Investimet e huaja në Kosovë gati 0, në Serbi gati 4 miliardë
Gjatë vitit 2021, 485 milionë euro ishte vlera e investimeve të huaja direkte në Kosovë, mirëpo të dhënat nuk dalin të jenë ashtu siç po thonë nga Qeveria e Kosovës.
Rozeta Hajdari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), kishte thënë se investimet e huaja direkte në Kosovë po rriten më shumë se në vitet paraprake, por të pyetur nga Nacionale, nga kjo ministri nuk kanë dhënë përgjigjje në pyetjen se ku janë të orientuara këto investime, e as nuk kanë treguar specifikisht ndonjë investitor të huaj që ka investuar në Kosovë.
Në anën tjetër kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, ka thënë se Qeveria Kurti po tenton t’i paraqes investimet e diasporës si investime të huaja.
“Qeveria disa herë - jo vetem tani me anë të Ministrisë - është munduar t’i paraqes investimet që kanë ardhë nga diaspora si investime direkte. E vërteta është krejt ndryshe. Për investime të jashtme dhe investitorë të jashtëm, jo vetem tash por edhe në Qeverinë Kurti I edhe në Qeverinë Kurti II, (rezultati) pothuajse është 0,”- ka thënë Shala për gazetën Nacionale.
Mërgata jonë është cilësuar nga kryeministri Kurti vazhdimisht si pjesë përbërëse e kombit tonë, por kjo duket se ka ndërruar kur në pyetje ishte prezantimi i shifrave për investimet e huaja direkte.
“Të hyrat financiare buxhetore në patundshmëri dhe në aktivitete të tjera brenda Kosovës nga mërgata jonë nuk mund të trajtohen si të hyra nga jashtë, ato janë para të njerzëve tanë, të qytetarëve tanë, që vijnë, blejnë, organizojnë, rritin ekonominë e tyre familjare në vendlindjen e tyre,” - ka thënë tutje Shala.
Tutje, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës [PDK], ka thënë se përveç patundshmërive nuk ka investime të tjera.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, të cilat janë të qasshme, shuma prej 485.4 milionë euro e investuar në Kosovë ndahet në disa kategori.
Sipas aktivitetit ekonomik, del se pjesën dërrmueshëm më të madhe të saj e përbëjnë “Aktivitetet e patundshmërisë” me 335.7 milionë euro. Bëhet fjalë pra për blerje banesash dhe tokash si pronë private, e ku kryefjala janë mërgimtarët tanë.
Në vend të dytë kemi “Aktivitete financiare dhe të sigurisë” në vlerë prej 102.4 milionë eurosh.
Ndërsa i treti për nga vlera e investuar renditet sektori i “Informacion dhe komunikim”, me vlerë të papërfillshme prej 16.1 milionë eurosh. Kategoritë e tjera kanë vlerë investive nën 10 milionë përgjatë një viti.
Ndryshe, ndër sektorët të cilët konsiderohen se mund të gjenerojnë vende pune dhe zhvillim ekonomik, janë: sektori i prodhimit, bujqësisë, minierave, transportit dhe telekomunikacionit, industrisë përpunuese dhe turizmit, etj. Mirëpo në këta sektorë nuk ka investime dhe për këtë ministria e Tregtisë nuk ka pasur përgjigje deri në momentin që është botuar ky shkrim.
Këta sektorë ballafaqohen me vlera shumë të ulta të investimeve të huaja direkte në sektorin e prodhimit, e cila është vetëm 2.9 milionë euro dhe ajo e sektorit të bujqësisë, pylltarisë e peshkatarisë që arrin vetëm 1.1 milionë euro investime për 11 muaj të vitit 2021.
Nga cilat shtete na erdhën ata pak investitorë?
Gjermania është lider i investimeve të huaja në Kosovës. Pikërisht në këtë vend ndodhet edhe diaspora më e madhe kosovare në Evropë. Vlera e investimeve të ardhura nga Gjermania ishte 139.5 milionë euro nga totali prej 485.4 milionësh. Pas saj renditet Zvicra me 88.7 milionë euro, e që është diaspora e dytë më e madhe kosovare në Evropë.
Sipas raportit të BQK-së, Austria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qëndrojnë në nivel thuajse të ngjashëm me vlerën e investimeve në Kosovë, me 51.2 milionë euro nga Austria dhe 51 milionë euro nga SHBA-të.
Pas këtyre vijnë shtetet si Shqipëria me 39.5 milionë euro investime në Kosovë, Sllovenia me 23.2 milionë, Turqia me 13.6 milionë, dhe shtete e tjera me investime nën 10 milionë euro.
Kujtojmë që Serbia gjatë vitit 2021 ka tërhequr investime të huaja direkte në vlerë prej 3.9 miliardë eurosh.*!