Shpenzimet e Qeverisë Kurti: 39% më pak investime kapitale, 30% më shumë para për transfere sociale - NACIONALE

Shpenzimet e Qeverisë Kurti: 39% më pak investime kapitale, 30% më shumë para për transfere sociale

1 vit më parë

nga NACIONALE

Thesari i Kosovës ka publikuar raportin e gjashtëmujor financiar, duke treguar mënyrën se si është menaxhuar buxheti i Kosovës. Nga një lexim i shpejt i raportit për periudhën 1 janar deri më 30 qershor të vitit 2022, kuptohet se Qeveria Kurti është fokusuar më shumë në shpenzime për skema sociale, e më pak në investime kapitale.

Në total ka 39% më pak shpenzime kapitale, ndërsa shpenzimet për transfere sociale këtë vit janë rritur për 30%.

Në fakt, raporti i Thesarit ofron një përbledhje për mënyrën e mbledhjes dhe shpenzimeve të buxhetit të Kosovës në gjashtë muajt e parë të këtij viti.

Siç e thekson edhe vetë Thesari, “raporti përmban edhe analiza përmbledhëse të periudhës përkatëse, pasqyron të hyrat sipas institucioneve mbledhëse në nivelin qendror dhe lokal, detaje mbi të hyrat sipas llojit të tatimeve, si dhe krahasimet me periudhat paraprake dhe projeksionet buxhetore”.

Shpenzimet buxhetore e kapitale

Sipas Thesarit të Kosovës, në gjashtëmujorin e parë, 35% e planit vjetor për shpenzime është realizuar, e cila konsiston në 1% rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Gjithsejt shpenzimet – gjatë gjashtëmujorit të vitit 2022, pagesat arritën shumën prej 1,038.46 milionë euro dhe paraqesin 35% të planit vjetor për shpenzime, ndërsa krahasuar me realizimin e gjashtëmujorit të vitit paraprak kemi rritje prej 11.49 milionë euro ose 1%.”, thuhet në raport, shkruan gazeta Nacionale.

Ndërsa, shpenzimet buxhetore kanë shënuar ulje 1%.

E sa i përket shpenzimeve kapitale, ajo ka shënuar ulje të madhe. Saktësisht në total 39% më pak shpenzime kapitale ka realizuar Qeveria e Kosovës në këtë gjashtëmujor në krahasim me periudhën e njëjtë në vitin paraprak.

“Shpenzimet kapitale arritën vlerën prej 79.30 milionë euro, që krahasuar me buxhetin aktual apo periudhën e njëjtë të vitit paraprak paraqet një normë të ulët të ekzekutimit.”, thekson Thesari.

E ky institucion ka dhënë një shpjegim për uljen e shpenzimeve kapitale.

Kjo është kryesisht si rezultat i dinamikës së pagesës së faturave në fundvitit fiskal 2021 të cilave u është dhënë prioritet që të paguhen para datës 31 dhjetor 2021, dhe të mos barten për vitin vijues.”, theksohet në raport.

Siç shihet në tabelë, asnjë sektor i shpenzimeve kapitale nuk ka shënuar rritje për nga investimet, përjashtimisht shpenzimet në toka dhe shpronësime.

Ndërtimi i rrugëve, p.sh., ka një trend negativ, duke shënuar tkurrje në investime prej 69%.

Minus 56% më pak shpenzime kapitale ka edhe në ndërtim të shkollave, spitaleve dhe objekteve tjera publike.

Edhe në pajisje, është shpenzuar 48% më pak këtë vit se në vitin paraprak në periudhën e njëjtë.

Transferet sociale

Në fakt, Qeveria Kurti ka shënuar një sukses në shpenzime në sektorin e subvencioneve dhe transfereve. Ajo ka rritur shpenzimet posaçërisht në transferet sociale, apo thënë ndryshe në pensione.

Shpenzimet për transfere sociale këtë vit janë rritur për 30% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Thesari i Kosovës ka dhënë një shpjegim për këtë çështje.

Shpenzimet në subvencione dhe transfere arritën shumën prej 407.01 milionë euro, që paraqet një rritje prej 42.84 milionë euro, duke arritur kështu normën e ekzekutimit në 46% krahasuar me vlerën totale të buxhetuar për këtë kategori, apo 12% më shumë krahasuar me periudhën e njejtë të vitit 2021. Rritja vjen kryesisht si rezultat i masave mbështetëse dhe politikave të reja të shtuara në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.”, thuhet në raport.

Pensionet në total janë rritur për 11%.

Edhe pagesat për kategoritë e luftës janë rritur për 5%.

Ndërsa, pagesat për të burgosurit politik është rritur për 23%.

Qeveria Kurti, sipas raportit të Thesarit, ka shpenzuar shumë edhe në subvencionimin e ndërmarrjeve publike. Më saktë, 545% janë rritur shpenzimet buxhetore në subvencionet për ndërmarrjet publike.

Po ashtu për 136% janë rritur subvencionet për bujqësi.

Ndryshe, miliona euro janë shpenzuar edhe në pakon për rimëkëmbje ekonomike, të hartuar nga Ministria e Financave.

Kujtojmë që të shtunën që iku, Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një konferencë për media, duke kritikuar uljen drastike të investimeve kapitale.

Lajme të ngjashme