Politico: Evropa po i shikon me kujdes Kosovën e Serbinë
Paniku është pakësuar – të paktën tash për tash – pasi një mosmarrëveshje kufitare javën e kaluar shkaktoi frikë se Kosova dhe Serbia mund të ishin duke shkuar drejt një lufte tjetër në tokën evropiane.
Politico
Këtu, në terren, njerëzit e kanë mohuar këtë mundësi, duke i kundërshtuar spekulimet e vrazhda – dhe dezinformatat – në garë kundër rrjeteve sociale. Për banorët, këto tensione të kohëpaskohshme janë ndodhi e rregullt dhe jo domosdo paraardhëse të kthimit në luftimet dhe gjakderdhjen që mbizotëruan në Ballkan në vitet e nëntëdhjeta.
Prapëseprapë, kur në lindje të Ukrainës po zhvillohet lufta e plotë e Rusisë, Evropa është në tension.
Tensionet e konsiderueshme, që e nxitën mosmarrëveshjen e javës së kaluar, nuk do të largohen. Udhëheqësit nga të dyja palët ende po shkëmbejnë retorikë të tensionuar. Ndërkohë, rregullat e reja, që e nxitën protestën javën e kaluar, thjesht janë shtyrë për një muaj, duke e lënë çështjen të pazgjidhur.
NATO-ja e BE-ja janë thellësisht të gërshetuara në përpjekjet lokale për ruajtjen e paqes, duke u dhënë institucioneve një pikë tjetër të mundshme tensioni, kur ato tashmë po kanë vështirësi që ta mbajnë unitetin në raport me Ukrainën.
“Ka pasur dërdëllitje në mbarë botën për shpërthimin e luftës së radhës në Kosovë”, tha Donika Emini, eksperte e raporteve Kosovë – Serbi dhe udhëheqëse e një rrjeti të organizatave të shoqërisë civile. “Kjo kurrë nuk ka ndodhur më parë – kemi pasur kriza shumë më të këqija se kjo dhe audienca globale zor se u kushtoi vëmendje”, shtoi ajo.
“Sidoqoftë, për shkak të luftës në Ukrainë, të gjithë janë në gjendje të lartë vigjilence”, tha Emini.
Çfarë do të ndodhë më tutje?
Tash për tash, barrikadat janë larguar, por masat që e shkaktuan ngritjen e tyre janë shtyrë vetëm deri më 1 shtator me shpresë që të gjendet një zgjidhje.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se të dyja palët do të takohen në Bruksel më 18 gusht. Prapëseprapë, mundësia që çështja të zgjidhet për një muaj duket e vogël.
Të martën, presidenti serb, Aleksander Vuçiq, tha se është i përgatitur që të shkojë në Bruksel për t’u takuar me Kurtin në kërkim të një marrëveshjeje. Por ai shtoi se “nuk pret asgjë nga takimi”.
“Kushdo që mendon se është e mundshme që të mbahet paqja me Albin Kurtin, e ka gabim”, tha ai në televizionin serb, RTS.

Edhe Rusia është përfshirë në konflikt për shkak të marrëdhënieve të ngushta me Serbinë, gjë që i ka bërë njerëzit që ta akuzojnë propagandën e Kremlinit për nxitje të tensioneve. Kurti madje u bëri thirrje qytetarëve që “të mos bien pre e propagandës së Moskës” pas ngjarjeve të së dielës.
Sipas Ramadan Ilazit, udhëheqës i hulumtimeve në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, mënyra më e mirë që Kosova të bëjë përparim është që ta avancojë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe ta bëjë më të lehtë për serbët lokalë që ta ndryshojnë besnikërinë e tyre, të paktën formalisht, nga Beogradi në Prishtinë.
“Dy rezultatet e mundshme të incidenteve të fundit janë ose shtytje e re për t’i zgjidhur përfundimisht çështjet e pazgjidhura ose regres në situatën dhe që progresi i bërë deri më tani të zhbëhet tërësisht”, tha ai.
