Paralajmëron Enver Hoxhaj: Shtatori e rikthen dialogun për njohje reciproke
Vendimi i Qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë tensionoi situatën në veri të Kosovës. Ndaj një përpjekjeje të tillë, serbët u revoltuan duke bllokuar rrugët e duke shtënë me armë në drejtim të Policisë. E çështja e reciprocitetit, zbatimi i së cilës u shty për 30 ditë, pritet të përfundojë si temë në dialog.
Reciprocitetin në çështje të targave e dokumenteve, e ka përkrahur edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Por, deputeti i njohur i PDK-së, Enver Hoxhaj, beson se Kosova, nga shtatori, kur përfundon shtyrja 30-ditëshe e reciprocitetit, do t’i kthehet dialogut “si vendimmarrje strategjike”.
Shtatori në sytë e Enver Hoxhajt
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, që tash është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, në një deklaratë të tij për Nacionalen, ka pandehur vendimin për reciprocitet si të domosdoshëm.
Madje ai thekson se reciprociteti do të mundësojë kthimin e Kosovës në negociata, me synim arritjen e njohjes së ndërsjellë.
“Vendimi për reciprocitet në targa dhe dokumente të udhëtimit në zbatim të marrëveshjeve të Brukselit ka qenë i domosdoshëm, por është vetëm vendim taktik dhe jo strategjik! Kosova duhet nga shtatori t’i kthehet dialogut si vendimmarrje strategjike dhe për të arritur marrëveshje të njohjes së ndërsjelltë, dhe vetëm kjo qasje siguron reciprocitet politik dhe barazi të plotë ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë si dy vende të pavarura dhe sovrane! Qeveria Kurti po bën dialog pa parime dhe pa platformë shtetërore, dhe dialogu teknik është kundër interesave të Kosovës!”, shpjegoi Hoxhaj për Nacionale.
Deputeti Hoxhaj shprehu nevojën e Kosovës për t'u fokusuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, momentumi për të cilën, mund të përftohet nga gjendja e krijuar tani.
“Vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohjen e ndërsjelltë si qëllim dhe fokus madhor, duke përfshirë edhe elemente të tjera ekonomike dhe shoqërore, është në interes të Kosovës! Nuk mjafton për ta ushtruar sovranitetin e brendshëm, kur është ende kohë e mundësive të mëdha për ta përmbyllur sovranitetin e jashtëm, gjë të cilës i shërben dialogu dhe një politikë e jashtme aktive! Mjerisht zoti Kurti e ka shndërruar politikën e jashtme në dialog me Serbinë dhe dialogun politik ndërshtetëror në dialog teknik! Shtatori është mundësi për një momentum të ri!”, vazhdoi Hoxhaj fjalën e tij për Nacionale.

30 ditë pritje...
Ndryshe, kërkesës së SHBA-së për shtyrje për një muaj të zbatimit të reciprocitetit, të transmetuar nga ambasadori Hovenier, Qeveria e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht.
Kështu që aplikimi i këtij vendimi do të fillojë më 1 shtator, jo sikurse ishte planifikuar në fillim, më datë 1 gusht.
Ambasadori amerikan Hovenier, përsëriti këtë të martë mbështetjen e SHBA-së për këtë vendim. Madje ai shprehu, se vendimi i Kosovës për zbatim të reciprocitetit është krejtësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe i koordinuar me komunitetin ndërkombëtar.
“SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për ta pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, shkroi ambasadori amerikan në Twitter.
Kujtojmë që e diela e 31 korrikut u përcoll me shumë tensione në veri, e ku përfunduan të lënduar disa qytetarë, të cilët u rrahën nga njerëz të maskuar.
Siç ka shkruar Nacionale, Prokuroria ende nuk ka filluar hetimet për ngjarjet në veri, pasi që është në pritje të raportit përfundimtar të Policisë.

