Pas debateve e fyerjeve, Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t - NACIONALE

Pas debateve e fyerjeve, Kuvendi i Shqipërisë miraton rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Shumë debate, fyerje, e gati përplasje fizike u panë sot në Kuvendin e Shqipërisë. E gjitha rrëmuja me deklarata të forta, u shkaktua për një raport. Ish-senatori zvicëran, Dick Marty, e çështja e Gjykatës Speciale, përplasi si rrallëherë deputetët e pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Në fund, unanimisht u votua rezoluta kundër Raportit të Martyt, që akuzon, ndër të tjerash, Kosovën për trafikim të organeve.

Kosova unifikon politikën kosovare

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka votuar projektrezolutën mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri.

Kjo rezulutë kaloi me 125 vota pro.

Fillimisht kjo projektrezulutë u depozitua nga Partia Socialiste kundër raportit të Dick Marty-t, me titull “Trajtimi çnjerëzor i njerëzve dhe trafikimi i organeve në Kosovë”.

Mbi bazën e këtij raportijanë ngritur edhe akuza kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët gjenden në Hagë prej muajsh duke u përballur me aktakuzat.

Duke shqyrtuar raportin, në vijim të rrjedhës logjike, në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.

Rezoluta do t’i dorëzohet në shtator Këshillit të Evropës, të cilit i kërkohet të distancohet nga akuzat e pa provuar nga hetimet ndërkombëtare sepse 11 vite pas hartimit të raportit, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij nuk është vërtetuar.

Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i kërkohet nëpërmjet dokumentit të realizojë një raport vijues dhe të rishikojë rezolutën.

Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

Në projektrezolutë përsëritet thirrja për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

Debati i ashpër

Thikat pas shpinës ndaj Hashim Thaçit. Nafta për Serbinë e Millosheviqit në vitin 1999. Buzëqeshjet me Vuçiqin. Këto ishin vetëm disa nga akuzat që u përdorën në Kuvendin e Shqipërisë nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Atje ku sot u diskutua rezoluta kundër raportit të Dick Martyt për trafikim organesh nga UÇK-ja.

Më shumë se 11 vjet që nga koha kur raporti i Dick Martyt u miratua në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Shqipëria ka nisur një betejë të re. Tash po synon hartimin e një raporti të ri, në lidhje me mungesën e fakteve në raportin e Martyt, ku UÇK-ja akuzohet për trafikim organesh.

Megjithatë, përveç një diskutimi për një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, shpërthyen debatet dhe akuzat ndërmjet pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte ashpër qysh në nisje të fjalimit të tij. Ai akuzoi PD-në se ia kanë ngulur thikën pas shpine ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

“Përpara se të kuturisemi ne në 2022 për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores, duhet dakordësia e aleatëve tanë. Zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e PD-së. Dick Martyt ia keni hapur rrugën ju. Hajdeni dhe tregoni çka mendoni për Hashim Thaçin, është mirë atje në burg. Thikat që ia keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar Thaçin, si terrorist si marksist-leninist deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur mu në gjoks. Historia do të tregojë se ju patriotët e mëdhenj, jeni thika në shpinën e Kosovës”, tha Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë.

Rama vs. Berisha

E shqyrtimi i raportit të Dick Martyt shpërtheu edhe një përplasje tjetër. Atë që ka nisur vite më parë. Kryeministri Edi Rama dhe paraardhësi i tij, Sali Berisha nuk shkëmbyen akuzat deri në ofendime personale. Madje, pati rrezik edhe për përplasje fizike, por ndërhyri sigurimi.

Edi Rama e akuzoi Sali Berishën se e ka furnizuar me naftë Serbinë e Millosheviqit. E akuzoi gjithashtu se ia ka futur thikën Hashim Thaçit.

“Dërgoi tash naftë Millosheviqit atje. E bëje Hashim Thaçin terrorist atje. Dil nga ana e tjetër. Futu andej e ktheje Shqipërinë në pronë private, dhe vjen historia përpara e thotë prit more vëlla, o bajraktar. Çfarë krenarie keni për luftën nëse s’keni kurajo ta respektoni komandantin e UÇK-së. Në rrethin e 9 të ferrit po të jetë Thaci, duhet të ngriheni në këmbë kur i përmendet emri”, tha Edi Rama.

Pas kësaj, pa radhë, fjalën e mori kryetari i PD-së, Sali Berisha. E ai, e akuzoi Ramën që e ka dërguar Thaçin në Hagë. Madje, e përmendi edhe emrin e Baton Haxhiut.

“Sa i përket arrestimit të Hashim Thaçit, dua t’ju them sot të vërtetën. Në proces të arrestimit të Thaçit qëlloi një trinom, Kremlin, Beograd dhe Tiranë. Ky e mori dhe e futi Thaçin në spiralen e ndryshimit të kufijve në Ballkan” – ka thënë Berisha.

Pastaj Berisha vazhdoi me akuza ndaj kryeministrit Rama, duke thënë se ky i fundit gjatë luftës së Kosovës, shiste ikona të vjedhura dhe spiunonte në Paris.

“Kur djemtë e Kosovës flijonin jetën dhe derdhnin gjakun, kur Adem Jashari shndërroi Prekazin në Krujë të vërtetë, parafolësi (Edi Rama) shiste ikonat e vjedhura dhe spiunonte emigrantë në Paris. Shiste ikona të vjedhura, edhe një herë këtë e ka thënë Fatos Nano, është deklaratë e Fatos Nanos” – ka thënë Berisha.

“Unë do të diskutoj më vonë për të gjithë të vërtetat e raportit të Dick Martyt. Çdo gjë është me dokumente. Por ky që ndërtohet tash si patriot, bashkë me Baton Haxhiun, janë promotorët e arrestimit të Hashim Thaçit” – thotë Berisha.

Lajme të ngjashme