"Edhe me u bo shtet i pavarur": Çka na tha VV-ja me videon më të fundit? - NACIONALE

"Edhe me u bo shtet i pavarur": Çka na tha VV-ja me videon më të fundit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dorëheqje të zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës, retorikë e rrezikshme, një plan franko-gjerman dhe në fund një video tjetër e Vetëvendosjes. Çka na thotë kjo video dhe çfarë duhet të themi ne për të?

Gjatë pasdites së ditës së djeshme, 8 nëntor 2022, Vetëvendosje publikoi videon më të re e ku kryefjala ishte Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Në mbrëmje do të jepte intervistë, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, që u duk se nuk pati haber për të.

Çka na thotë videoja?

Ajo bazohet në një konferencë për medie të kryeministrit Kurti në të cilën ai do të shprehte qëndrimet e Qeverisë që drejton, e me këtë edhe qëndrimet e Kosovës, për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Ai u pyet edhe për Asociacionin, e për të cilin tha se nuk kishte ndryshuar qëndrim.

“Ju e dini shumë mirë që pyetjeve të juaja (për Asociacionin) unë ju përgjigjem tash e nëntë vjet,” – thoshte Kurti më 7 nëntor 2022, edhe pse partia e tij shkon edhe më lart, duke pretenduar se ai përgjigjet tash e pesëmbëdhjet vjet (prej 2007).

Në atë konferencë, Kurti do të shprehej edhe se Serbia po e refuzonte planin franko-gjerman por po e maskonte atë refuzim. Në anën tjetër, u shpreh edhe se ai e vlerësonte përgjithësisht si hap në drejtim të duhur megjithëse kishte vërejtje.

“Unë nuk e kam refuzuar planin,” – tha Kurti.

Kjo bëri që si duket partia e Kurtit të montonte një video të re në të cilën do të pretendonte se shfaqej konsistenca e Kurtit për çështjen në fjalë.

Pse tash?

Kurti aty shfaqej si një aktivist i ri 32 vjeçar derisa kundërshtonte Planin e Ahtisaarit. Ai kundërshtonte në veçanti Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Po dojnë me maru komuna me shumicë serbe që kanë me pasë jashtëzakonisht më shumë kompetenca se komunat me shumicë shqiptare. Ata kanë me pasë të drejtë me drejtu universitete e me menaxhu spitale. E kjo nuk ndodh me komunat shqiptare... dojnë me na e maru një kancer që e kontrollon Serbia. Edhe me bo me u bo shtet i pavarur qiky kancer nuk ka me t’lonë kurrë rahat,” - thotë Kurti mes tjerash në vitin 2007.

Në fakt, i gjithë opinioni publik aktualisht po debaton në lidhje me qortimin që Kosova e mori nga administrata e Joe Biden për mos-shtyrjen e afatit për targa.

Përfaqësuesi Gabriel Escobar e kishte interpretuar këtë kërkesë amerikane si “kërkesë personale” të Sekretarit Blinken.

Por, tashmë duket se është rritur presioni edhe për respektimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kryekuvendari Glauk Konjufca në intervistën e mbrëmshme megjithatë duket se minon mesazhet që Vetëvendosje provon të çojë përpara me anë të videos.

Ai e cilësoi planin franko-gjerman si të favorshëm përgjithësisht për Kosovën, por përmendi në mënyrë eksplicite edhe “respektimin e të gjitha marrëveshjeve të deritashme në Bruksel”.

Kjo nënkupton se parashihet edhe krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara më 25 gusht 2015 dhe në prill të vitit 2013.

As Konjufca por as Kurti nuk treguan se për çka ishin vërejtjet e tyre në lidhje me planin franko-gjerman. Por, videoja në fjalë mund të jetë shumë indikative në këtë drejtim.

Ned Price

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit reagoi pikërisht gjatë ditës së djeshme vetëm pak orë pas postimit të videos së Vetëvendosjes.

"Kosova dhe Serbia duhet t'i zbatojnë detyrimet e nënshkruara në negociatat e lehtësuara nga Brukseli. Vetëm në këtë mënyrë shmanget përshkallëzimi,"

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme një reagim të ashpër e ka bërë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai u shpreh se distancimi i Kosovës nga aleatët e saj mund të cilësohej edhe si akt tradhtie.

Duhet të kujtojmë se në videon në fjalë të vitit 2007, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, asokohe 32 vjeçar hedh akuza të rënda ndaj lidershipit kosovar. “Ramush Haradinaj e sheh ëndërr Hagën, Agim Çeku e sheh ëndërr Ramush Haradinajn e Veton Surroi e sheh ëndërr Titon!” - thotë mes tjerash ai.

Lajme të ngjashme