Ballkani i Hapur e ndan edhe PDK-në, Enver Hoxhaj pro, ndërsa Memli Krasniqi kundër - NACIONALE

Ballkani i Hapur e ndan edhe PDK-në, Enver Hoxhaj pro, ndërsa Memli Krasniqi kundër

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Partia Demokratike e Kosovës është opozita më e madhe. Por, në krahasim me të kaluarën, ajo është në pozitën më të keqe në Kuvend, pasi ka vetëm 19 deputetë. Përkundër “vogëlsisë”, në PDK tashmë ka lindë përçarja. “Ballkani i Hapur” është tema që ka ndarë partinë që drejtohet nga Memli Krasniqi.

Kurdo që mblidhen anëtarët e saj, Ballkani i Hapur bëhet temë e rëndësishme e diskutimit në Kosovë. E gjithë klasa politike kosovare, gati njëzëri, është kundër kësaj nisme ekonomike, që po përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Enver Hoxhaj pro Ballkanit të Hapur

Përçarja ka trokitur edhe në derën e PDK-së. Enver Hoxhaj, deputet e njëherit figurë e rëndësishme e PDK-së, është ndër politikanët e rrallë kosovarë që publikisht ka përkrahur Ballkanin e Hapur.

Madje, ai ka inkurajuar Kosovën që t’i bashkohet kësaj nisme.

Hoxhaj ishte i ftuar në emisionin "Top Story”, ku ka thënë se Kosova duhet të bëhet pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur”, duke shpjeguar arsyen pse mendon një gjë të tillë.

“Sa kam qenë në postin e ministrit të Jashtëm, ne kemi ndjekur një qasje që Kosova të jetë pjesë e çdo organizate, në çdo nismë rajonale. Ballkani i Hapur nuk është as organizatë, është një grup joformal i shteteve, sikurse është G7 apo G20. Dhe në pikëpamjen time, për Kosovën do të ishte e lehtë nëse sillet në mënyrë konstruktive, kreative dhe merr pjesë në Ballkanin e Hapur dhe kërkon mbështetje nga shtetet që ne të bëhemi pjesë edhe e Këshillit të Europës, që të bëhemi pjesë e partneritetit për paqe të NATO-s. Nuk mund t’i thuash jo një nisme joformale për bashkëpunim në rajon dhe të kërkosh nga partnerët, nga shtete të ndryshme që të të mbështesin, qoftë në Strasburg, qoftë në Bruksel”, është shprehur Hoxhaj.

Hoxhaj kohë më parë e kishte bërë publike këtë qëndrim, duke e ripërsëritur vazhdimisht. Madje ai e kritikoi edhe partinë e tij që nuk ka mendim për këtë çështje.

“Unë mendoj që Kosova është duke humbur kohë, pa nevojë, pa argument politik apo ekonomik, duke i thënë jo ‘Open Balkan’! Unë jam deklaruar pro pjesëmarrjes në ‘Ballkanin e Hapur’. Ky është qëndrim personal imi si nënkryetar i kuvendit të Kosovës, si deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. PDK-ja ndërkohë nuk ka qëndrim", deklaroi kohë më parë ish-ministri i Jashtëm.

Cili është qëndrimi i PDK-së për Ballkanin e Hapur?

Por, PDK, partia në të cilën është Hoxhaj, ka një mendim krejt të kundërt nga nënkryetari i Kuvendit.

Sipas Memli Krasniqit që është kryetar i PDK-së, origjina e Ballkanit të Hapur është problematike, duke theksuar rezervat për këtë nismë.

Kur është publikuar kjo ide, kemi thënë që rezervat tona janë të bazuara në arsye që nuk mund të anashkalohen. Përtej një projekt ekonomik, ai është një projekt politik. Dhe ne nuk mundemi që duke qenë padyshim mbështetës të tregut të lirë, qarkullimit pa pengesa, të njerëzve, mallrave dhe ideve po ashtu, nuk mund t’i mbyllim sytë përballë faktit se Kosova dhe Serbia kanë një konflikt të ngrirë i cili nuk po duket se do të zgjidhet së shpejti. Origjina e Ballkanit të Hapur për neve është problematike, s’mund të ulemi me aq lehtësi në tavolinë e të konsiderohemi të barabartë ku s’kemi qenë nga gjeneza e tij. Ka një konsesus në skenën politike të Kosovës, që nuk e mbështet përfshirjen e Kosovës në Ballkanin e Hapur”, tha ai.

Edhe një figurë tjetër e rëndësishme e PDK-së kishte treguar qëndrimin kundër për Ballkanin e Hapur. Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, kishte theksuar se parapëlqejnë Procesin e Berlinit e jo atë të Ballkanit të Hapur.

Duhet të vazhdojmë t’i kemi rezervat tona sa i përket kësaj iniciative, mendojmë që janë disa çështje që duhet të trajtohen mes dy shteteve, mes Republikës të Kosovës dhe Serbisë. Në radhë të parë, mendojmë që iniciativa siç është për Ballkanin Perëndimor, që vijnë nga Procesi i Berlinit janë shumë të rëndësishme”, tha ai.

Kujtojmë që Ballkani i Hapur e ka bërë krejt llugë Ballkanin Perëndimor, teksa Kosova e Bosnja vazhdojnë të mos marrin pjesë në këtë nismë si vende anëtare.

Lajme të ngjashme