"Palët e kanë parasysh": A po çon marrëveshja e targave edhe më shumë drejt Asociacionit? - NACIONALE

"Palët e kanë parasysh": A po çon marrëveshja e targave edhe më shumë drejt Asociacionit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian (BE) përmes kryediplomatit Josep Borrell dje njoftoi se ishte arritur një ujdi për targat që shmangte tensionet në veri. Por, aty përmendeshin edhe “marrëveshjet e mëparshme” ku përfshihet edhe ajo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. A u pajtua Qeveria Kurti edhe për Asociacionin në Bruksel?

Fjalia ‘problematike’ në deklaratën e Borrellit thotë si vijon: “Palët kuptojnë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut duhet të zbatohen.”

Mes këtyre marrëveshjeve është edhe ajo e 25 gushtit 2015 për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Gjatë ditës së djeshme, i pranishëm në Bruksel ishte Zv. Kryeministri Besnik Bislimi. Nëse në bisedimet e gjata është folur ose jo edhe për çështjen e Asociacionit nuk dihet tash për tash, por deklarata e Borrellit është mjaft domethënëse.

Aktivisti i PSD-së, Lisjan Perolli, pretendon që kjo nënkupton se Kurti “ka nënshkruar marrëveshje ku zotohet që do të krijojë Asociacionin.”

Konteksti

Për fat të keq, përkundër arritjes së marrëveshjes mbrëmë, presidenti i Republikës së Serbisë Aleksandër Vuçiq ka dhënë deklarime të papranueshme.

Ai u shpreh se “përfaqësuesit serbë janë të gatshëm të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.”

Qyyysh?

Zyrtarët serbë që ishin integruar në institucionet e Republikës së Kosovës kishin dhënë dorëheqje masive pas suspendimit të një drejtori rajonal të Policisë që kishte refuzuar të zbatonte fazën e qortimeve.

Vuçiq e interpretoi ujdinë e mbrëmshme si “fitore të vogël taktike”, ndërsa përmendi po ashtu se në Bruksel u theksua “domosdoshmëria e përmbushjes së marrëveshjeve të mëparshme. Pra, edhe e Asociacionit.

Kërkesa urgjente

Gjermania, në një reagim të djeshëm për situatën e krijuar, po ashtu kishte kërkuar që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të vihej në agjendë. Kjo ishte veçanërisht befasuese marrë parasysh pretendimet e Kurtit se shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell kishte hequr nga tavolina propozimin franko-gjerman. Pritej që Gjermania në fakt, të mbështeste pretendimin e z. Kurti, gjë që nuk ndodhi.

Por, edhe më e qartë dhe eksplicite në reagimet e saj ka qenë Amerika. Ambasadori Jeff Hovenier e kishte cilësuar si “kërkesë specifike dhe urgjente” atë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në një mbledhje me gazetarë.

“Nisja e negociatave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicës serbe... E përsëris se kjo tashmë është një nevojë urgjente,” – kishte thënë ambasadori i ShBA-ve.

Vetëvendosja

Vetëvendosje ka qenë edhe më e zëshme në shprehjen e qëndrimit të saj për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe gjatë këtij muaji.

“Ju e dini shumë mirë që pyetjeve të juaja (për Asociacionin) unë ju përgjigjem tash e nëntë vjet,”thoshte Kurti më 7 nëntor 2022.

Por, qëndrime më të ndryshme prej tij kishte shprehur Besnik Bislimi në muajin qershor, dhe të cilat duket se u materializuan edhe në mbrëmjen e 23 nëntorit.

Bislimi në një intervistë të dhënë pas arritjes së marrëveshjes për energjinë, shprehej se ishte pala serbe ajo që kërkonte të futej në rinegocim të marrëveshjeve të arritura.

“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-s dhe 15-s, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar ta fus në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse,”thoshte Bislimi.

Pra, ishte shmangur precendenti i rinegocimit të marrëveshjeve, pra edhe ai për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

A po çon kjo politikë e ndjekur nga Qeveria Kurti drejt zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin? Ashtu si edhe me shumë e shumë gjëra tjera, duket se në vend të fjalëve të tyre flasin veprat.

Ndërkohë, nuk dihet nëse plani franko-gjerman çon drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe përkundër që në një variant që doli së fundi po ashtu kërkohej zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Lajme të ngjashme