Katër nismat ligjore të Qeverisë që synojnë kapjen e institucioneve të pavarura - NACIONALE

Katër nismat ligjore të Qeverisë që synojnë kapjen e institucioneve të pavarura

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti ka nisur disa iniciativa ligjore, të cilët po shihen si problematike për sistemin aktual në vend.

Projektligjin për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë, Projektligji për Plotësim-ndryshimin e Ligjit për KPMSHCK, Projektligji për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Projektligji për Inspektimin Administrativ po vlerësohen si nisma ligjore jo të shëndosha për demokracinë më vend.

Ekspertët e këtyre fushave kanë thënë se këto projektligjeve janë jo demokratike dhe kundërkushtetuese. Sipas tyre, dokumentet e lartpërmendura do të shkaktojnë përzierje të kompetencave në mes të institucioneve të pavarura ekzistuese dhe atyre të rejave që parashihen të krijohen.

Njohësit e këtyre fushave kanë vlerësuar tentimi për t’i kufizuar kompetencat e disa institucioneve aktuale kushtetuese janë tentime për t’i kapur ato institucione.

Kjo përpjekje për të dobësuar institucionet ekzistuese, duke krijuar institucione paralele, nuk pritet të sjell ndonjë efikasitet në fushat përkatëse.

Më poshtë gazeta Nacionale sjell një analizë të këtyre katër projektligjeve.

Krijimi i shërbimit të inteligjencës brenda Ministrisë së Mbrojtjes

Në prill të këtij viti, Qeveria ka iniciuar miratimi i Projektligjit për Agjencinë e Mbrojtjes për Inteligjencë, i cili përcakton misionin, organizimin, autorizimet dhe detyrat e Agjencisë së Mbrojtjes për Inteligjencë dhe Siguri (AMIS).

Sipas projektligjit, AMIS ushtron aktivitetet e saj brenda dhe jashtë territorin e Republikës së Kosovës me qëllim të mbështetjes së misionit të MM dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK). Kjo agjenci do të jetë e pavarur në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes.

Agjencia gjithashtu do të kryen verifikimin e pastërtisë, përkatësisht të sigurisë për personelin e FSK, punë të cilën aktualisht e bëjnë agjencitë ekzistuese.

Problemi me këtë projektligj, sipas ekspertëve, është përzierja e kompetencave me institucione tjera.

Robert Muharremi dhe Bernard Nikaj, ligjërues në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), para disa dite kanë publikuar një analizë për zhvillimet në sektorin e sigurisë.

Sipas tyre, ky projektligji mund të jetë edhe kundërkushtetues.

Së pari, FSK e ka shërbimin inteligjent ushtarak si pjesë përbërëse të strukturës së saj dhe nën komandën e FSK. Përse duhet atëherë të krijohet një shërbim tjetër i inteligjencës ushtarake jashtë FSK-së por nën autoritetin e Ministrisë së Mbrojtjes? Në fakt, sipas propozimit të Qeverisë, agjencia e drejtuar nga Ministria e Mbrojtjes do të mbikëqyrë funksionin e inteligjencës së FSK. Kjo nënkupton që shërbimi inteligjent ushtarak i FSK vendoset nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo po ashtu nënkupton që do të ketë shërbimin inteligjent ushtarak të FSK si dhe përveç saj edhe agjencinë e Ministrisë së Mbrojtjes si shërbim tjetër të inteligjencës”, është thënë në këtë analizë.

Sipas tyre, agjencia e propozuar ndërhyn në mënyrë kundër kushtetuese në kompetencat e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI). “Mbledhja e informacioneve për sistemet mbrojtëse dhe ushtarake të vendeve tjera si dhe mbledhja e informacioneve për nevojat e FSK-së kur ajo dërgohet jashtë vendit janë kompetenca legjitime të një shërbimi të inteligjencës ushtarake. Mirëpo propozimi i Qeverisë e tejkalon këtë sepse agjencia do të merret edhe me rreziqet e jashtme dhe të brendshme ndaj interesave të Republikës së Kosovës. Dhe mu në këtë pikë agjencia ndërhyn në kompetencat e AKI, e cila sipas Kushtetutës zbulon, heton dhe mbikëqyr kërcënimet ndaj sigurisë në Republikën e Kosovës”, kanë vlerësuar ai.

Verifikimi i pastërtisë në sektorin e sigurisë shihet si një tjetër pikë e ndjeshme e këtij projektligji.

Robert Muharremi dhe Bernard Nikaj kanë vlerësuar se përmes këtij procesi ka mundësi të përcaktohet se kush është i përshtatshëm për shtetin dhe kush paraqet kërcënim për të.

Për këtë arsye, kanë vlerësuar ata, ky proces duhet të jetë i mbrojtur nga ndikimet politike dhe personale dhe të ushtrohet nga profesionistë të mirëfilltë.

Përkundër të gjitha shqetësimeve dhe pyetjeve të shtruara, shihet qartë përpjekja e Qeverisë për të koncentruar më shumë kompetenca në Ministrinë e Mbrojtjes duke dobësuar kështu FSK dhe AKI. Po ashtu, këto përpjekje janë ndërhyrje kryesisht kundër kushtetuese në kompetencat e FSK dhe AKI dhe krijojnë struktura paralele në sektorin e sigurisë me të vetmin përfundim që Ministria e Mbrojtjes dhe me këtë Kryeministrit të marrin më shumë fuqi mbi sektorin e sigurisë”, kanë vlerësuar ata.

Hakmarrja e Qeverisë ndaj KPMSHCK-së

Qeveria Kurti nuk ka kultivuar raporte të mira as me Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), institucion ky që siguron respektimin e rregullave dhe parimeve, që rregullojnë shërbimin civil.

Si duket ky institucion nuk po e lejon qeverinë që t’i kap pozitat e larta udhëheqëse në Shërbimin Civil.

Pasi këshilli ia ka rrëzuar disa vendime të rëndësishme ekzekutivit, Zyra e Kryeministrit Qeveria ka nisu iniciativën për ndryshimin e ligjit për këtë institucion kushtetues.

Nëpërmjet plotësim-ndryshimit të Ligjit për KPMSHCK, qeveria po synon t’i heqë të drejtën e hedhjes poshtë të vendimeve të saj.

Në nenin 2 të këtij projektligji, ripërkufizohen kompetencat e KPMSHCK-së, duke theksuar se ky institucion nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër Qeverisë, siç ka bërë deri tash.

Pavarësisht paragrafit 1 nënpragrafit 1.1 të këtij ligji, KPMSHK nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Kundër këtyre vendimeve, pala ka të drejtë të hapë konflikt administrativ në gjykatën kompetente në pajtim me ligjin përkatës për konfliktet administrative”, thuhet në pikën 2 të këtij projektligji.

Aktivisti i PSD-së, Dren Kukaj, ka vlerësuar se kjo është tentativë e pastër e qeverisë për ta shtrirë ndikimin në shërbimin civil. “E para, dëshirojnë t’ia largojnë këtij institucioni kompetencat për të vendosur lidhur me ankesat kundër vendimeve qeveritare për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Dhe e dyta, Qeveria propozon t’i hiqet imuniteti anëtarëve të këtij institucioni. Diferencimi që po iu bëhet pozitave të larta tregon qëllimin prapa pushtetit. Ata i dëshirojnë këto pozita në shërbim të tyre e për këtë arsye të pakënaqurve iu pamundësohet ankesa në këtë institucion”, ka vlerësuar ai.

Sipas tij, projektligji cenon rëndë pavarësinë e KPMSHK-së. “Në anën tjetër, anëtarët e Këshillit kohëve të fundit i kanë nxjerrë probleme Qeverisë duke ia kthyer në punë shumë persona që këta i kanë larguar. Për këtë arsye, pushteti po dëshiron t’i frikësojë duke ua hequr imunitetit. Ky ligj është edhe një dëshmi mbi zellin e pushtetit për ti kapur pozitat e larta civile nga lart-poshtë duke e cenuar rëndë pavarësinë e KPMSHK-së”, është shprehur ai.

Para se Qeveria të nisë këtë nismë ligjore, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) kishte vlerësuar se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria ka qenë i kundërligjshëm. Gjithashtu, ky institucion ka vlerësuar se edhe konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së nuk është shpallur sipas ligjeve në fuqi. Këto nuk janë rastet e vetme ku këshilli ka rrëzuar vendimet e Qeverisë.

Përkundër kundërshtimeve miratohet Projektligji për Byronë

Qeveria nuk ka dëgjuar ekspertët as për reformën në fushën e drejtësisë.

Projektligjin e për themelimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë është shtyrë para ndonëse ekspertë vendorë e ndërkombëtarë kanë vlerësuar që nuk janë në përputhje me kushtetutën e vendit.
Komisioni i Venecias në rekomandimit e tij për këtë çështje ka folur për rrezikun e politizimit të kësaj çështje.

Rrezik për politizim të Byrosë, mos-garancë për luftim të korrupsionit, e shkelje të të drejtave të njeriut, janë vetëm tri nga shumë vërejtjet që i ka adresuar Komisioni i Venecias ndaj Ministrisë së Drejtësisë, në lidhje me Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Komisioni i Venecias ka konstatuar se themelimi i një Byroje për Konfiskimin e Pasurisë, mund të jetë edhe rrezik për përzierje të kompetencave. “Është gjithashtu e diskutueshme nëse themelimi i një organi të tillë, do të bënte luftimin e korrupsionit më efektiv, ose do ta ndërlikonte edhe më shumë gjithë sistemin përfshirë Policinë, Prokurorinë, Organet tatimore e doganore e Agjensinë Kundër Korrupsionit. Sistemi i ri i verifikimit dhe konfiskimit duhet të jetë i kombinuar me sistemin ekzistues të deklarimit të pasurisë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për t’iu nënshtruar zyrtarët dy procedurave të ndryshme të verifikimit për të njëjtën pasuri. Byroja do ta kopjojë punë e Agjencisë, dhe kjo do të mund të shkaktonte një konfuzion, kompleksitet dhe sfida ligjore”, është thënë në rekomandimin e Komisionit të Venecias.

Pavarësisht kritikave, Kuvendi e ka miratuar këtë projektligj me 58 vota për dhe 3 abstenime.

Partitë opozitare, të cilat e kishin kundërshtuar këtë projektligj, nuk kanë marrë pjesë në votimin e këtij dokumenti.

Projektligji që parasheh themelimin e një lloj policie të brendshme

Në fillim të vitit, Qeveria ka nisur edhe hartimin e Projektligjit për Inspektimin Administrativ.

Incizim me kamera në vendin e punës, kontrollë deri në thyerjen e dyerve, e gjoba mijëra euroshe. Këto janë vetëm disa nga masat që parashihen të ndërmerren ndaj shërbyesve civilë, me këtë projektligji, i cili tashmë ka kaluar fazën e shqyrtimit publik, dhe pritet të hyjë në agjendën e qeverisë për miratim.

Sipas ekspertëve, ky projektligj mund të sjellë paqartësi dhe konflikt kompetencash në mes të institucioneve përgjegjëse për inspektime dhe vendosje lidhur me çështjet nga marrëdhënia e punës për nëpunësit në administratë shtetërore.

Në bazë të ligjit të hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, pritet të krijohet një inspektorat që do të ketë kompetenca të shumta mbi punëtorët.

Mish-mashi i kompetencave që do të krijonte një ligj i tillë, do të ndërhynte në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civilë, organ ky i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë vërehet qysh në nenet e para të ligjit: “Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj të gjitha institucioneve të administratës shtetërore si dhe të gjithë zyrtarëve publikë të punësuar në institucionet e administratës shtetërore”, thuhet në projektligj.

Kjo fushëveprimtari veç është e rregulluar me ligjin ekzistues, e që bie në kompetencë të KPMShC, konkretisht neni 11 ku thuhet: “Me qëllim të ushtrimit të funksioneve të tij Këshilli mund të: 1.1. vizitojë çdo vend ku janë të punësuar nëpunësit civilë; 1.2. ketë qasje dhe t’i kontrollojë të dhënat me shkrim lidhur me punësimin, emërimin, procedurat disiplinore dhe avancimin e nëpunësve civilë ose lidhur me shqyrtimin dhe vendimet për ankesa dhe 1.3. mund ta intervistojë çdo nëpunës civil, i cili mund të ketë informata që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për ushtrimin e funksioneve të Këshillit”.

Juristi i njohur Albert Krasniqi ka vlerësuar se ky inspektorat ngjanë në një polici të brendshme që ka për qëllim të shantazhojë dhe ushtrojë presion psikik mbi zyrtarët publik. “Ky inspektorat më shumë të ngjanë në një polici të brendshme që ka për qëllim të shantazhoj dhe ushtroj presion psikik mbi zyrtarët publik, sesa që ka për qëllim vendosjen e rregullsisë në administratës publike. Të gjitha fushat e inspektimit aktualisht janë të mbuluara përmes ligjeve të tjera”, ka vlerësuar Krasniqi.

Lajme të ngjashme