Projektligji ku përzihen shumë kompetenca - NACIONALE

Projektligji ku përzihen shumë kompetenca

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Incizim me kamera në vendin e punës, kontrollë deri në thyerjen e dyerve, e gjoba mijëra euroshe. Këto janë vetëm disa nga masat që parashihen të ndërmerren ndaj shërbyesve civilë, me ligjin e ri për inspektim administrativ. Si i tillë, ka pasur vërejtje se nuk do të duhej të ishte as projekt, e lëre më të bëhet ligj. Gazeta Nacionale ka përgatitur një analizë që tregon se ligji në fjalë përbën një perzierje kompetencash, tendencë për kontroll, e deri te akuzat për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Projektligji per Inspektimin Administrativ, tashmë ka kaluar fazën e shqyrtimit publik, dhe pritet të hyjë në agjendën e qeverisë për miratim, duke i hapur rrugë pastaj edhe dërgimit në Kuvendin e Kosovës.

Por, ky projektligj mund të sjellë paqartësi dhe konflikt kompetencash në mes të institucioneve përgjegjëse për inspektime dhe vendosje lidhur me çështjet nga marrëdhënia e punës për nëpunësit në administratë shtetërore. Në bazë të ligjit të hartuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, pritet të krijohet një inspektorat që do të ketë kompetenca të shumta mbi punëtorët.

Përzierje e kompetencave

Mish-mashi i kompetencave që do të krijonte një ligj i tillë, do të ndërhynte në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civilë, organ ky i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Një gjë e tillë vërehet qysh në nenet e para të ligjit: “Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj të gjitha institucioneve të administratës shtetërore si dhe të gjithë zyrtarëve publikë të punësuar në institucionet e administratës shtetërore”.

Ligji

Kjo fushëveprimtari veç është e rregulluar me ligjin ekzistues, e që bie në kompetencë të KPMShC, konkretisht neni 11 ku thuhet: “Me qëllim të ushtrimit të funksioneve të tij Këshilli mund të: 1.1. vizitojë çdo vend ku janë të punësuar nëpunësit civilë; 1.2. ketë qasje dhe t’i kontrollojë të dhënat me shkrim lidhur me punësimin, emërimin, procedurat disiplinore dhe avancimin e nëpunësve civilë ose lidhur me shqyrtimin dhe vendimet për ankesa dhe 1.3. mund ta intervistojë çdo nëpunës civil, i cili mund të ketë informata që kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për ushtrimin e funksioneve të Këshillit”.

Pra, në praktikë mund të ekzistojnë dy organe që kanë kompetencë inspektimin e nëpunësve civilë, e që mund të dalin në vendin e inspektimit, në të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë.

Anomalitë e këtij projektligji vazhdojnë edhe më tutje: “Kryerja e detyrave të inspektimit 1. Gjatë kryerjes së detyrave të inspektimit, inspektorët administrativë në mënyrë të pavarur zhvillojnë procedurën e inspektimit, nxjerrin vendime dhe shqiptojnë masa ndëshkimore”. Kjo del të bie ndesh me Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të agjencive të pavarura, ku specifikohet se kontrolli bëhet nëpërmjet mbikëqyrjes administrative dhe formave të tjera ligjore.

Me këtë ligj ndodh të preket edhe dinjiteti i punëtorëve të administratës, i rregulluar me Ligjin për zyrtarët publikë. “Çdo institucion siguron një ambient të sigurt e të përshtatshëm pune për mbrojtjen e integritetit fizik, moral dhe të dinjitetit të zyrtarit”. Kjo mund të cenohet seriozisht me projektligjin e ri ku thuhet: “inspektori administrativ ka të drejtë të fotografojë persona, lokale, dhe ndërtesa për qëllimet e inspektimit në kuadër të fushëveprimit të inspektimit”.

Ligji 2

Shkelje të privatësisë i njëjti projektligj mund të shkaktojë edhe me një nen tjetër ku thuhet “të ekzaminojë dokumentet që paraqesin identitetin e personave” duke rrezikuar ta cenojë edhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Përsonale, i cili shprehimisht thotë: “Privatësi – respektimi i jetës private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës së telefonisë dhe e komunikimeve të tjera, në pajtim me ligjin e zbatueshëm”.

Me këtë projektligj, synohet të krijohet një “trup” nga ministri i punëve të brendshme, që ka kompetencë të: nisë procedura, hetime, të marrë dokumente, të shqiptojë edhe gjoba, e deri me masa për largim nga puna të punëtorëve të administratës. E nëse këta të fundit kanë pakënaqësi e ankesa, ato do t’i hetojë komisioni i krijuar po nga ministria e brendshme.

Gazeta Nacionale do të sjellë ditëve në vazhdim, pjesën e dytë të shkrimit për Ligjin e Inspektimit Administrativ.

Lajme të ngjashme