Ia anuloi dy vendime, Qeveria Kurti nis "hakmarrjen" ndaj Këshillit të Pavarur (Dokument)
Dy vendimet që mori së fundmi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e kanë vënë këtë institucion në shënjestër të ekzekutivit. Qeveria Kurti tashmë ka filluar procedurat ligjore për t’ia kufizuar kompetencat.
Nëpërmjet plotësim-ndryshimit të Ligjit për KPMSHCK, qeveria po synon t’i heqë të drejtën e hedhjes poshtë të vendimeve të saj.
Në dokumentin e siguruar nga gazeta Nacionale, Zyra e Kryeministrit tashmë e ka të qartë se çfarë dëshiron të arrijë nëpërmjet ndryshimit të ligjit.
Në dokumentin që është dërguar tek grupi punues për këtë projektligj, theksohet qartë heqja e kompetencave për KPMSHCK-në.
Çfarë synon Qeveria?
Në nenin 2 të këtij projektligji, ripërkufizohen kompetencat e KPMSHCK-së, duke theksuar se ky institucion nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër Qeverisë, siç ka bërë deri tash.

“Pavarësisht paragrafit 1 nënpragrafit 1.1 të këtij ligji, KPMSHK nuk ka kompetencë të vendosë për ankesat kundër vendimit të Qeverisë për nëpunësit civilë në pozitat e larta drejtuese. Kundër këtyre vendimeve, pala ka të drejtë të hapë konflikt administrativ në gjykatën kompetente në pajtim me ligjin përkatës për konfliktet administrative”, thuhet në pikën 2 të këtij ligji.

Vendimet që nervozuan pushtetin
Gjatë ditës së premte, Nacionale raportoi ekskluzivisht për dy vendime të këtij organi.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka vlerësuar se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria ka qenë i kundërligjshëm. Gjithashtu, ky institucion ka vlerësuar se edhe konkursi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së nuk është shpallur sipas ligjeve në fuqi. Ashtu si kishte raportuar gazeta Nacionale në muajin e kaluar, këshilli ka vendosur se këto procese nuk janë zhvilluar në përputhje me ligjet në fuqi.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në këtë përfundim ka ardhur pas monitorimit të jashtëzakonshëm që ka bërë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve me qëllim të shqyrtimit të ligjshmërisë së emërimit të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës.
Në raportin që ka siguruar gazeta Nacionale, KPMSHCK ka rekomanduar se procesi i zgjedhjes së Kryeinspektorit të punës ka qenë në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Këshilli ka konstatuar se pozita e Kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës hyn në kategorinë e pozitave të nivelit të lartë drejtues në kuadër të shërbimit civil, dhe si e tillë i nënshtrohet regjimit juridik të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Sipas këshillit, qeveria ka qenë ndesh me dispozitat e këtij ligji.
Rekomandimi i këshillit obligon qeverinë që ta anulojë vendimin e saj.
Edhe në monitorimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë konkursit të Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, KPMSHCK-ja ka rekomanduar se procesi është zhvilluar kundërligjshëm.
Sipas raportit të këshillit, edhe ky konkurs është dashur të bëhet në bazë të normave të Ligjit për Zyrtarët Publikë.
Në këtë konkurs, i cili ishte shpallur në muajin prill, kishin aplikuar 13 kandidatë.
Në fund të muajit të kaluar, më 25 maj, Qeveria e Kosovës kishte emëruar Kryeinspektorin e Inspektoratit të Punës përmes një procesi të dyshimtë.
Gjatë së premtes, gazeta Nacionale ka raportuar lidhur me vendimin e KPMSHCK-së, përmes së cilit, është kthyer prapa emërimi i kryeinspektorit të punës dhe është anuluar konkursi për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së.