E quajti “ditë historike”: Pse Kurti ‘harroi’ ta uronte Bidenin në përvjetorin e dytë të fitores?
Më 3 nëntor 2022 ishte dyvjetori i fitores së presidentit aktual amerikan Joe Biden në zgjedhje presidenciale. Por, veçantia e këtij përvjetori për Kosovën është se nuk u urua nga kryeministri Kurti siç kishte ndodhur në përvjetorin e parë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte zgjedhur fjalë mjaft të mira për presidentin Joe Biden në urimin e përvjetorit të fitores së tij, më 3 nëntor 2021.
“3 nëntor 2020 ishte një ditë historike jo vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për gjithë botën. Amerikanët votuan për ndryshim. Qytetarët e ShBA-së, aleati më i rëndësishëm i Republikës së Kosovës, zgjodhën Joe Bidenin si presidentin e tyre të 46-të.” – kishte thënë kryeministri ynë në hyrje të fjalës së tij uruese.
Por, kjo ditë historike siç u quajt nga Kurti para një viti nuk u kujtua fare në dyvjetorin e saj.
3 nëntor 2022
Kryeministri Kurti ishte në Berlin më 3 nëntor 2022 në Samitin e Procesit të Berlinit. Aty u përmend mes tjerash edhe Propozimi Franko-Gjerman për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Vetë Kurti e përmendi tërthorazi ekzistencën e saj, ndërkohë që kancelari federal i Gjermanisë Olaf Scholz e konfirmoi në mënyrë eksplicite ekzistencën e saj.
Por, Kurti atë ditë kishte edhe barrën e një deklarate të fortë të Departamentit amerikan të Shtetit, që kishte shprehur “shqetësim dhe zhgënjim” me Qeverinë e Kosovës me vendimin për të mos dëgjuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për shtyrje 10 muajshe të çështjes së targave.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës i ka refuzuar kërkesat (për ta shtyrë afatin) nga partnerët e saj ndërkombëtarë.” – thuhej në deklaratën rënduese.
Gabriel Escobar, përfaqësuesi i administratës Biden për Ballkanin Perëndimor, kishte thënë gjatë vizitave të tij në Kosovë e Serbi se shtyrja e afatit ishte “kërkesë personale” e Sekretarit Antony Blinken.
Përveç pozicionit tepër të lartë në administratën Biden (ekuivalenti i kryeministrit), Blinken ka punuar me presidentin aktual amerikan për 20 vjet.
Blinken ishte top këshilltari i tij në Komitetin për Punë të Jashtme në Senat e më vonë edhe si këshilltar për siguri kombëtare kur ishte zëvendës-President nën administratën Obama.
3 nëntor 2021
Kryeministri Kurti është akuzuar gjatë për anti-amerikanizëm nga eksponentë të opozitës. Kjo ndoshta e kishte shtyrë që të bënte edhe deklarata të çuditshme si ajo “Kur na thotë Amerika kërceni, ne nuk pyesim pse por sa!”
Megjithatë, edhe më i çuditshëm ishte urimi që Kurti i bëri Bidenit në njëvjetorin e fitores elektorale më 3 nëntor 2021. Ndoshta, Kurti ishte lideri i vetëm që uronte përvjetorin e fitores elektorale.
Në atë kohë, Kurti kishte premtuar se do ta vizitonte ShBA-në, gjë të cilën do ta bënte vetëm shumë muaj më pas (maj 2022) por pa u takuar me krerët më të lartë shtetërorë amerikanë si Presidenti Biden, Zv. presidentja Kamala Harris apo Sekretari Blinken.
Fjalët e Kurtit në atë ditë vjeshte 369 ditë më herët ishin mjaft interesante.
“Fitorja historike e presidentit Biden më 3 nëntor 2020, i ka paraprirë edhe fitores historike të Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 14 shkurt 2021, me një program të bazuar në parimet e drejtësisë, barazisë dhe zhvillimit, një program jo shumë larg atij mbi të cilin kandidati Joe Biden ka kërkuar dhe fituar besimin e një shumice të madhe të votuesve amerikanë. Në këtë mënyrë, dy palë zgjedhjet, ato më 3 nëntor dhe ato më 14 shkurt, dëshmuan se ajo çka i lidh më thellësisht republikat tona, nuk janë interesa të ngushta gjeopolitike, por parime dhe vlera demokratike.” – kishte thënë kryeministri mes tjerash.
Biden nuk ka uruar Kurtin në njëvjetorin e fitores së tij zgjedhore më 14 shkurt 2022. Megjithatë, besohet që deklarata e fundit e Departamentit amerikan të Shtetit mund të ketë bërë që Kurti të harronte “ditën historike”.

