryhen çështjet ndërkombëtare. Dhe kanë qenë disa incidente të neveritshme rishtazi: sulmet ndaj rojave në kufirin verior në Mitrovicë; një protestë kundër përdorimit të targave të veturave nga serbët, të lëshuara nga Prishtina; dhe një spiune ruse të arrestuar rishtazi në kufirin kosovar. Të gjitha shumë nxitëse, por asnjëra e re, përpos spiunes”, nënvizon “The Spectator”.

Sipas gazetës britanike, Rusia mund të jetë prapa incidenteve në veri, por lojtarja e vërtetë në Mitrovicë është Serbia.

Sigurisht, Rusia mund të jetë prapa incidenteve si të shtënat ndaj rojave kufitare, por Serbia është lojtarja e vërtetë në Mitrovicë dhe zor se i nevojitet nxitje nga jashtë. Ajo që është e rëndësishme këtu është që bisedimet e gjata mes Serbisë dhe Kosovës, që kanë qenë duke u zhvilluar qe disa vjet, nuk kanë arritur saktësisht askund.”, shkruan "McDonagh" për gazetën britanike.

Por, ajo konkludon se për shkak të prezencës amerikane, lufta zor se mund të ndodhë. Andaj fton për qetësi.

Ata kanë një bazë ushtarake në Kosovë dhe përkrahje ajrore brenda qasjes së lehtë. KFOR-i është ende në Kosovë dhe trupat italiane janë shumë të dukshme përreth Mitrovicës. Edhe Britania, gjithashtu, po i trajnon forcat kosovare të mbrojtjes. Me fjalë të tjera, nuk jemi në një situatë të stilit të Ukrainës. Nuk jemi as afër saj. Ka shumë gjëra për t’u shqetësuar për to në ish-Jugosllavi, por nuk është gushti i vitit 1914, as prilli i vitit 2022. Qetësohuni, të gjithë”, përfundon shkrimi i "The Spectator".

E një artikull Kosovës ia ka kushtuar edhe "Politico", gazeta e njohur amerikane.

Paniku është pakësuar – të paktën tash për tash – pasi një mosmarrëveshje kufitare javën e kaluar shkaktoi frikë se Kosova dhe Serbia mund të ishin duke shkuar drejt një lufte tjetër në tokën evropiane”, shkruan në hyrjen e saj rreth tensioneve mes Kosovës e Serbisë.

Tutje, ajo shrkuan se tensionet do të vazhdojnë edhe më tutje në veri.

Tensionet e konsiderueshme, që e nxitën mosmarrëveshjen e javës së kaluar, nuk do të largohen. Udhëheqësit nga të dyja palët ende po shkëmbejnë retorikë të tensionuar. Ndërkohë, rregullat e reja, që e nxitën protestën javën e kaluar, thjesht janë shtyrë për një muaj, duke e lënë çështjen të pazgjidhur. NATO-ja e BE-ja janë thellësisht të gërshetuara në përpjekjet lokale për ruajtjen e paqes, duke u dhënë institucioneve një pikë tjetër të mundshme tensioni, kur ato tashmë po kanë vështirësi që ta mbajnë unitetin në raport me Ukrainën”, vazhdon shkrimi i "Politico".

Për deklaratat e Kurtit ka shkruar edhe agjencia shtetërore e lajmeve e Turqisë, Anadoly Agency.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se rreziku i një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë është i lartë, pasi situata në zonë ka ndryshuar pas luftës në Ukrainë”, shkruan "AA".

Çfarë tha Kurti?

Në intervistën për gazetën e njohur italiane, "La Repubblica", të cilën e përktheu Nacionale, Kurti foli për tensionet në veri. Më konktretisht, ai theksoi se sulmet ndaj Policëve të Kosovës në atë pjesë të vendit, po bëhen nga njerëz të paguar nga Beogradi.

Por, Kurti nuk e përjashtoi mundësinë e një konflikti në Kosovë për shkak të Rusisë, e cila sipas tij po tenton të shtrijë ndikimin e pansllavizmit.

“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti për "La Repubblica" të Italisë.

Shefi i Qeverisë e përmendi Rusinë edhe në një intervistë tjetër, të publikuar po ashtu dje.

Gjatë deklarimit për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se Rusia po dëshiron të destabilizojë Ballkanin, e në veçanti Kosovën.

“Nuk është e çuditshme që ajo vjen nga Serbia, meqenëse Rusia po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për të destabilizuar Ballkanin dhe në veçanti [për ta] sulmuar Kosovën që është rast i suksesshëm edhe i intervenimit të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në pranverën e vitit 1999 edhe shembull suksesi i zhvillimit ekonomik me demokraci cilësore”, theksoi ai.

Lajme të ngjashme