"Kosova s'i ka borxh askujt": Mihali e VV-së 'dridh' partinë e Kurtit - NACIONALE

"Kosova s'i ka borxh askujt": Mihali e VV-së 'dridh' partinë e Kurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas presionit ndërkombëtar dhe pas zhvillimeve më të fundit në veri, Vetëvendosje duket se i është rikthyer narrativës së dikurshme sovraniste. Ja çka tha Dejona Mihali, një ndër njerëzit më të pushtetshëm në partinë që drejtohet nga Albin Kurti.

Në një status në profilin e saj në Facebook ajo ka shkruar se “Kosova s’i ka borxh askujt”, në një mesazh të përsëritur dy herë.

Duket se ky borxh është përmendur në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që së fundi kanë shprehur “zhgënjim dhe shqetësim” me Qeverinë Kurti për mos-shtyrjen e vendimit për targa për 10 muaj.

Kjo kërkesë ishte – sipas Gabriel Escobar – kërkesë personale e Sekretarit amerikan Antony Blinken.

“Kosova s'i ka borxh askujt. Është në të drejtën e saj ta mbrojë çka është aspiratë dhe domosdoshmëri për shtetin, lirinë dhe demokracinë. Sovranitet, barazi dhe integritet, asgjë më pak. Kosova pra nuk i ka borxh askujt.” – ka shkruar znj. Mihali.

Duhet të kujtojmë lexuesit se Shtetet e Bashkuara kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës (1999), e më pas edhe për Pavarësinë (2008) dhe konsolidimin e pavarësisë.

Kush e përkrahu?

Mihali shkruan rrallë e përmallë, por ajo vlerësohet të jetë mes njerëzve më të pushtetshëm në partinë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti.

Ta zëmë, Haki Abazi është deputet i Vetëvendosjes dhe ish zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti I, por atij statuset në Facebook nuk i përkrahen gati nga asnjë zyrtar i Vetëvendosjes.

Ndërkohë, mbështetja për Mihalin është e jashtëzakonshme.

Ambasadori kontrovers i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka reaguar me “zemër” këtij statusi ashtu si zëvendësministri Imri Demelezi e asamblisti Egzon Azemi.

Në anën tjetër, statusi është pëlqyer nga deputetët Artan Abrashi, Arjeta Fejza, Tinka Kurti, Visar Korenica, këshilltari në Mininistri të Mbrojtjes Rabit Konjufca, deputeti Besim Muzaqi, aktivisti i shquar Elvis Hoxha, shefi i Stafit të Kurtit Luan Dalipi, deputeti Adnan Rrustemi, deputeti Nijazi Isaku, deputeti Enver Dugolli, zëvendësministri Blerim Sallahu e shumë të tjerë.

Pra, ajo që thotë Mihali në të vërtetë përbën edhe qëndrim të Vetëvendosjes nëse konsiderojmë gjithë mbështetjen e madhe që mori.

Çka tha dje kryeministri?

Në një konferencë për medie, kryeministri i Kosovës Albin Kurti foli për zhvillimet në veri dhe po ashtu për planin franko-gjerman. Ai u shpreh që "nuk e kishte refuzuar planin" megjithëse kishte pasur vërejtje. Sipas tij, ajo që po ndodhte në veri të vendit ishte "përpjekja e Serbisë për ta maskuar refuzimin".

Kurti u shpreh se komunikimi me ShBA-të ishte i vazhdueshëm kur u pyet nëse raportet ishin prishur.

Por, kjo ka bërë që opozita të jetë mjaft kritike ndaj Kurtit për prishjen e mundshme të raporteve me partnerët ndërkombëtarë. Kurti u takua sot me tre liderët e partive opozitare - Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun e Ramush Haradinajn - por këta të fundit nuk u ndanë të kënaqur me atë që u tha në këtë takim.

Ajo që ka thënë znj. Mihali është jashtëzakonisht e rëndësishme nëse marrim parasysh diskurset konkurruese në vendin tonë: partneriteti me ShBA-të apo qasja sovraniste?

Kujtojmë se kryeministri Kurti nuk e ka uruar presidentin amerikan Joe Biden në përvjetorin e dytë të fitores (3 nëntor) në zgjedhjet presidenciale amerikane siç kishte bërë para një viti.

Krejt çka tha znj. Mihali:

Lajme të ngjashme