Rama e akuzoi çdokënd për Thaçin, përveç Vuçiqin, që e çoi Thaçin në Hagë - NACIONALE

Rama e akuzoi çdokënd për Thaçin, përveç Vuçiqin, që e çoi Thaçin në Hagë

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Të flasësh 30 minuta në Kuvend, të pështysh majtas dhe djathtas, ta glorifikosht Thaçin dhe UÇK’në, pa i përmendur në asnjë moment Vuçiqin dhe Serbinë, kjo do talent të jashtëzakonshëm. Edi Ramës është e pamundur edhe t’i ndihmosh.

Berat Buzhala

Nëse ndonjëherë në ndonjë teatër në Shqipëri do të kishin mungesë të aktorëve, lirisht do të mund të shkonin në kryeministri dhe ta ftonin për zëvëndësim Edi Ramën. Jam i bindur që, pa ndonjë provë serioze, do të mund të aktronte më mirë se secili prej anëtarëve ë trupës profesioniste.

E tillë ishte sot performanca e tij në Kuvendin e Shqipërisë, kur u hodh mbi foltore për t’i mbrojtur Hashim Thaçin dhe UÇK’në dhe për ta goditur gjithë opozitën shqiptare. Fjalimi i Ramës ishte bërë dhe ishte menduar për t’u bërë viral në rrjete sociale, posaçërisht në Kosovë, posaçërisht te mbështetësit e Hashim Thaçit. Ashtu edhe po ndodh.

Rama foli me emocione të larta, që, nëse do të të kapte të papërgatitur, kishte rrezik edhe që t’i besoje.

Fillimisht, do të doja të thoja që shumë mirë po bën Partia Socialiste që po shtyn përpara një rezolutë kundër raportit të Dick Marty’t. Do të ishte gjë e duhur dhe gjë me mend edhe që kjo rezolutë të votohej nga deputetët e opozitës. Pa bërë zhurmë. Mirëpo është shumë vështirë që të bësh një gjë të tillë, sepse Edi Rama, ai që ta kërkon votën, të shtyn drejt konfrontimit, të shtyn drejt mosdhënies së votës. Është e pamundur të qëndrosh neutral ndaj argumenteve të tij.

Sulmi ndaj opozitës, duke u kthyer tri dekada mbrapa, është gjë e vështirë për t’u gëlltitur. Rama sot në Kuvend fliste për kontrabandën me naftë të Qeverisë së Sali Berishës, të bërë në vitet e 90’a, duke e harruar raportin e tij vëllazëror me Aleksandër Vuçiqin, ish-ministrin e Millosheviqit, ish-ministrin e Informatave të qeverisë, që i vrau dhe i dogji Kosovën dhe shqiptarët e Kosovës.

Kë po e gënjen Rama? Me kë po mendon se po luan?

Po, ne të gjithë dimë se dora e kujt e ka shkruar raportin e Dick Marty’t. Ne dimë se kush është autor i raportit, sepse shkruhet aty, por që, gjithashtu, ne të gjithë dimë se kush është sponsorizuesi i atij raporti dhe kush janë burimet prapa raportit.

Si është e mundur që Edi Rama foli aq gjatë dhe me aq pasion për UÇK’në dhe komandant Thaçin, e, në anën tjetër, atij nuk i bën përshtypje Serbia e sotshme?

Rama do të duhej të dinte që prokuroria e Serbisë, ato kukullat e Vuçiqit, është furnizuesja kryesore me informata dhe me dëshmitarë e senatorit të Zvicrës. Edi Rama do të duhej të dinte ose do të duhej ta kishte lexuar lajmin që shërbimi sekret i Vuçiqit, para disa kohësh, e kishte në plan që ta vriste senatorin Marty, në mënyrë që Thaçi dhe të tjerët të ngarkoheshin me përgjegjësi edhe për këtë krim të pabërë.

Raporti i Ramës me Vuçiqin është shumë interesant, prandaj ai sot po aktronte, se rrugë tjetër nuk kishte. UÇK’ja dhe Thaçi nuk kishin luftuar kundër forcave bullgare e as atyre kroate. Kanë qenë ushtria dhe policia serbe, e udhëhequr në një mënyrë nga Vuçiqi dhe soji i tij, ato që erdhën në Kosovë, ato që na dëbuan nga ky vend. Si është e mundur që kryeministri Rama e injoron këtë fakt, duke u marrë vetëm me njërën anë? Ai e sulmoi opozitën atje, duke e pasur në mendje Berishën, duke e akuzuar se e kishte ndihmuar Millosheviqin. Po, duket që e kanë ndihmuar, me ose pa qëllim, mirëpo miku i Ramës, Vuçiqi, jo shumë kohë më parë, deklaroi në Mitrovicë që Millosheviqi ka qenë një lider i madh serb, por që fati nuk kishte qenë në anën e tij.

Politika shqiptare, për momentin, është një qenef i madh. Të gjitha palët atje, fatkeqësisht, kanë të drejtë për akuzat për njëri-tjetrin. Rama ka të drejtë, kur e akuzon PD’në, e gjithashtu PD’ja ka të drejtë për çdo gjë që thotë për Ramën.

Është e pamundur të ndihmohet UÇK’ja pa treguar se kush është autori origjinal i akuzave kundër kësaj organizate. Është e pamundur që të identifikohet Dick Marty si kundërshtar i UÇK’së, kur prokuroria e Vuçiqit e ka furnizuar atë me të gjitha informatat.

E kam të pamundur që të besoj se si arriti Rama të flasë për rreth gjysmë ore dhe në asnjë moment të mos e drejtojë gishtin e akuzës nga Serbia e sotshme, që është po aq fashiste përballë Kosovës dhe shqiptarëve, sa edhe Serbia e Millosheviqit.

Lajme të ngjashme